Home KRYESORE Shpirti po ftoh botën

Shpirti po ftoh botën

Nga Aleksandër Çipa

Shpirti njerëzor po zhvishet përditë,
Për-orë po ftohet si akull në Pol,
I humbi ndjeshmëritë dhe fjalët e ngrohta,
I struku , s’e di ku, gjithë dashuritë…

Shpirti njerëzor ka mbetur pa dritë,
Pa hijet e duhura të rendit për dashje,
Përreth shumoi si aluvionet një lumë,
Dëshirat e ndotura dhe kurvëritë.

Shpirti njerëzor po harron të qajë,
Prej dhimbjesh u kthye në shpirt-Sahara.
U thanë, u bënë rërë, gjithë ndjesitë,
Dhe njerëz që në trup t’i mbajë, më s’ka.

Shpirti njerëzor sot po e than Botën,
Me humbjen e tij në kohën pa emër.
E parashkruar paska qenë patjetër,
Gjersa providenca na bëri të përkohshëm.

Tiranë 21 Tetor 2022

Share: