Nga Alma Lleshi
Ikin duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre. Dhe kjo nuk ka nevojë për shpjegim. Kushdo që jeton këtu e ka të paktën një arsye per të ikur në këtë formë ose tjetër. Të gjithë, fatkeqësisht duan të ikin. Dhe kjo nuk është një formë për t’i ikur thjesht një realiteti, sepse nuk na pëlqen. Jo! Është për mbijetesë!!
E bën çdo i ri nga Veriu, dhe shumë familje të drobitura nga pamundësia! E bëjnë edhe ata qe gëzojnë pushtet dhe para, i dërgojnë fëmijët për edukim dhe jetesë diku gjetkë, larg Shqipërisë.
Kjo që mësuam sot, në fakt është shumë më e rëndë se dhimbja jonë e përbashkët. Një humbje e shumëfishtë. Fatkeqësisht anglezët kujtojnë se ne ikim se duam aventurën, se ne na është mërzitur rutina këtu dhe shkojmë të eksplorojmë botën. Dhe humbasin jetën, për të shkuar në një vend, ku jeta e një harabeli është më e vlerë, se e një emigranti. Shkojnë drejt një bote që edhe vdekjen ua përshkruan me ftohtësi e cinizëm si ky: “Kush do t’ia dijë për ata, vetë e morën rrezikun. Nuk e di pse vëmë në rrezik rojat tona bregdetare”
Turpi për ata! Dhimbja për ne!
Çfarë tmerri mund t’i shtyjë, që nisen drejt natës së ftohtë e të pafund?!
Atje ku i presin ç’njerëz, me fjalët si urrejtja vetë!
Heshtim sot! Dhe mbytemi të gjithë!