Nga Shpëtim Luku
“Po deshe të bëhesh propogandist merru me marrëdhënie publike, me qeveri ose me politikë. Luajaliteti i gazetarit nuk duhet ti takojë askujt dhe asgjëje tjetër, asnjë partie politike, burimi , interesi komercial ose jokomercial apo kauze të veçantë sado të vlefshme të jenë ato”.
Kështu thonë manualet e gazetarisë për profesionin. Por çfarë ndodh në realitetin mediatik shqiptar? Persona të ndryshëm e braktisin gazetarinë për ty kthyer në punonjës të propagandës së një partie politike të caktuar. Deri këtu në rregull, ata po veprojnë ndershëm.
Por më pas, kur për arsye të ndryshme nuk iu ecin punët siç duhet, si kanë parashikuar apo kanë kalkuluar e qëllimet që kanë nuk iu realizohen, kthehen me lehtësinë më të madhe sërish në media. Duke anashkaluar faktin se besueshmëria dhe integriteti i tyre profesional tashmë është ekspozuar në nivele krejt të ulëta.
Por ska pse të na habisë lehtësia e rikthimit të tyre në media, pasi edhe vetë ajo është shndërruar në masën më të madhe të saj institucion propagande.
Nga ana tjetër, gazetarë të ndryshëm, nga halli apo nga qejfi nuk e kanë fare problem të vendosin hipotekën e tyre morale dhe profesionale në dispozicion të punëdhënësit të tyre problematik, duke treguar kështu që luajaliteti i gazetarit vetëm me interesat e publikut ska asnjë lidhje.
Dhe kur kujton pastaj rregullin që zbaton Washington Post për gazetarët e tyre, të cilët i ndalon të marrin pjesë në aktivitete politike apo në demonstrata, atëhere kupton edhe më mirë pse në Shqipëri kemi shumë propogandues e pak gazetarë.
Gazetaria është një profesion i vështirë, për të cilin pikësëpari duhen disa cilësi e vlera të veçanta njerëzore për ta ushtruar si duhet.