Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Inside Story/ Nga Meta te Dokle, dosja që zbulon dhunimin e deputetëve...

Inside Story/ Nga Meta te Dokle, dosja që zbulon dhunimin e deputetëve nga i forti i Fierit

Ajo që e bën Fierin një prej qyteteve me grupet më të sofistikuara, është lidhja e këtyre familjeve me politikën, lidhje që duken më të forta se në çdo qytet.

Një prej personazheve më të përfolur ndër vite është shtetasi Fatmir Kajolli. Ai, njihet si ish anëtar i Këshillit Bashkiak në qytetin e Fierit, përfaqësues i Partisë Republikane.

“Nëse kemi një laborator ku eksperimentohen për herë të parë metodat, dhe produktet kriminale që hidhen në treg, ai laborator ka qenë përherë Fieri. Qoftë laboratorët e kokainës, shtëpitë e barit, e gjithçka. Ka filluar në atë qytet e më pas është eksportuar në qytete tjera ku janë organizata simotra”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

“Problemi është që duke u fuqizuar ekonomikisht do bëhet përherë e më shumë faktor i rëndësishëm në plani politik, pra faktor që nuk mund ta injorosh nëse nuk merren masa”, u shpreh deputeti i PS, Petro Koçi.

Për herë të parë, Fatmir Kajolli është përmendur publikisht në vitin 1994 kur dhunoi një grup deputetësh socialistë. Në komunën e Libofshës zhvilloheshin zgjedhje të pjesshme lokale. Atë ditë, pati raportime për dhunimin e komisionerëve të Partisë Socialiste dhe deputetëve Shaqir Vukaj, Namik Dokle, Ylli Bufi, Ndre Legisi, Ilir Meta dhe Musa Ulqini. Ata bënë denoncim por më pas nuk u paraqitën në seancat gjyqësore. Ky u gjet si motiv për të rikthyer dosjen në prokurori për hetime shtesë, duke dhënë një argumentim mjaft të çuditshëm.

“Prania e deputetëve është e domosdoshme sidomos për të provuar faktin se përse janë gjendur ata në Libofshë ditën e zgjedhjeve, kanë qenë duke kryer detyrën si deputetë dhe si përfaqësues të shtetit apo kanë vajtur si përfaqësues partie pasi edhe në denoncimet e tyre del në pah fakti se sharjet dhe fyerjet ndaj tyre janë drejtuar si përfaqësues partie dhe jo si përfaqësues të shtetit”.

Me këtë arsyetim, duket sikur për gjykatën kanë rëndësi vetëm përfaqësuesit e shtetit. Në fakt, të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kajolli përsëriti të njëjtën vepër penale edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2015 kur së bashku me të birin dhunuan me sende të forta një numërues socialist. Ai u hetua në arrest shtëpie por e theu masën e sigurisë. Sapo doli, në lokalin e të vëllait dhunoi një qytetar me grushte.

Kajolli i cili njihet si biznesmen, doli në pah 20 vite më parë kur autoritetet italiane ranë në gjurmët e organizatës së tij të drogës. Përgjimet zbuluan implikimin në disa episode trafiku në vitin 1998 në Romë dhe Milano. Në vitin 2002, Kajolli është dënuar me 16 vite burg. Vendimi u la në fuqi nga apeli. Ai merr një tjetër dënim nga Gjykata e Romës sërish për trafik droge. Në shkallën e parë u dënua me 10 vite ndërsa apeli vendosi 6 vite burg. Drejtësia italiane kërkoi ekstradimin e Kajollit. Kërkesa u hodh poshtë nga gjyqtari Piro Sota, i njëjti i cili kishte mbyllur dosjen e Kajollit 18 vite më parë për dhunimin e deputetëve.

“Po them një fakt që e kam parë vetë. Ngjitesha në shkallët e gjykatës për ca materiale të punë, nuk shihja personi ne dënuar me 25 vite burg, në Itali, ta jap dhe me emër ishte një Kajolli, dhe ne gjykqtaren diskutonte si miq të vjetër, normalisht, si tja bënin që mos të ekstradohej”, u shpreh Dritan Zagani, ish-shefi i antidrogës në Fier.

Referuar këtij dokumenti që Inside Story disponon, avokati I Kajollit me inicialet E.A., iu drejtua Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me procesin penal në Itali. Ai pretendonte se i janë shkelur të drejtat pasi gjykata italiane nuk kishte marë parasysh kërkesat për përkthimin e akteve në gjuhën shqipe.

“Në 90 % të rasteve që këta perosna nuk ekstradohen do gjeni dorën e avokatit në Romë Ëngjell Agaci. Nuk i kanë më emrat as në Interpol-Roma përmes lidhjes Agaci dhe lekëve që paguanin te mjekësia ligjore”, u shpreh Dritan Zagani, ish-efektiv i antidrogës në Fier.

“Krimi i organizuar dhe pushteti janë dy kafshë territori, Fieri është qyteti simbol ku këto dy kafshë territori nuk janë në luftë, por në bashkë punim me njëra-tjetrën”, u shpreh gazetari, Artan Hoxha./Top Channel

Share: