Home Gjeo-Ekonomia Z.Kryeministër, ku janë gratë në dialog?

Z.Kryeministër, ku janë gratë në dialog?

Nga Arta Avdiu

Asgjë e re nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Përkundër 5 orë diskutimesh të enjten e 18 gushtit, nuk u nënshkrua asnjë marrëveshje. Por, takimi në Bruksel ritheksoi një të vërtetë shpesh të harruar, se i gjithë delegacioni kosovar ishte i “sunduar” nga burrat. Gratë janë gjinia e munguar në dialog. Andaj, në stilin e Cynthia Enloes, një pyetje thelbësore duhet të parashtrohet: z.kryeministër, ku janë gratë?

Shkruan: Arta Avdiu

Kosova vazhdon me përfaqësim të ulët të grave në politikë. Aty ku përfundon kuota gjinore, aty merr fund edhe gjithëpërfshirja e grave. Në dy palë zgjedhjet e fundit, gratë janë votuar më shumë se herave të tjera, por kjo nuk ka mjaftuar për ta kaluar përqindjen që i siguron kuota gjinore.

Mungesa e grave në delegacionin e Kosovës dje është vetëm një simptome e një problemi më të madh. Ndonësë elektorati kosovar beson tek gratë, ky numër i ulët i grave në vendimmarrje vjen si pasojë e kandidimit të paktë në listat zgjedhore nga partitë. 

Përzgjedhjen e kandidatëve në lista zakonisht e bëjnë liderët e partive, të cilët për “çudi rastisin” të jenë burra. Ata pathuajse asnjë konsultim me gratë, dizajnojnë listat zgjedhore, të cilat mirëmbajnë status quo-n në marrëdhëniet mes gjinive. Një strukturë e tillë vazhdon të ekzistojnë, përkundër që është një grua, Vjosa Osmani, personi më i votuar në historinë elektorale të Kosovës. 

Përkundër kësaj, liderët partiakë kanë pak besim dhe nënvlerësojnë rolin dhe kontributin e grave. E ai që u beson më së paku, ironikisht, po del të jetë lideri i partisë Vetëvendosje, të vetëquajtur socialdemokrate, Albin Kurti, që është votuar më së shumti nga grate! 

Kryeministri i ri Kosovës, që në fushatë zgjedhore i referohej vetës si feminist, nuk u ka besuar asnjë rol teknik grave në procesin e dialogut, e lëre më ndonjë rol udhëqes e politik në dialogun më Serbinë në Bruksel. Kurti përveç premtimeve të tij parazgjedhore, me këtë mosbesim ndaj grave, ai shkelë edhe rezolutën 1325 te OKB-së, e cila kërkon pjesëmarrjen e grave në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, negociatat e paqes, ndërtimin e paqes, e kështu me radhë.



Edhe pse e proklamon vetën si politikan progresiv e feminist, Albin Kurti tanimë është i lidhur pandashëm me figurën e babës, siç shihet edhe nëpër rrjete sociale e mure të qyteteve të Kosovës, aty ku shfaqet vulgarisht adhurimi atëror për të. Në vend se të kishte ide feministe, tani kemi një burrë, hija patriarkale e të cilit mbulon çdo grua në secilin cep të partisë, duke i margjinalizuar dhe përjashtuar këto të fundit nga pozitat vendimarrëse.

Por, delegacioni i Kosovës në dialogun e Brukselit nuk dukej gjithmonë si grup krushqish të dasmave shqiptare, pra i përbërë vetëm nga burrat. Sepse gjatë viteve 2011-2014, dialogu teknik udhëhiqej nga një grua, zonja Edita Tahiri. Përtej dialogut, gratë kosovare janë treguar diplomate të mira kurdo që kanë qenë në pozitë udhëheqëse.

Atifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës, është njëra nga gratë diplomate të suksesshme në arenën ndërkombëtare. Sa ishte presidente e vendit, ajo e kishte ngritur në shkallë shumë të lartë imazhin e Kosovës.

Gjithashtu, delegacioni i Vlora Çitakut në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përbëhej nga shumë gra dhe çdo debat e kishte fituar përballë secilit politikan serb që ishte ballafaquar me të. Njëjtë shkëlqeu edhe edhe Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla në takimin e fundit të KS të OKB-së. 

Poashtu, Presidentja Osmani, sado që në opinionin e brendëshëm shihet nën hijen e
kryeministrit Kurti, në skenën ndërkombëtare është shumë e suksesshme.

Ne përgjithësi gratë e Kosovës e kanë ngritur në shkallë të larte imazhin e Kosovës si në politike, ashtu edhe jashtë saj, siç është rasti me xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, me aktoren Yllka Gashi me filmin “Zgjoi” e të mos flasim për pop-këngëtaret me famë botërore. Ato janë asetet kryesore të diplomacisë publike, kulturore e sportive të Kosovës.

Por, vetëm Kurti duket të mos u besojë grave në diplomaci. Por, zotësia e dëshmuar grave i nevojitet Kosovës në dialogun në Bruksel. Andaj, z.kryeministër, bëhu sërish feminist.

Share: