Reflektim gjysmëpolitik nga Gjergj Meta
Po marr vetëm një shembull. Qarkullojnë në internet më shumë se një video, ku Kryeministri italian Giorgia Meloni akuzon, me fakte sipas saj, Francën për shfrytëzimin e vendeve afrikane sot e kësaj dite. M’u duk diçka e guximshme dhe e domosdoshme me një perceptim të parë.
Por u ndala pak dhe reflektova. Deklarata e Meloni-it vinte menjëherë pa fjalëve të rënda që Presidenti Francez ka thënë për Italinë, në lidhje me politikat për emigracionin, që sipas tij është “e papërgjegjshme, cinike dhe e pështirë (vomitevole)”.
Ka një të vërtetë: Italia ka mbajtur një barrë të rëndë të emigracionit në Evropë qysh me rënien e murit të Berlinit. Ne shqiptarët e dimë mirë se si na ka pritur Italia dhe si na ka integruar. Por, edhe pse KM Meloni mund të ketë thënë disa të vërteta, ajo i ka thënë në një kontekst reagues dhe kundërsulmues dhe vetëm në momentin që dikush ka sharë vendin e saj, ndoshta edhe me pa të drejtë.
Jo vetëm mënyra e reagimit të Melonit, por edhe fjalët e pavend të presidentit francez, sikurse edhe retorikat që vijnë edhe nga vende të tjera në të cilat është përfshirë edhe Shqipëria këto ditët e fundit, tregojnë se po fryjnë erëra jo fort të mira mbi Evropë.
Këto retorika nuk i shkojnë Evropës, shpirtit të saj dhe asaj çka ajo dëshiron të jetë. Retorika denigruese, sharëse, fyese, përçmuese, bullizuese, raciste, ksenofobike, përjashtuese, linçuese nuk janë dhe nuk mund të jenë pjesë e ëndrrës evropiane.
Mandej kryeministri Meloni është pak e vonuar. Kisha katolike ka dekada e dekada që denoncon fenomenet e shfrytëzimit në Afrikë. Mjafton të lexoni “Populorum progressio” të Palit VI (mars 1967), por edhe ndërhyrje të mëvonshme të Papëve apo misionarëve e misionareve që punojnë e jetojnë në Afrikë.
Përdorimi i akuzave, edhe kur janë të vërteta, vetëm atëherë kur sulmohemi do të thotë se më parë e kemi heshtur të vërtetën. Ne e dimë mirë edhe këtu në Shqipëri se si shumë të vërteta heshten apo ruhen që të përdoren më vonë për sulm ndaj kundërshtarit të radhës.
Kjo nuk është Evropë, ky nuk është shpirt evropian! Së paku jo ai i etërve themelues të kësaj ëndrre. Do të doja që kjo ëndërr të vazhdonte dhe të tregonte një Evropë sa më gjithëpërfshirëse dhe dialoguese, në vend të një Evrope ku gjithsekush shikon vetëm brenda gardhit të vet.