Home Gjeo-Ekonomia Defiçit, 280 miliardë lekë/ Në gusht u rritën eksportet por importet janë...

Defiçit, 280 miliardë lekë/ Në gusht u rritën eksportet por importet janë dy herë më të larta

300 milionë euro arriti vlera e mallrave të eksportuara gjatë gushtit. Sipas Instat eksportet vijuan rritjen e qëndrueshme edhe gjatë muajit të shkuar, ndikuar së tepërmi edhe nga shtrenjtimi i çmimeve në tregjet globale. Si raport 8-mujor, vlera e mallrave “Made in Albania” të eksportuara jashtë arriti në 328 miliardë lekë.

Rritja ka qenë e konsiderueshme jo vetëm në raport me një vit më parë me mbi 40% më shumë, por duke tejkaluar edhe nivelet e parakrizës të vitit 2019, kur për të njëjtën periudhë llogariteshin në 200 miliardë lekë mallra.

Grupet që kanë dhënë kontributin më të madh në ecurinë pozitive të eksporteve janë materialet e ndërtimit dhe metalet që kanë shënuar një rritje vjetore prej 12.6%, ndjekur nga mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike me një rritje përkatësisht prej 12%.

Edhe fasonët, grupi më i madh eksportues në vend kanë parë një përmirësim të ndjeshëm me rritje të porosive. Vetëm përgjatë 8-mujorit vlera e eksporteve të tekstileve dhe këpucëve arriti në 65 miliardë lekë, rreth 80.5 milionë euro më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të shkuar.

Italia vijon të mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë me të cilin rritja e eksporteve ka vijuar. Ndërkohë statistikat tregojnë se përgjatë kësaj periudhe eksportet janë zgjeruar ndjeshëm me Gjermani gati duke u dyfishuar, teksa shihet një rënie e atyre drejt Spanjës.

Edhe importet nga ana tjetër kanë arritur në nivele të larta 607 miliardë lekë në 8 muaj, rreth 120 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020.

Kjo për shkak të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare veçanërisht e karburanteve dhe energjisë elektrike, grup që ka shënuar gati dyfishim të vlerës së importeve krahasuar me janar- gusht të vitit 2021. Kjo diferencë e madhe me eksporteve dhe importeve ka bërë që deficit tregtar të zgjerohet në rreth 280 miliardë lekë në fund të gushtit.

Top Channel

Share: