Home KRYESORE Thirrja e Begajt për 28 Nëntorin: T’i përkushtohemi Shqipërisë së gjeneratës tjetër

Thirrja e Begajt për 28 Nëntorin: T’i përkushtohemi Shqipërisë së gjeneratës tjetër

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj në Ditën e Pavarësisë ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme vendore janë mundësi për të demonstruar bashkëpunim dhe përgjegjshmëri politike e institucionale.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë në Pallatin e Brigadave, Begaj u shpreh se në interes të kombit dhe të ardhmes së vendit fton aktorët politikë dhe institucionalë por dhe shoqëritë civile dhe mediat, si dhe çdo shqiptar që ti përkushtohet vizionit për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

“Zgjedhjet e ardhshme vendore janë një mundësi për të demonstruar bashkëpunim e përgjegjshmëri politike e institucionale, për zgjedhje të lira e demokratike.
Si President i Republikës, në interes të kombit dhe të ardhmes tonë, ftoj të gjithë aktorët politikë e institucionalë, shoqëri civile e media, çdo shqiptar, që t’i përkushtohemi vizionit për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, vendin e projektuar për të qenë anëtare në Bashkimin Evropian. Po lëmë pas një vit të vështirë.

Shqipëria ka dënuar pa asnjë hezitim agresionin e papërligjur të Rusisë ndaj Ukrainës dhe luftën, që vijon të shkaktojë pasoja të shumta për të gjitha vendet.
Ndryshimi i kontekstit rajonal, evropian dhe global të sigurisë, kriza ekonomike, energjetike, sulmet kibernetike kanë nxjerrë në pah nevojën e shtuar për bashkëpunim konstruktiv, politik e parlamentar, për çështje të sigurisë kombëtare dhe në bashkërendim të ngushtë me aleatët tanë. Ky bashkëpunim është i nevojshëm edhe për lartësimin e Kosovës, si një realitet i pakthyeshëm. Në duhet të kontribuojmë më tej për njohjen e shtetit të Kosovës, liberalizimin e vizave për qytetarët e saj, si dhe të vazhdojmë të mbështesim përparimin e dialogut politik me Serbinë.

Të dashur bashkatdhetarë, Historia e shqiptarëve është një histori që na bën krenarë. Ajo është historia e një kombi që nuk bën kompromis me asgjë dhe askënd që cënon lirinë, dinjitetin dhe integritetin tonë kombëtar. Ismail Qemali dhe Isa Boletini, si dy figura qendrore të atdhedashurisë së pakufishme, na kujtojnë sot e çdo ditë mesazhin e unitetit kombëtar, të zemrës shqiptare, që rreh njëlloj si në Jug dhe në Veri, si në Vlorë edhe në Prishtinë.
Secilit prej nesh këtu i jepet mundësia për të lënë gjurmën e vet në historinë tonë dhe për të lartësuar vlerat, mbi të cilat është ndërtuar kombi ynë.
E sotmja, mbi të gjitha, duhet të jetë një ditë reflektimi për ne, për misionin tonë dhe për trashëgiminë që do lëmë pas. Le të mendojmë të gjithë për këtë.
Falënderime të përzemërta dhe urimet më të ngrohta për të gjithë shqiptarët, arbëreshët dhe miqtë tanë kudo janë! Gëzuar 110 vjetorin e Pavarësisë!”-tha Begaj.

Share: