Home Gjeo-Ekonomia Tatimi i profesionistëve/ Ekspertët: Ligji është ende i paqartë, shkelet barazia në...

Tatimi i profesionistëve/ Ekspertët: Ligji është ende i paqartë, shkelet barazia në taksa

Qeveria ka nxjerrë udhëzimet për ligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat. Profesionistët e lirë do t’i nënshtrohen një regjimi të ri tatimor progresiv që fillon nga 15 – 23%, ndërsa ligji parashikon dhe rritjen e pagës së patatueshme në 50 mijë lekë.

Për ekspertët edhe në udhëzimin e fundit, ligji është ende i paqartë dhe i paplotë

“Ka nevojë për një qartësim akoma më të madh se kush quhet i vetëpunësuar dhe kush quhet biznes i vogël, sepse në praktikën e përditshme këto janë të njëjtësuara. Nga ana tjetër ligji parashikon vetëm çfarë po ndodh me situatën aktuale, në të ardhmen është ende e nevojshme të punohet përsa i përket vlerave që gjenerojnë individët në tregun e ardhshëm dhe bizneset.”- tha Eduart Gjokutaj, ekspert për çështje fiskale.

Sipas tyre duhet një kohë më e gjatë për të miratuar një ligj kaq të rëndësishëm që taton pasuritë dhe të ardhurat e individëve:

 “T’i lihet një kohë tranzitore vendimeve në bazë të ndryshimit ligjor do të prodhojë shmangie tatimore dhe në praktikë ndodh edhe evazioni tatimor. Nga ana tjetër kjo është pjesë e politikave që bëhen të ndryshuara shpeshherë, i kap në mes të procesit shumë biznese dhe ndodh që atyre tu ndikojë edhe në vendimmarrje.“- tha Eduart Gjokutaj.

Qeveria nga njëri krah premton taksim zero për bizneset e vogla deri në 2029, duke i vënë barrën vetëm bizneseve që ofrojnë shërbime të specializuara shkel parimin kryesor të politikës fiskale, barazinë në taksa

 “Barra tatimore duhet të shpërndahet njësoj, ku secili paguan sipas të ardhurave që gjeneron. Por, në momentin që ti bën tolerime dhe ekonomia për këtë pjesë është orientuar në një qasje të caktuar bazuar mbi këtë lehtësi, në momentin që i ndërhyn, më së pari duhet të pranosh gabimet në politikën tatimore dhe nga ana tjetër duhet që kjo kosto që po i jepet vetëm profesioneve të lira duhet të shpërndahet në të gjithë sektorin dhe të mos ketë më përjashtime.” tha Eduart Gjokutaj.

Top Channel

Share: