Nga Barbara Yoxon “The Conversation”
Një raport i fundit i shërbimit sekret të SHBA-së, zbuloi se Rusia po planifikon të blejë
nga Koreja e Veriut “miliona” armë të epokës sovjetike. Ndërkohë shërbimi britanik, ka konfirmuar se Rusia po përdor tashmë në Ukrainë dronët e prodhuar nga Irani.
Zbulimet pasojnë një seri kontaktesh diplomatike midis presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong-Un në kuadër të Ditës së Çlirimit të Koresë së Veriut më 15 gusht. Të dy udhëheqësit propozuan një bashkëpunim të ri strategjik dhe taktik, dhe e vunë theksin tek miqësia tradicionale midis dy vendeve.
Ajo vizitë ishte pjesë e një fushate të fundit të Putinit për të krijuar dhe forcuar aleancat me shtetet kryesore autoritare. Në vetëm pak ditë Putin është takuar me presidentin e Kinës Xi Jinping dhe atë të Iranit Ebrahim Raisi. Po ashtu Putin ka premtuar të dërgojë në Teheran një delegacion të madh tregtar.
Nga ana tjetër ai ka premtuar se do të bëjë gjithçka që ka në dorë për ta bërë Iranin një anëtar me të drejta të plota të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, një aleancë politike dhe e sigurisë që aktualisht përfshin Rusinë, Kinën, Uzbekistanin dhe Pakistanin.
Ndërsa Rusia po izolohet nga Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës, Kremlini po bëhet edhe më ekstremist në aspektin ideologjik, dhe po synon të përmirësojë bashkëpunimin e tij me regjimet e ngjashme me të, dhe sidomos me Korenë e Veriut dhe Iranin. Kjo aleancë, e cila ka të ngjarë të përfshijë Kinën, mund të përbëjë një kërcënim real për Perëndimin gjatë viteve të ardhshme.
Moska ka pasur një marrëdhënie të ngushtë diplomatike me Phenianin gjatë Luftës së Ftohtë, dhe Bashkimi Sovjetik ishte një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Koresë së Veriut. Por kjo marrëdhënie ndryshoi shumë në vitin 1991, kur u shemb Bashkimi Sovjetik. Duke mos qenë më një vend komunist, Rusia u përqendrua në krijimin e një marrëdhënieje pozitive me demokracitë perëndimore. Ajo i dha përparësi marrëdhënieve ekonomike mbi ato ideologjike, dhe u përpoq të zhvillonte lidhje më të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut.
Kjo qasje i dëmtoi marrëdhëniet e saj me Phenianin. Dhe Koreja e Veriut e zhvendosi vëmendjen e saj në zhvillimin e një marrëdhënieje më të ngushtë me Kinën. Kur Putin i ngjit në pushtet në vitin 2000, ai bëri përpjekje për të ripërtërirë marrëdhëniet diplomatike të Rusisë me Korenë e Veriut.
Madje Kim Jong-Il, babai i Kim Jong-Un, e vizitoi disa herë Rusinë. Por një marrëdhënie e afërt u pengua nga qasja shumë pragmatike e Rusisë në politikën e jashtme. Për të ruajtur marrëdhëniet miqësore me perëndimin, Kremlini vazhdoi që ta dënonte programin bërthamor të Phenianit.
Kjo e bëri të pamundur që të dyja shtetet të zhvillonin marrëdhënie diplomatike të ngushta. Izolimi ekonomik dhe politik i Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, ofroi një mundësi të re që të dyja regjimet të ripërtërijnë lidhjet e tyre. Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, Koreja e Veriut është bërë gjithnjë e më e varur nga Pekini. Shumica e tregtisë por edhe importi i energjisë vjen nga Kina.
E megjithatë, kjo marrëdhënie nuk është e imunizuar nga tensionet politike. Qëllimi kryesor i Kinës në Gadishullin Korean është të shmangë rënien e regjimit autokratik të Koresë së Veriut, dhe të parandalojë ribashkimin e saj me Korenë e Jugut.
Kjo do të ishte e papranueshme për Kinën, pasi ajo ka frikë se një Kore e bashkuar do të
sillte një përfshirje më të madhe të SHBA-së në rajon. Për rrjedhojë, Kina i ka bërë presion Phenianit që të bëhet më i moderuar, duke shpresuar që ta stabilizojë regjimin.
Marrëdhënia e tensionuar midis Pekinit dhe Phenianit, është një arsye pse Kim Jong-Un ka
të ngjarë ta shfrytëzojë mundësinë për t’u afruar më shumë me Moskën, dhe për t’u bërë më i pavarur nga Pekini. Një arsye tjetër, është se një marrëdhënie më e ngushtë me Rusinë mund të sjellë subvencionim të energjisë dhe rritje të bashkëpunimit teknologjik, shkencor dhe tregtar.
Disa analistë thonë se kthesa e Rusisë drejt Koresë së Veriut është një shenjë pozitive. Ata pretendojnë se lutja e Mokës ndaj Phenianit për armë, nënkupton se sanksionet ushtarake dhe ekonomike kundër Kremlinit janë duke funksionuar. Në pamundësi për të blerë armë nga vendet e tjera, Vladimir Putin po i drejtohet Koresë së Veriut dhe Iranit, artileria e të cilëve besohet gjerësisht se është e pasaktë dhe e pabesueshme.
Ndërsa kjo është e vërtetë, një marrëdhënie më e ngushtë midis autokracive më të rrezikshme sot në botë, duhet të jetë një paralajmërim shqetësues për Perëndimin. Teksa interesi i shtuar i Rusisë ndaj Koresë së Veriut dhe Iranit, mund të jetë i diktuar nga interesi vetjak, ai sinjalizon gjithashtu se Moska nuk është më e shqetësuar për ruajtjen e marrëdhënieve diplomatike me Perëndimin, dhe se mund të jetë duke e pozicionuar Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait si një rivale të NATO-s.
Ky bllok autokratësh do të përfshijë me siguri edhe Kinën, marrëdhëniet e së cilës me Rusinë janë forcuar që nga pushtimi i Ukrainës. Dhe ka disa shenja se strategjia e Putinit po funksionon. Në qershor, Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një rezolute të OKB-së për të vendosur sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut si rezultat i aktiviteteve të saj bërthamore.
Ky ishte një veprim i paprecedentë nga 2 anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilët i kanë dënuar më herët aktivitetet e Koresë së Veriut. Ai sinjalizon një përpjekje të re për t’iu kundërvënë ndikimit global të SHBA-së dhe aleatëve të saj, të cilët shihen edhe një herë si armiq dhe jo si partnerë.
Për të kundërshtuar një aleancë në forcim e sipër të regjimeve autoritare, hapi i parë për Perëndimin është të pranojë se kjo nuk është domosdoshmërisht një shenjë e dobësisë ruse, dhe të mos përjashtojë bisedimet me Kremlinin.
Ndërsa angazhimi diplomatik me këto shtete mund të bëhet gjithnjë e më i vështirë, angazhimi mbetet gjithsesi më i preferueshëm se një politikë izolacioniste, e cila rrezikon
të inkurajojë më tej bashkëpunimin midis autokracive.
Perëndimi duhet të mbetet i fortë në mbrojtje të vlerave demokratike, dhe të pozicionohet si një partner i domosdoshëm ekonomik dhe strategjik i regjimeve autokratike, në të kundërt rrezikon që t’i largojë nga vetja dhe t’i hedhë në krahët e Rusisë dhe Kinës.
360grade.al