Home Gjeo-Ekonomia Një rrogë apo një sistem njohurish që mungon?

Një rrogë apo një sistem njohurish që mungon?

Nga Irena Beqiraj

Në vitin 2020, u kërkova disa nga ish-kolegëve pedagogë të krijonim një Blog me shkrime për publikun e gjerë mbi politikat zhvillimore ekonomike që duhet të ndjekë Shqipëria.

Asnjë nuk ju bashkua nismës. Disa sepse nuk kishte pagesë (unë shkruaj pa pagesë), disa sepse e quanin humbje kohe dhe të tjerë nuk donin të kritikonin qeverinë. Në fakt sot e kam të vështirë të gjej të paktën 5 pedagogë të Universitetit Shtetëror, që kontribojnë në debatin ekonomik dhe zhvillimor shqiptar. Eshtë trishtuese që njerëzit me njohuritë më të mira i mungojnë debatit publik. Por, përtej apatisë për të marrë pjesë aktive në debatin publik të kësaj elite të pazëvendësueshme nga asnjë qeveri sado e mençur të jetë ajo, ka dy problem thelbërsore që duhet trajtuar me po të njëjtin seriozitet si rritja e pagave.

Shqipëria renditet në vendit 119-të në botë dhe e fundit në rajon në komponentin e “produktit të dijes dhe teknologjisë”, pra me performacën më të ulët në krijimin, impaktin dhe shpërndarjen e dijes. Po ashtu Shqipëria renditet në vendin e 95-të në botë dhe e fundit në rajon, në komponentin e kapitalit njerëzor dhe kërkim zhvillimit, komponent ky që përfshin, arsimin parauniversitar, arsimin universitar, si dhe kërkim zhvillimin.

Ka vite që Shqipëria renditet e fundit në matjen e këtyre parametrave, gjë që tregon që dobia shtesë e njohurive që krijohen dhe shpërndahet në Shqipëri është ulur, dija nuk ka impakt tek zhvillimi, dhe mesa duket pa ndyshime thelbësore do të vazhdojë të jetë kështu.

Ndërsa Europa harxhon 2% të GDP në Kërkim Zhvillim ku 2/3 -ta e këtyre shpenzimeve financohen nga biznesi, duhet të themi që në Shqipëri nuk ka kërkim zhvillim edhe as inovacion.
Financimi nga qerveria është rreth 0.3% e PBB ndërsa nga biznesi është thuajse 0.

Pyetja që shpesh i bëj vetes është – nëse ndonjë sot do të më lihej dorë e lirë në hartimin e buxhetit të shtetit a do ta çoja financimin nga buxheti të kërkim zhvillimit 2% e PBB-së? Kam frikë se me çfarë është në gjendje të prodhojë arsimi i larte përgjigja është JO !

Ka një hadikap që padyshim pedagogët e arsimit të lartë, e njohin. Njohuritë shkencore pavarësisht se nga vijnë apo se ku janë prodhuar, mbetet të papërdorura, të varrosuara apo magazinuara brenda kullës së fildishtë, të akademisë. Sistemi linear i shkencës i cili presupezohet të lidhë shkencën me ekonominë edhe zhvillimin shoqëror nuk funksionon, sepse sektorit të shkencës i mungon pikërisht aftësia për të identifikuar nevojat e sektorit privat. Gjetjet empirike sugjerojnë që modeli linear i cili konsideron njohuritë shkencore si imputin më të rëndësishëm për inovacion edhe zhvillim në vende si i yni, ku nuk ekzistojnë eco -sistemet e shpërndarjes dhe krijimit të njohurive të reja nuk mundësojnë transferimin e njohurive të nevojshme në ekonomi. Lipset një lidhje direkte e shkencës me politikbërjen, me biznesin, edhe me gjithë aktorët e tjerë ekonomik. Njohuritë që u duhen sot sektorëve të ekonomisë shqiptare nuk mund të gjenerohen thjesht nga njohuritë shkencore që shpërndahen në auditore. Thënë këtë, thjesht “cilësia në letra “e arsimit tonë të lartë , nuk gjeneron përfitime të prekshme ekonomike, as në afat të shkurtër e as në afat të gjatë.

