Home KRYESORE Dy fjalë për primaret e djeshme në Tiranë.

Dy fjalë për primaret e djeshme në Tiranë.

Nga Armir Shkurti


Në Tiranë, sepse aty ishte qëllimi kryesor. Qëllimi tjetër ishte edhe që Doktori të tregonte forcë përmes pjesmarrjes në votim, shtrirjes në gjithë territorin e vendit, ndershmërisë së votës dhe shpejtësisë së numërimit. Teorikisht Berisha ka bërë zgjedhjet më të mira në Shqipëri. (Teorikisht!)

Përsa i përket rezultatit:

Kush ka pritur tjetër veç asaj që u pa mbrëmë do të thotë që nuk ia ka haberin as politikës , as politikës shqiptare dhe as kontekstit në të cilin u organizuan ato zgjedhje dhe “përsenë” e tyre.

Partia është një grupim specifik. Ka struktura, hierarki, organizm, disiplinë, frymë , përkatësi etj. Nëse një partie i kërkohet të zgjedhë mes një funksionari të njohur të saj dhe një personaliteti jashtë strukturave, edhe sikur ky personalitet të jetë Krishti, partia detyrimisht voton Belindin. Nuk ka hiç nevojë për influencën as të Berishës as të Vokshit e as për manipulim vote. Belindi ka që fëmijë në PD. Në betejën e Berishës për rikthim në PD ka qenë një ndër më të spikaturit dhe aktivët. Për anëtarësinë, militantët dhe simpatizantët kjo del e tepron. Nëse të tjerët (përveç Alimehmetit) patën qëllim të promovojnë veten apo tjetërçka, hallall! Ama nëse i rrejti mendja se përballë Këlliçit mund të fitonin do të thotë – në rastin më të mirë – se nuk ia kanë haberin politikës.

Po Alimehmeti?

2196 votat që mori tregojnë se në grupimin Berisha ka një pjesë ( rreth 1/4 ) që a. nuk gjejnë përfaqësues të denjë të partisë së tyre në ofertën 7 -she dhe vendosin fishat mbi një personazh “të mirë” , “të pakonsumuar”, “qytetar dhe intelektual” b. kanë vetëdije se për të mundur realisht Veliajn nevoitet dikush që të mbledhë vota edhe nga të painteresuarit e djathtë e të majtë , që nuk do të shkonin në votim në 14 maj për asnjërin, ama për doktor Alimehmetin po.

Që të ndodhte kjo e fundit , domethënë që ta kishte seriozisht Berisha për të nxjerrë një figurë si Alimehmeti e të investonte gjithçka në të do të duhej që PD të funksiononte si parti e jo si elektorat. Prandaj partitë kanë struktura. Që nga kryesia e asambletë deri tek seksionet e grupseksionet. Shkurt hesapi: kandidatin për kryetar të bashkisë së Tiranës duhej ta propozonte baza, me mekanizmat e saj dhe pastaj ta vendoste “senati” (organet vendimmarrëse të votuara e mandatuara nga baza ). Për mua, puna më e arsyeshme do të kish qenë që organet eprore të PD të merrnin në shqyrtim Bogdanin , Këlliçin dhe Alimehmetin, si mbledhësit e shumicës së votave dhe mes tyre të zgjidhnin me pjekuri politike.

Si shkuan punët:

Të jem Ilir Alimehmeti dal e falenderoj anëtarësinë për votën dhe uroj Belindin për fitoren, duke u tërhequr me dinjitet. Duke qenë një diferencë thuaj dyfish, zëri i demokratëve është i thënë. Besoj se thirrja edhe një herë të dielën në kutitë e votimit , është pa ndonjë dobi.

Share: