Nga Lutfi Dervishi
Shqipëria ishte jo vetëm e fundit në reagimin e saj për tensionimin e situatës në veri të Kosovës, por edhe më zhgënjyesja.
Nga ajo çfarë u bë publike nga telefonata e Presidentit të Shqipërisë me Presidenten e Kosovës dhe nga deklarata e ministrisë së Punëve të Jashtme, mësohet se “Shqpëria ka shprehur shqetësimin për situatën dhe kërkon dialog”
Me këtë formulë: “shpreh shqetësim dhe kërkon dialog si rrugëzgjidhje’ mund të shprehesh për çdo konflikt që ndodh sot në botë që nga Sri Lanka e deri në Jemen!
Madje edhe nëse bllokohet funksionimi i rrjeteve sociale mund të shprehësh shqetësim dhe të kërkosh zgjidhje sa më të shpejtë….
Edhe Beogradi zyrtar po të pyetej do të shprehte shqetësimin e thellë dhe do të kërkonte zgjidhje me dialog për situatën.
Ngjarjet në Veri të Kosovës nuk janë rrufe në qiell të pastër. Kanë autorë konkretë, kanë përgjegjës konkretë, kanë ideatorë dhe janë në funksion të një plani të mirëmenduar. Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë sot për të shprehur shqetësim Shqipëria dhe as për t’i treguar se çështjet zgjidhen me dialog. Meqë ra fjala.. Dialog për çfarë? Dhe Dialog me kë?
Edhe në reagimin e fundit të kryeministrit Rama kërkohet: “vetëpërmbajtje dhe dialog”.
Shqipëria nuk mund të fshihet pas qëndrimit të aleatëve dhe aq më tepër të flasë si Papa, për “paqe dhe dialog” sepse e ka detyrim kushtetues, ndër të tjera, mbrojtjen e interesave të Kosovës.
A mos vallë në Tiranë mendojnë se çështja e targave të kohës së Millosheviqit është problemi që duhet zgjidhur apo çështja që duhet shtyrë për më vonë? A mos vallë mendojnë se kemi të bëjmë me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë? A mos vallë çështja ka mbetur te asosacioni i komunave me shumicë serbe? (dhe këtu është koha për t’i kujtuar aleatëve se nëse e konsiderojnë Bosnjën dështim, nuk mund të kenë sukses me një Bosnjë të dytë në Kosovë”.
Si shpjegohet që ka një ngurrim për t’i vënë emrin që ka aksionit për destabilizimin e Kosovës? Asgjë në Veri nuk ndodh pa pëlqimin/miratimin e Beogradit.
Sot ambasada e Rusisë në Maqedoninë e Veriut ka shpërndarë postimin: “Kosova është Serbi dhe Krimea është Rusi”.
Kemi muaj të tërë që flasim për luftën në Ukrainë, dhjetëra herë kemi dëgjuar dhe mijëra herë të tjera do të dëgjojmë (deri ditën e zgjedhjeve) dokrrat me rublat ruse në politikën shqiptare. Po kur vjen puna për të vënë gishtin në plagë – marrim qëndrim që të kujton politikën zyrtare të Tiranës në vitet 70 që fliste për vëllezërit kinezë dhe miqtë kosovarë?!
A është interesi i Rusisë për të destabilizuar Ballkanin? A po vepron Beogradi si bedel i Putinit? A është koha për të folur apo duhet heshtur se “duhet mirëkuptuar Serbia”? Apo kemi halllin: ne oçavaj Vuçiçu! (se mos na mërzitet Vuçiqi).
Si mund të aspirojmë për Ballkan të Hapur, kur për një palë targa (të kohës së Millosheviqit) mund të shpërthejë lufta?!
Në Ballkanin e Hapur jemi me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, por nuk mundet që për hir të Ballkanit të Hapur të mbyllim gojën dhe të flasim në atë mënyrë që të kujton shprehjen shkodrane “m’ka ç’u nana me la gojën”.