Sikurse kanë bërë vendet sot, vendet që me të drejtë i referohen pedgogët ku 2/3-ta e kërkim zhvillimit financohet nga biznesi edhe donatorët, duhet të gjejmë mekanizmat e përshtatshëm për kushtet tona të cilat përkthejnë nevojat e ekonomisë në njohuri shkencore. Pedagogët duhet të flasin më shumë për këto mekanizma, për identifikimin e tyre pasi këto janë burime të qënësishme të financimit të universiteteve.

Një handikap tjetër që vuan sistemi ynë i arsimit të lartë është masiviteti i tij në të gjitha nivelet. Në qershor të këtij viti, vetëm më Fakultetit e Ekonomisë u miratuan 119 doktoratura, madje drejtuesi më jetëgjatë i këtij institucioni, që ja kalon për nga jetëgjatësia në drejtim edhe kryetarëve të partive tha -“që Oxfordin e kemi kaluar, ndërkohë do të kalojmë Harvardin”.

Për kuriozitetin tuaj Universiteti i Oxfordit, të cilit ja paskërkemi kaluar, ka një fond financues 6.1 miliard Paund edhe buxheti i një viti shkon më shumë se 2.14 miliard Paund.

Harvardi drejt të cilit po marshon Fakulteti i Ekonomisë e ka fondin financues 54 miliard dollarë.

Çuditërisht asnjë nga trupa akademike e Fakultetit Ekonomik nuk argumentoi apo nuk kundështoi se për çfarë Shqipërisë me 2.8 milion banorë, që nuk prodhon asnjë njohuri shkencore të aplikueshme në ekonomi, i duhen 119 doktorë në ekonomi, kur edhe univeristetet me të financuara që operojnë në vende me eko-sisteme të ngritura për të prodhuar shkencë nuk pranojnë më shumë se 30 doktorantë në vit duke përfshirë dhe studentët ndërkombëtarë?

Fatkëqësisht ky masivitet, i cili në mungësë mbi të gjitha të eco-sistemeve për të prodhuar shkencë, dhe në mungesë të fondeve të mjaftueshme do ti detyrojë këta të rinj doktorantë, që mund të jenë dhe të talentuar, të bien preh e mediokritetit, duke berë doktoratura plagjiaturë, artikuj plagjiaturë, libra plagjiaturë. Por më e keqja është se mirëqenien e tyre afatgjatë qoftë ekonomike apo profesionale do ta varësojnë, tërësisht nga vendimet e qeverive dhe të kryeminsitrave.

Me këto rreshta nuk jam kundër rritjes se rrogës. Edhe vetëm po të marrin në konsideratë faktin që pedagogët janë pjesa që i kanë kushtuar një kohë të arsimimit (edhe pse kjo nuk do të thotë që të gjithë janë të mirë arsimuar) ata e mertitojnë një rrogë më të lartë.

Por mendoj që në të njëjtën kohë bashkë me kërkesën për rritjen e rrogës është në të mirën e tyre, në të mirë të sektorit ku kanë vendosur të investojnë të kërkojnë edhe të kontribojnë në ngritjen sistemeve të shpërndarjes së dijes, të propozojnë mënyrat më të mira të organizimt të tyre. Ato duhet të imponojnë politikat efikase për të forcuar ndërlidhjen e universiteteve me sektorin privat duke rritur financimin e kërkim zhvillimit nga bizneset, duke plotësuar kështu edhe kërkesat e këtyre të fundit.

Por së paku le të fillojnë të jenë qytetarë të angazhuar duke marrë pjesë aktive në debatin publik konstruktiv. Për ndryshe çdo kualifikim, njohuri apo zotësi, do të mbetet brenda kullës së mbyllur të akademisë pa sjellë përfitime shtesë ekonomike. Mungesa e impaktit te dijes që krijohet edhe shpërndahet, ushqyen dyshimin që çdo lek i harxhuar në sistemin aktual të arsimit të lartë i cili ka pushuar së prodhuari përfitime shtesë është një lek i çuar dëm.

Share: