Nga Dr. Enriko Ceko
Siguria kompjuterike, siguria kibernetike ose siguria e teknologjisë së informacionit (siguria e IT-së) është mbrojtja e sistemeve kompjuterike dhe rrjetave nga vjedhja ose dëmtimi i pajisjeve, programeve kompjuterike ose të dhënave elektronike, si dhe nga prishja ose keqpërdorimi i shërbimeve që ato sigurojnë.
Fusha është duke u bërë akoma dhe më e rëndësishme për shkak të rritjes në përdorim të sistemeve kompjuterike, Internetit dhe standardeve të rrjetit wireless si Bluetooth dhe Wi-Fi, dhe për shkak të rritjes së pajisjeve “inteligjente”, përfshirë këtu telefonat inteligjentë, televizorët dhe pajisjet e ndryshme që përbëjnë “Internet of things”. Për shkak të kompleksitetit të tij, si në aspektin e politikës, ashtu edhe në atë të teknologjisë, siguria kibernetike është gjithashtu një nga sfidat kryesore të botës bashkëkohore. Cënueshmëria është një dobësi në hartimin, zbatimin, funksionimin ose kontrollin e brendshëm.
Sipas informacionit që disponohet, ekspertet e Microsoft kanë deklaruar se ka patur ndërhyrje në e-Albania, duke filluar nga muaji Maj 2021.
Ataku kulmoi në 19 korrik ku synimi ishte AKSH dhe 9 shtator ku synimi ishin pajisjet dhe sistemet e MB.
Nga ana praktike, një profil në dy rrjete sociale ka marrë informacion, ka hapur faqe internet me anë të së cilës shpërndan informacionin e përftuar me anë të hakerimit.
Sipas Prokurorisë së Rrethit Tiranë, kemi të bëjmë me veprën penale të cilësuar si: “përgjim i paligjshëm të të dhënave kompiuterike”, që kanë sjellë (1) cënim të sigurisë kombëtare, (2) cënim të rëndë të veprimtarisë së institucioneve dhe (3) cënim të integritetit individual dhe aspekteve të jetës individuale
Neni 293, pika a, b, c. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë përcakton:
a – Përgjimi i paligjshëm me mjete teknike i transmetimeve jopublike, i të dhënave kompjuterike nga/ose brenda një sistemi kompjuterik, përfshirë emetimet elektromagnetike nga një sistem kompjuterik, që mbart të dhëna të tilla kompjuterike, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
Kur kjo vepër kryhet nga/ose brenda sistemeve kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
b- Dëmtimi, shtrembërimi, ndryshimi, fshirja apo suprimimi i paautorizuar i të dhënave kompjuterike dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Kur kjo vepër kryhet në të dhënat kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo të dhënë tjetër kompjuterike, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Në rastet kur veprimet e parashikuara në paragrafin e parë janë kryer nga një i mitur, ndaj tij do të zbatohen dispozitat e Kodit të Drejtësisë për të Mitur.
c- Krijimi i pengesave serioze dhe të paautorizuara për të cenuar funksionimin e një sistemi kompjuterik, nëpërmjet futjes, dëmtimit, shtrembërimit, ndryshimit, fshirjes apo suprimimit të të dhënave, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
Kur kjo vepër kryhet në sistemet kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Në rastet kur veprimet e parashikuara në paragrafin e parë janë kryer nga një i mitur, ndaj tij do të zbatohen dispozitat e Kodit të Drejtësisë për të Mitur.
Pra, në rastin më ekstrem, dënimi është 15 vite.
Duket se ka një mospërputhje midis dënimit maksimal për këtë vepër penale, dëmit të shkaktuar dhe masës ekstreme të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Iranit.
Dënimi maksimal për këtë vepër penale është e dukshme që është mjaft i ulët krahasuar me dëmin e shkaktuar nga sulmet kibernetike ndaj sistemeve dhe pajisjeve të shtetit shqiptar, që sollën dëmtim të funksionimit të shtetit dhe shërbimeve të ofruara prej tij, dëmtim të imazhit të vendit dhe të shtetit shqiptar, dëmtim të rrjedhës normale të jetës së qytetarëve shqiptarë dhe të huaj që lidhen me sistemin e ofrimit të shërbimeve shqiptare on-line, përftim me anë të hakerimit të informacioneve sensitive që lidhen ngushtë dhe fort me sigurinë kombëtare të Shqipërisë, proces domino në jetën politike, juridike, ushtarake, ekonomike dhe sociale në Shqipëri dhe më tej, etj. Ndëprerja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Iranit për këtë çështje është një masë mjaft minimale.
Koha për shqyrtim serioz të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, shtesë në Nenin 293, referuar ngjarjeve që lidhen me të, shqyrtuar nën prizmin e sulmeve kibernetike që vijnë nga burime jashtë vendit dhe dëmit që kanë sjellë ato.
Koha për investim në sistemet dhe pajisjet e administratës publike shqiptare dhe trainim të saj në lidhje me sigurinë kibernetike.
Koha për një rishqyrtim të kujdesëshëm dhe serioz të partneriteve ndërkombëtare dhe marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me pjesën tjetër të botës.