Për Vjosa Osmani, presidenten e Kosovës, Vladimir Putin, do të dështojë absolutisht në qëllimet e tij kur bëhet fjalë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor përmes satelitit të tij, Serbisë, pasi sipas saj tensionet në Veriun e vendit pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet janë shkaktuar nga Beogradi i cili është në koordinim të ngushtë me Kremlinin zyrtarë.
“Ka pasur përgatitje, nga Serbia e ndihmuar dhe nxitur nga Rusia për një kohë të gjatë, për të tentuar përshkallëzimin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti”, ka thënë Osmani gjatë një interviste për prestigjiozen britanike “BBC”.
Kosova, për Osmanin nuk ka kontribuar dhe nuk do të kontribuojë në përshkallëzim apo dhunë, këtë sipas saj po e bënë Serbia e cila po kontrollohet plotësisht nga Rusia.
“Dhe unë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët tanë, veçanërisht qytetarët tanë serbë, se ne të gjithë po punojmë që të gjithë të ndihen të barabartë të gjithë të ndihen të integruar në shoqërinë tonë si dhe në institucionet tona. Dhe askush nuk duhet të bie pre e propagandës ruse dhe serbe”.
Sipas Osmani, akuzat e institucioneve të Kosovës kundrejt Serbisë dhe Rusisë nuk janë ato që kontribuojnë në përshkallëzimin e situatës në Veri, përkundrazi liderët institucional kosovarë po thonë të vërtetën për synimet e Rusisë dhe Serbisë, e cila në fund nuk ka ndikim negativë.
“Kjo ka një efekt pozitivë sepse nuk besoj që e ndihmon situatën akomodimi i autokratëve dhe i regjimeve gjenocidale, siç është ai në Rusi, apo regjimeve autokratike që synojnë të bëjnë të njëjtën gjë në Serbi”, ka deklaruar Osmani.
360grade.al