Home Gjeo-Ekonomia Dita e Përkujtimit dhe e Reflektimit Nacional

Dita e Përkujtimit dhe e Reflektimit Nacional

Nga Romeo Gurakuqi

Shtetit Shqiptar të Tranzicionit, nuk i kanë mjaftuar 31 vite për të kryer përkufizimet dhe përcaktimin e kuptimeve të datave historike. Qeveritaret e tranzicionit nuk kanë arritur të udhëzojnë me largpamësi zgjidhjen e kundërshtive, mbi qendrime të arsyeshme përbashkuese të krahëve politikë në të mirë të reflektimit të kombit mbi të kaluarën, ashtu sikurse nuk kanë financuar me kohë studiuesit per rishkrimin e historisë moderne dhe bashkekohore të Shqipnisë

Sot jemi me 29 nëntor 2022 dhe sikurse është bërë traditë në këtë shoqëri ende të paemancipuar, politika ndahet dhe mbas saj edhe qytetarët me sy nga ata.

Më së shumti këtë ne e ndjejmë këtu në Shkodër.

Shoqëria shqiptare ka nevojë për një përkufizim qytetar të datave simbolike festive dhe përkujtimore, pa cënuar ndjesitë personale të shtetasve me përkatësi të ndryshme politike, me prejardhje pozicionesh familjare të paracaktuara nga e kaluemja dhe duke i ftuar para së gjithash ata për reflektim dhe nderim.

Pyetjet e veshtira që shtrohen për një përgjegje zgjidhëse para udhëheqësve të pastabilizuar dhe emocionalë të Shqipërisë, sipas mendimit tim, janë këto:

A duhet të respektohet dhe nderohet përpjekja e rinisë antifashiste, partizanëve dhe nacionalistëve pro Aleatë për liri kundër nazi-fashizmit?

A duhet të përkujtohet largimi i trupave të Werhmacht-it dhe Policisë së Fshehtë të Hitlerit nga territori i Shqipërisë definivisht nga data 29 nëntor deri me 4 dhjetor 1944?

A mund të vazhdohet më duke etiketuar si kolaboracionistë në bllok të gjithë kundërshtarët politikë të Enver Hoxhës, ndaj të cilëve ai, nga nëntori 1943 deri në shtatorin e vitit 1946, ndërmori një Luftë Civile të padallimtë dhe vëllavrasëse?

A do të vazhdohet edhe më tutje të fyhen familjet e dhjetra e qindra viktimave të pafajshme të terrorit të kuq të urdhëruar nga Diktatori, që filloi masivisht në Shqipërinë e Brendshme Veriore pas 28 qershorit 1944, në Tiranë dhe Durrës pas 17 nëntorit 1944, në Shkodër me 29 nëntor 1944, në Kelmend dhe Dukagjin nga Janari i vitit 1945, në Hot, Grude, Kosovë, Dibër Tetovë pas shkurtit 1945 me bashkëpunimin e repartve të UNÇJ dhe UNÇSH?

A mund të vazhdohet të heshtet edhe më tutje nga e majta shqiptare për shkatërrimin e Elitës Kombëtare të Rilindjes, Pavarësisë dhe Shtetformimit!? për Goditjen Finale të Diktatorit ndaj Kishës Katolike dhe komunitetit katolik në bllok? Për Prishjen me Perëndimin dhe vendosjen e Shqipërisë në Bllokun e Shteteve të Robëruara pas Luftës së Dytë Botërore? Për ndërtimin e një shteti diktatorial me udhëheqësi njekrahinore, përjashtuese të komuniteteve përbërëse të Shqipërisë së Veriut për 46 vite nga udhëheqësia?

Secila prej këtyre pyetjeve dhe të tjera që mund t’i bashkangjiten, kanë përgjegje të qarta, logjike dhe të kuptueshme, në qoftë se arsyetohet me zemër të hapur dhe me gjykim të ftohtë, duke reflektuar mbi parimet e lirisë kombëtare, unitetit kombetar, antifashizmit, demokracisë, perëndimizimit, dënimit të terrorit të zi dhe të kuq, njëkohësisht.

Shoqëria jonë sot ka nevojë që të nderojë deshmorët liridashës pa fyer askënd që ra theror i tejkalimit vëllavrasës të misionit çlirimtar; të heshtë si shenjë pendese për gabimet kriminale të udhëheqësve dhe uzurpatorëve të lirisë, që në vend të saj, me 29 nëntor 1944 vranë dhjetra qytetarë të pafajshëm të Shkodrës.

Pikërisht për sa më sipër, do të kishte qenë e arsyeshme që 29 nëntori të përkufizohej dhe të përkujtohej ne heshtje ceremoniale si Dita e Përkujtimit dhe e Reflektimit Nacional.

Asht e mira pra, që me 29 nëntor të nderojmë çdo vit me Një Minutë Heshtje Nacionale, Dëshmorët e Kombit që ranë në Luftën Antifashiste, të Rënët e Luftës Civile, Viktimat e Terrorit të Kuq që shpërtheu pa dallim menjeherë së bashku me ardhjen e kësaj dite të largimit të trupave okupatore.

Kjo është një mënyrë për të përkujtuar të rënët, reflektuar mbi të djeshmen dhe dënuar në mënyrë të civilizuar tejkalimet vëllavrasëse, si dhe bashkuar brezat e sotëm në mënyrë të vetëdijshme për të kaluemen e Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë

(Shenim: Fotot e meposhtme jane bere ne Shkoder nga dy oficerë britanikë menjehere pas clirimit te frikshem te vendit. Tony Andrew dhe James Duncan hynë në qytet pavarësisht përpjekjeve dhe presionit të ushtruar nga partizanët për të mos i lejuar ata. Dy urat jane te shkaterruara nga gjermanet ne oret e fundit te tyre ne qytet ne te gdhire te 29 nentorit 1944. Ndersa dy fotot e tjera tregojne takimet e Duncan me qytetaret e Shkodres. Kerkesa e tyre ka qene nje e vetme:
“Ne nuk mund të vazhdojmë më kështu me kete dhune dhe terror te padallimte partizane ndaj nesh! Pse britanikët nuk vijnë këtu?”

Share: