Nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas një pune intensive shënon një moment historik të marrëdhënieve të dy vendeve me Bashkimin Europian. Kështu thuhet në progres-raportin e KE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas Radio Evropa e Lirë.
Për Shqipërinë vlerësohet progresi në forcimin e strukturave për integrim në BE, por kërkohet që në këtë drejtim të ketë më shumë bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile: “Konflikti i madh i brendshëm me partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike (PD,) ka ndikuar në jetën parlamentare në Shqipëri”-thuhet në raport.
Komisioni pranon se Shqipëria ka vijuar luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe si shembull përmenden dënimet e disa ish-zyrtarëve.
Shqipërisë i kërkohet të bëjë më shumë në parandalimin e pastrimit të parave. Një çështje që Komisioni Evropian kërkon në mënyrë të veçantë në Shqipëri është angazhimi për të penguar emigrimin ilegal, sidomos të të miturve./Opinion.al