LETËR E HAPUR AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS
Institucioni i Akademisë së Shkencave është institucioni më i lartë akademik i Kosovës, sikurse edhe në çdo shtet tjetër që është Akademia e atij shteti. Prandaj, si e tillë edhe duhet ta ketë rolin e prirjes në udhëheqjen dhe orientimin e mirëfilltë të shtetit e të shoqërisë.
Institucioni juaj ka barrë dhe përgjegjësi të madhe për funksionimin e duhur dhe efikas të shtetit tonë të ri dhe shoqërisë, prandaj nuk duhet të devijoni nga misioni dhe detyrat që keni.
Si është e mundur ta lejoni kryetarin tuaj, z. Mehmet Kraja, të nxjerrë konkluzione të paqëndrueshme për një besim të cilit i takon mbi 95% e këtij populli?! Në këtë rast, për Islamin, kryeakademiku juaj kontaminon me teza shpifëse e të pavërteta!
Si është e mundur që ai të konkludojë, madje pa asnjë argument, se shamia vë kufizime në perceptim, në zhvillim të mendimit dhe në lirinë e mendimit, dhe se ajo vajzë që vendos shami është e kufizuar dhe nën diktat?! A kaq pak dije ka kryeakademiku për një besim kaq të njohur në botë siç është Islami?!
Si është e mundur që ai, për shkak të shamisë, të konkludojë pa asnjë fakt se Kosova po shndërrohet në republikë islamike, dhe se asaj po i ndërrohet perspektiva euro-atlantike?!
Çfarë lidhje ka shamia me sajesat e tilla, të cilat shtetet e fuqishme i kanë tejkaluar qëmoti?! Vetëm mendjet primitive e të mykura në komunizëm ende paragjykojnë e mbështeten në hamendje!
Merreni me mend, kryetari i Akademisë së Kosovës, që pagën e merr nga taksa e 95% myslimanëve, del dhe e luan rolin e njëjtë me atë të gjithologëve të “debateve”, me atë të hamendësuesve e shpifësve të portaleve!
Dijeni se ne jemi shoqëri që i takojmë besimit islam! Dhe, meqë përkatësia islame tejkalon 95%, edhe shamia që nënat, gjyshet e stërgjyshet tona të bekuara e mbartën, ditën dhe e ruajtën me krenari dhe ndër shekuj, është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe islam! Islami na mëson ta themi të vërtetën, dhe jo të ndërrojmë qëndrime sa herë që ndërrojnë pushtetet. Dhe ne po jua themi këtu të vërtetën, dhe po ju ftojmë të reflektoni!
Dijeni se Islami është bindje, dhe shamia është bindje po ashtu! Nuk blihet dhe nuk shitet me para. Nuk vihet me diktat, sepse nuk kryhet obligimi islam në detyrim, dhe nuk e kufizon mendjen e femrës! Përkundrazi, shamia e ruan, e avancon, e motivon dhe e integron femrën në të gjitha aspektet e jetës.
Apo, në qofsha gabim na e ndërro mendimin, kjo agjendë e kryeakademikut tonë na e paska edhe përkrahjen e Akademisë, si mbulesë ndaj dështimit të vazhdueshëm karshi rolit e misionit që duhet ta ketë Akademia?!
Ju lutem të reflektoni! Titujt tuaj sot i keni më të gjatë sesa emrin e mbiemrin, mirëpo dija që po reflektoni po tregon se jeni në nivel tepër të ulët, të mbushur me shpifje, gënjeshtra e nxitje për përçarje në një shoqëri që jeton prej shekujsh në tolerancë të mrekullueshme falë 95% të myslimanëve që ka.
Fundja, kjo konsiderohet fyerje edhe për nobelisten me origjinë shqiptare Nënë Terezën, sepse edhe ajo mbante shami në bazë të bindjes së saj fetare. Ju po e fyeni një shembull të një misionareje e humanisteje shqiptare me përkatësi katolike!
Dijeni se gjykimet e përfundimet tuaja janë të pabaza, hipotetike, fanatike e kryeneçe, prandaj mos lejoni që një injorancë e tillë të ju dominojë edhe ju, gjithë Akademinë! Ju duhet ta luani rolin e unifikimit në këtë shoqëri, dhe jo atë të përçarjes! Jo të nxitni përçarje e urrejtje, sepse ky popull vuajti shumë, dhe nuk e meriton shërbimin destruktiv e të dëmshëm që po e kultivoni ju!
Zoti i Madhëruar dëshmoi në Kuran edhe për ju. Aty, në Kuran, Zoti tha: “Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë. Ata vetëm hamendësojnë” (El Xhathije: 24).
Prof Adnan Simnica/Rtv Besa Kosovë