Shqipëria del e mposhtur nga miqësorja e luksit në Air Albania teksa sfida me Italinë përfundoi me rezultatin 1-3.
Megjithatë, duhet përmendur se ishte një sfidë të cilën kuqezinjtë e përballuan me dinjitet ndërsa në disa raste iu mungoi edhe fati me Roshin apo Bajramin që u ndalën nga tranversa. Nga ana tjetër, axurrët na ndëshkuan në momentet më të mira duke nxjerrë në pah se jo më kot janë Kampionët e Europës në fuqi. Sa i takon ndeshjes, minutat e pjesës së parë panë Brojën protagonist teksa sulmuesi kuqezinjve detyroi Bastonin të shkaktonte faull. Pikërisht. Këtë goditje dënimi e shfrytëzuan në maksimum lojtarët shqiptarë teksa në minutën e 16-të me kokë shënoi Ardian Ismajli.
Stadiumi në festë, por që për fat të keq atmosfera elektrizuese zgjati pak pasi miqtë barazuan me anë të Di Lorenzos në minutën e 20-të. Në të 25-tën, katër herë Kampionët e Botës kaluan në avantazh me anë të Grifos që mposhti Berishën. Fundi i pjesës së parë, solli një dëmtim të rëndë për Tonalin e Milanit që u përplas keq në fushë dhe u largua me barelë, ndërsa në limite, Zaniolo u ndal nga shtylla.
Në pjesën e dytë, sërish Broja protagonist që kalon disa nga lojtarët italianë, por në fund ndalet nga Verrati. Në të 48-tën, Kumbulla i afrohet golit por goditja me kokë e mbrojtësit ndalet nga portieri Meret. Janë minuta të nxehta në Air Albania teksa Uzuni ndalet nga tranversa, ashtu si edhe Grifo nga krahu tjetër. Ndërkaq, në të 60-tën, Bare përplaset me Verratin me mesfushorin kuqezi që i tregon “muskujt” lojtarit të PSG.
Dy minuta më pas, Bajrami ndalet nga transversa ndërsa në vijimin e aksionit, Bonuçi shpëton në vijën fatale goditjen e Lenjanit. Ndërkohë, në të 63-tën vërtetohet ligji i pashkruar i futbollit me Grifon që ndëshkon sërish Berishën dhe i dhuron golin e tretë axurrëve. Në vijim, Shqipëria pati mundësi me anë të Roshit dhe Skukës që provoi një goditje spektakolare por që në fund u ndalën nga Meret. Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe në Air Albani, Italia triumfoi përballë Shqipërisë.
Kronika e ndeshjes:
90+4′ Mbyllet miqësorja në Air Albania, Shqipëria mposhtet me rezultatin 1-3
88′ Skuka i sapofutur në lojë tenton golin me një goditje spektakolare, për fat të keq Meret është në pozicion dhe ndal topin
76′ Mundësi e artë për Shqipërinë, por nuk shfrytëzohet nga Roshi që godet portën dhe ndalet nga Meret ndërsa mund të pasonte për Uzunin që ishte i vetëm në zonë
63′ Gooool! Na ndëshkon sërish Italia, edhe njëherë tjetër Grifo ai që feston
62′ I pafat Bajrami, goditja e mesfushorit ndalet nga tranversa ndërsa në vijimin e aksionit, Bonucci shpëton një gol të sigurt në vijën fatale pas gjuajtjes së Lenjanit
60′ Nxehen gjakrat në Air Albania, Bare kapet me Verratin
54′ Sërish Shqipëria që rrezikon, këtë herë me Roshin goditja e të cilit ndalet nga Meret
50′ Rast i shkëlqyer për të barazuar, por goditja e Uzunit ndalet nga tranversa
48′ Kumbulla pranë golit, ndalet nga Meret
47′ Broja merr zvarrë mbrojtjen e Italisë, por në fund ndalet nga Verrati ndërsa pretendon për faull
45+2′ Italia pranë golit të tretë, Zaniolo ndalet nga shtylla. Berisha dhe kuqezinjtë me fat
43’ – Dëmtohet rëndë Sandro Tonali. Mesfushori i Milanit bie keq pas një dyluftimi me Baren në mesfushë dhe largohet me ndihmën e barelës. Mancini e zëvendëson me Riccin.
25′ Gooool! Italia përmbys rezultatin, Raspadori pason për Grifon që në një pozicion të favorshëm mposht Berishën
24′ Zaniolo i afrohet golit të dytë, por parabola e sulmuesit të Romës për fatin e kuqezinjve përfundon jashtë
20′ Goooool! Rikthehet baraspesha në Air Albania, Italia na ndëshkon me Di Lorenzon që nuk fal nga fare pranë portës
16’ – Gooooool. Ardian Ismajli ndëshkon Italinë. Pas një goditjeje dënimi, Bajrami hedh krosimin në zonë, aty ku Ismajli kërcen saktë dhe dërgon topin në trekëndësh. Një gol i gatuar dhe finalizuar nga dy lojtarë që luajnë te Empoli, ndez festën kuqezi në “Air Albania”…
15’ – Broja shpërthen bukur në krah dhe e detyron Bastonin ta mbajë nga fanella. E vetmja mënyrë për të ndalur numrin 9 kuqezi, që shtë dukshëm më i shpejtë se mbrojtësi i Interit.
12′ Grifo depërton në zonën e kuqezinjve, Raspadori godet por ndalet nga Berisha ndërsa më pas Zaniolo gabon shënjestër
6′ DiMarco gabon pasimin, niset Broja, që në fund fiton një goditje këndi pas devijimit të Bastonit
Edi Reja ka zgjedhur titullarët e miqësores që Shqipëria luan sonte përballë Italisë në “Air Albania” (SuperSport 2). Trajneri italian i beson portën kapitenit Etrit Berisha, ndërsa treshja e qendrës së mbrojtjes formohet nga Ardian Ismajli, Marash Kumbulla dhe Enea Mihaj.
Nga krahët Ermir Lenjani dhe Elseid Hysaj, ndërkohë që në mesfushë rreshtohen Keidi Bare, Nedim Bajrami dhe Amir Abrashi. Në sulm dyshja Armando Broja dhe Myrto Uzuni, nga të cilët priten golat kuqezi.
Nga ana tjetër, trajneri i Italisë, Roberto Mancini nuk i kursen yjet teksa në fushën e Air Albania zbret Leonardo Bonucci me fashën e kapitenit, Marco Verrati dhe Sandro Tonali në mesfushë ndërsa në sulm Nicolo Zaniolo. Pjesë e 11-tëshes axurre janë edhe të rinj premtues si Bastoni, Di Marco, Di Lorenzo apo Raspadori.
SHQIPËRIA (3-5-2): Berisha; Lenjani, Mihaj, Ismajli, Kumbulla, Hysaj; Abrashi, Bare, Bajrami; Uzuni, Broja. Trajner: Edi Reja.
ITALIA (3-4-3): Meret, Bastoni, Bonucci, Scalvini, Di Marco, Verrati, Tonali, Di Lorenzo, Grifo, Raspadori, Zaniolo
Trajner: Roberto Mancini