Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës kanë bërë bujë në të gjithë botën. BBC ka shkruar një artikull për tensionet në veri të Kosovës, duke theksuar se ato sa vjen dhe po rriten.
Protestuesit kanë bllokuar rrugët dhe thuhet se kanë qëlluar me armë pasi u detyruan të vendosnin targa të Kosovës në makinat e tyre.
Ekziston frika se dhuna midis serbëve dhe shqiptarëve mund të ndizet përsëri, 23 vjet pas luftës në Kosovë, shkruan BBC.
Ku është Kosova?
Kosova është një vend i vogël, pa dalje në det në Ballkan, në kufi me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
Shumë serbë e konsiderojnë atë vendlindjen e kombit të tyre, por nga 1.8 milionë banorët që jetojnë në Kosovë, 92% janë shqiptarë dhe vetëm 6% serbë. Pjesa tjetër janë boshnjakë, turq dhe romë.
Si e fitoi Kosova pavarësinë?
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në vitet 1990, Kosova, kërkoi autonominë dhe pavarësinë e saj.
Ndërsa, Serbia u përgjigj me një goditje brutale kundër shqiptarëve etnikë që kërkonin pavarësinë.
Kjo përfundoi në vitin 1999, me një fushatë bombardimi të NATO-s kundër Serbisë, midis marsit dhe qershorit.
Forcat serbe u tërhoqën nga Kosova, por për shumë shqiptarë dhe serbë të Kosovës, konflikti nuk është zgjidhur kurrë.
KFOR i udhëhequr nga NATO është ende në Kosovë, me një forcë aktuale prej 3,770.
Në vitin 2008, Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë.
Gjithsej 99 nga 193 vende të Kombeve të Bashkuara e njohin tani pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe 22 nga 27 vende të BE-së, por Rusia dhe Kina, të cilat nuk e bëjnë këtë, e kanë bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç është zotuar se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën si një vend të pavarur.
Si Kosova ashtu edhe Serbia nuk janë në BE, kjo e fundit është një vend kandidat për në BE që nga viti 2012.
Nga ana tjetër, Kosova ka treguar se dëshiron të aplikojë deri në fund të vitit 2022.
Pse janë ndezur tensionet tani?
Marrëdhëniet mes qeverisë së dominuar nga shqiptarët dhe pakicës serbe kanë qenë të acaruara prej vitesh.
Fundjavën e kaluar, tensionet kaluan në mosbindje civile pasi qeveria e Kosovës donte t’i detyronte ata në zonat me shumicë etnike serbe të ndërronin targat e tyre të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.
Ndërkohë, rreth 50,000 njerëz në këto zona nuk duan të përdorin targat e Kosovës pasi refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës.
Të dielën, serbët në rajonin verior të Kosovës, i cili kufizohet me Serbinë, vendosën barrikada në rrugë, ndërsa thuhet se pati dhe të shtëna armësh nga ana serbe në shenjë proteste.
Për të ulur sadopak tensionet, qeveria e Kosovës shtyu zbatimin e rregullave të reja për një muaj.
A është e përfshirë Rusia?
Qeveria e Kosovës thotë se Serbia po nxit tensione etnike dhe Rusia po e mbështet atë.
Serbia dhe Rusia janë aleatë tradicionalë.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, Serbia refuzoi t’i bashkohej regjimit të sanksioneve të vendeve të tjera evropiane.
Në vend të kësaj, në maj, Vuçiç nënshkroi atë që ai tha se ishte një marrëveshje e favorshme gazi me presidentin rus Vladimir Putin.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova fajësoi për tensionin në Kosovë autoritetet kosovare që vendosin “rregulla të pabaza diskriminuese”.
Një deputet nga partia e Vuçiçit tha se Serbia së shpejti do të detyrohet të përdorë në Ballkan të njëjtën gjuhë që Presidenti Putin përdori për të justifikuar pushtimin e tij në Ukrainë. Më vonë ai kërkoi falje për fjalët e tij.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Putin mund ta përdorë Kosovën për të zgjeruar konfliktin aktual në Ukrainë dhe për të destabilizuar më tej Evropën.