Home Gjeo-Ekonomia Emigrimi u trefishua/ Nga 2015 në vënd të Italisë & Greqisë është...

Emigrimi u trefishua/ Nga 2015 në vënd të Italisë & Greqisë është Franca dhe Gjermania që pret shqiptarët

Gjermania dhe Franca janë shtetet e BE-së që shqiptarët po preferojmë më shumë për të emigruar, në këtë cikël të ri të emigracionit, duke i zënë kështu vendin Greqisë dhe Italisë që në vitet ’90 pritën fluksin më të madh të emigrantëve shqiptarë.

Nga të dhënat e EUROSTAT-it në Gjermani dhe Francë jetojnë rreth 110 mijë shqiptarë, gati një trefishim i numrit krahasuar me vitin 2015. Në vitin 2021, popullsia shqiptare e regjistruar në Gjermani ishte gati 77 mijë persona, apo gati tre herë më e lartë se në 2015-n. Në Francë, numri i shtetasve të regjistruar ka arritur në 33 mijë persona, pothuajse me trefishim në krahasim me 2015-n. Në të dy këto shtete së bashku tashmë jetojnë rreth 110 mijë shtetas shqiptarë të regjistruar.

“Po është e vërtetë kjo që thotë Eurostati, pasi unë pashë një dyndje të madhe tani që isha në Francë. Kishte edhe të kombësive të tjera, por edhe shqiptarë kishte shumë. Ndoshta emigrojnë më tepër, për shkak të dokumentave, pasi Franca të pajis me dokumenta”, tha një qytetar.

“Ne të tre fëmijët i kemi jashtë. Dy gocat në Itali , çuni në Angli, ne rrimë vetëm. Edhe miqtë e të afërmit tanë, nëpër Europë i kanë fëmijët. Gjermania po i mbledh shumë dhe Anglia që po mbyten e po bëhet nami. Edhe unë vetë e kam provuar emigrimin. Kam qenë në Maqedoni, Greqi, Qipro. Ne kemi ikur maleve, 8 ditë, 9 ditë me radhë duke ecur. Kur punoja në Rodos në Greqi, natën e Vitit të Ri e kam kaluar me nje thelpi hudhër, se atë çikë lek që mblidhje do ta sillje në Shqipëri, bënim shtëpi, llaç, tulla e beton”, tha një tjetër qytetar.

“Unë kam tre fëmijë, dy janë në Gjermani, një është në Tiranë. Do iki edhe unë, se këtu ka mbaruar çdo gjë. I kam nxitur vetë dy djemtë të iknin, nuk i pengova ndonjëherë. Atje punon një ditë dhe merr sa një muaj këtu. Djalin e kam pedagog në Amerikë, ndërsa vajza u kthye nga studimet në Francë dhe punon pedagoge këtu”,shprehet një qytetar.

“I madhi është në Gjermani dhe djali I vogël është në Spanjë. Na dridhet mishi dhe sëmuremi kur dëgjojmë e shikojmë shqiptarë, që ikin me gomone për Angli.”

Top Channel

Share: