Home KRYESORE Ambasadorja Kim i sugjeron politikës të merret vesh pa ndërjetësim të huaj!

Ambasadorja Kim i sugjeron politikës të merret vesh pa ndërjetësim të huaj!

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka folur në emisionin “Opinion” mbi proceset zgjedhore në vendin tonë, por dhe për komunikimin politik mes partive politike.

Përsa i përketë zgjedhjeve, Kim thotë Shqipëria ka ende punë për të bërë për plotësimin e rekomandimeve të ODIHR, por sipas saj, këto rekomandime plotësohen në momentin që palët politike arrijnë marrëveshje në interes të qytetarëve.

Ambasadorja tha se në Shqipëri ka patur raste kur një palë politike ka refuzuar të ulet në tryezën e bisedimeve dhe në fund kanë qenë qytetarët ata që kanë humbur.

Sipas saj, palët politike në Shqipëri duhet të gjejnë vetë gjuhën e marrëveshjeve politike, pa patur nevojën e ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve, qofte dhe të ambasadores së SHBA.

Pjesë nga intervista

Blendi Fevziu: Po ju pyes gjithashtu edhe mbi dy probleme. Janë problem i ligjit zgjedhor dhe problemi i reformës zgjedhore. A keni koment mbi këto të dyja?

Ambasadorja Kim: Raporti i ODIHR-it i cili u publikua pas zgjedhjeve në prill vitin e kaluar, doli me rekomandime shumë të qarta, ashtu si edhe raportet mbi zjedhjet përpara tyre. Prandaj ne do donim t’i shihnim të gjithë, udhëheqësit politikë dhe deputetët që të veprojnë mbi këto rekomandime.

Blendi Fevziu: Çfarë mund të bëjmë mbi to, Zonja Ambasadore, kemi pasur gjithnjë probleme në 30 vjet. Një palë nuk pranon zgjedhjet, më së shumti, ndonjëherë po, por më së shumti nuk i pranojnë. Çfarë mund të bëjmë që të votojmë dhe të kemi besim në votë?

Ambasadorja Kim: Së pari, mendoj se kjo lidhet me problemin fillestar për të cilin folëm, mbi përpjekjet e Rusisë për të minuar demokracinë. Prandaj, ju duhet të merrni masa që sjellin transparencë më të madhe në sistem. Pjesa tjetër është kjo: pas 31 vitesh, ka ardhur koha që të jemi më të pjekur në mënyrën sesi sillemi me njëri-tjetrin. Po ju jap një shembull. Amerika…

Blendi Fevziu: Por kjo është çmenduri, pas 31 vitesh, gjithnjë

Ambasadorja Kim: Kërkon kohë…

Blendi Fevziu: Gjithnjë njëra anë nuk pranon…

Ambasadorja Kim: Pra, kemi… Shqipëria nuk është e vetmja.

Blendi Fevziu: Ndodh vetëm me ne, jo në Maqedoni, jo në Kosovë, jo në vendet e tjera.

Ambasadorja Kim: Mendoj se njerëzit si juve, kanë gjithashtu përgjegjësi, për të edukuar publikun dhe për t’u treguar atyre se kjo nuk është mënyra se si Shqipëria duhet të jetë e veçantë. Në zgjedhjet këtu, disa herë ka pasur probleme. E kuptoj se ka pasur probleme në 1996, për shembull, por më së shumti, zgjedhjet e vitit të kaluar u konfirmuan nga ODIHR-i si të besueshme. Pra është koha të pranojmë se kur zgjedhjet mbahen duke zbatuar të gjitha standardet ndërkombëtare, rezultatet duhen respektuar. Përtej zgjedhjeve në sjelljen e politikës, është shumë e rëndësishme për drejtuesit politikë, pavarësisht përkatësisë partiake, që të jenë të aftë të flasin me njëri-tjetrin dhe që të arrijnë marrëveshje të cilat janë në interesin publik. Përse e them këtë? Mendoj se në intervistën tonë të parë Blendi, ne folëm mbi habinë time kur erdha këtu dhe zbulova se fjala kompromis ishte një fjalë e pistë në Shqipëri dhe në botën politike këtu. Dhe nuk duhet të jetë ashtu. Dikush që i përket një partie tjetër, apo ka një këndvështrim të ndryshëm, mund të jetë kundërshtari yt në atë çështje por nuk janë armiqtë tuaj.

Blendi Fevziu: Po, një armik, ky është…

Ambasadorja Kim: Duhet të jeni në gjendje që të uleni dhe të arrini në një marrëveshje. Ju e mbani mend që ka pasur aq shumë periudha në historinë moderne të Shqipërisë ku një palë thjesht vendos: nuk do të flas me palën tjetër dhe largohen. E di kush humbet në fund?

Blendi Fevziu: Po, absolutisht.

Ambasadorja Kim: Janë njerëzit.

Blendi Fevziu: Kjo është 100% e vërtetë.

Ambasadorja Kim: Janë njerëzit që humbasin, dhe nuk duhet që udhëheqësit politikë shqiptarë të kenë nevojë për dikë nga jashtë, përfshirë edhe ambasadoren amerikane, ju nuk duhet të keni nevojë për dikë nga jashtë për t’ju ulur në të njëjtën tavolinë, në mënyrë që të flisni për të mirën e popullit shqiptar. Kur partitë flasin, nuk do të thotë se njëra palë është blerë nga pala tjetër. Nuk do të thotë se njëra palë është peng dhe tjetra është pengmarrëse. Nuk do të thotë se ka ndonjë komplot të çmendur. Do të thotë se këta janë drejtues politikë, të cilët janë të pjekur, dhe të cilët bëhen bashkë me qëllimin për t’i shërbyer publikut shqiptar që i ka zgjedhur në atë detyrë. Këtë do të thotë.

Share: