Home Gjeo-Ekonomia Arben Ahmetaj mohon akuzat: Kam udhëtuar në të gjithë botën!

Arben Ahmetaj mohon akuzat: Kam udhëtuar në të gjithë botën!

sh-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj mohoi t’i ishin paguar hotele jashtë shtetit nga i shpalluri në kërkim për aferën e inceneratorëve, Klodian Zoto, por nuk dha detaje për udhëtimet e tij jashtë shtetit duke i konsideruar ato si private. Ndërkohë, dy prokurorët Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi – të kallëzuar për fshehje provash ndaj Ahmetajt, thanë se nuk i komentonin akuzat dhe se po vazhdonin hetimet ndaj personave të tjerë.

Nga Vladimir Karaj

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj mohoi të premten përmes një mesazhi t’i ishin paguar udhëtime jashtë shtetit nga Klodian Zoto – në kërkim për korrupsion në aferën e inceneratorëve, pas një kallëzimi në SPAK në të cilin pretendohet gjithashtu se dy prokurorët  e çështjes kanë fshehur provat ndaj deputetit të Partisë Socialiste.

“Nuk është e vërtetë. Akuza publike apo jo publike le të ketë. Nuk ka asnjë lidhje. Unë kam qenë në gjithë botën mbarë,” tha Ahmetaj, i cili nuk pranoi të jepte detaje për udhëtimet e përmendura në kallëzim, duke thënë se i përkisnin jetës së tij private.

Emri i Arben Ahmetajt ka dalë edhe më parë në atë që njihet si skandali i inceneratorëve, por ish-zëvendëskryeministri vazhdimisht ka mohuar çdo përfshirje.

Në një kallëzim të depozituar të premten në SPAK nga gazetari Adriatik Doçi, pretendohet se prokurorët Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi që po hetojnë dosjen e inceneratorëve, kanë fshehur provat të cilat fajësonin ish-zëvendëskryeministrin Ahmetaj. Kallëzimi pretendon se Zoto kishte paguar disa hotele jashtë vendit në të cilat ka qëndruar Ahmetaj.

“Janë fshehur hetimet nga dy prokurorët e SPAK, për të mbrojtur Arben Ahmetajn,” deklaroi Doçi për mediat.

“Kam kallëzuar Arben Ahmetajn për përfitimet që ka patur nga Klodian Zoto. Në kompjuterin e tij janë gjetur pagesa për ish-ministrin Ahmetaj”, shtoi ai, në një deklaratë për mediat pasi dorëzoi kallëzimin.

I pyetur nga BIRN mbi akuzat e bëra nga gazetari, prokurori Braho tha se nuk mund ta komentonte kallëzimin.

“Nuk mund të komentoj. Është bërë kallëzim dhe do të hetohet nga prokuroria,” tha Braho. Braho, megjithatë shtoi se hetimet për çështjen vazhdonin dhe la të kuptohej se persona të tjerë ishin nën hetim.

Ai sqaroi se hetimet ishin mbyllur për 12 të pandehur – përfshi ish-ministrin Lefter Koka, për shkak të afateve proceduriale, por shtoi se hetime të ndara vijonin.

“Do ketë hetime të tjera dhe ka persona të tjerë që po hetohen,” tha Braho, ndërsa shtoi se “nuk mund të përmend detaje.”

Prokurori tjetër që po heton dosjen, Ened Nakuçi deklaroi se konfirmonte ato që kishte thënë Braho dhe mbante të njëjtin qëndrim. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe drejtuesi i SPAK, Arben Kraja.

“Çështja për inceneratorët është ende nën hetim,” tha Kraja. “Ka përfunduar hetimi për një pjesë të të pandehurve, por nuk ka përfunduar hetimi ende për gjithë çështjen,” shtoi ai.

I pyetur për akuzat ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, drejtori i Agjencisë për Media dhe Informacion, Endri Fuga tha se nuk i komentonte ato.

“Nuk kemi komente, njësoj si nuk kemi patur për akuza të bëra publike ndaj kundërshtarëve politikë,” tha Fuga.

Për abuzimet e dyshuara me fondet për ndërtimin e dy impianteve të incenerimit të mbetjeve në Fier dhe në Tiranë, SPAK ka marrë të pandehur ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili është prej një viti i arrestuar, deputetin Alqi Bllako, administratorët e kompanive të përfshira, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto dhe një numër të akuzuarish të tjerë.

Sa i përket inceneratorit të Elbasanit, 10 persona janë të pandehur, nga të cilët 4 janë në burg, 3 po hetohen në arrest shtëpie ndërsa 3 janë në kërkim. Për inceneratorin e Fierit janë nën akuzë 21 persona, por një pjesë e të akuzuarve janë të njëjta në të dy hetimet.

Ndërkohë, për projektin e inceneratorit të Tiranës, prokuria vazhdon hetimet por nuk ka dhënë asnjë masë shtrënguese ndaj personave të dyshuar apo kompanisë Integrated Energy BV Shpk, e cila vazhdon të marrë qindramijëra euro nga buxheti shtetit çdo muaj, edhe pse nuk bën incenerim të mbetjeve.

Share: