Nga Darien Levani
- Doja që të shkruaja mendimin tim për librin e Lea Ypi-t që sapo mbarova së lexuari në shqip, Botimet Dudaj 2021 (se normal, vetëm unë kam ngelur pa folur). Një paralajmërim: nuk e njoh zonjës Ypi, nuk e kam takuar apo kontaktuar kurrë, as në mënyrë analogjike as digitale as dreq a shejtan. Dmth: ça shkruaj është thjesht mendimi im, “Sine spe ac metu” (<– frazë latinisht që fus për tu mburrur sikur di latinisht, thelbi është “Pa frikë dëmtimi apo shpresë fitimi”). Më saktë, mendime pas leximit sepse gjëja interesant ishte kjo: mu duk një libër që nxit mendime. Me fjalë akoma të tjera: kjo nuk është një kritikë nuk është një llullë.
- Carl von Clausewitz thoshte që në luftë çdo gjë është e thjeshtë, por çdo gjë e thjeshtë mund të ndërlikohet. Me këtë frymë, e kuptova pse “shoqëria e vendosjes së gjërave sipër gjërave të tjera” 🙂 e ka sulmuar kaq shumë Lean për këtë punën e përqafimit të këmbës së Stalinit e detaje të tjera pa rëndësi. Sepse është në faqe tre, aty ku të gjithë kanë arritur. Për problemin e për gjërat që ajo thotë në faqe 245* (e që është skandali i vërtetë i këtij libri) më habit se si akoma nuk është zgjuar njeri.
- Lea është një tregimtare [narrator, siç thonë ata që flasin gjuhë të jashtme] shumë e mirë, e kjo sikur kalon në plan të dytë, tamam sepse historia rrjedh në mënyrë të natyrshme. Është aftësi e madhe që të mos peshosh në libër si shkrimtar. Është akoma më e madhe nëse vjen si një akademike e ndërron përspektivë e fjalor, siç mund të konfermojë kushdo që ka filluar të lexojë e pastaj ka braktisur “Global Justice and Avant-Garde Political Agency” (jo unë jo, një kushëri i imi). “Të lirë” më ka futur aq shumë të fut brenda historisë saqë, në një farë pike po e lexoja pa e ditur se si do përfundonte libri, pa e ditur që komunizmi do rrëzohej.
- Problemi kryesor i këtij libri është që ne si lexues dhe/ose si shqiptarë nuk jemi akoma të aftë që të ndajmë gjykimin moral nga ai historik. E kur them “Ne” e kam fjalën për “Ju”. E kur themi “Ju” nuk e kam fjalën për Ty, që je shumë i/e zgjuar i/e kthjellët etj, po për ata të tjerët.
- Është momenti më i mirë për botimin e kësaj historie: para 20 vitesh s’do e kishim mendjen aty se kishim halle të tjera [si psh Greqia që fiton evropianin, akoma nuk e besoj dot, po pres që të shkojë në parashkrim], pas 20 vitesh SPOILER ALERT kordoni umbilikal që na lidh me 1990 do jetë prerë përfundimisht!
- Duhet të dalim nga koncepti “sovjetik realizmo socialisto plako” sipas të cilit libri i mirë është ai ku vihet re dora e autorit sepse shkruan nja 300 faqe mbi drejtimin e një ferme në Rusi. Është e kundërta, na e kishin shpjeguar gabim. Shkrimtarët e mirë të bëjnë që të harrosh që ti po lexon një libër, ashtu si aktorët e mirë të bëjnë që të harrosh që ti po shikon një film dhe që aktorja në fakt po qan para një telekamere shumë moderne. Lea këtë arrin ta bëjë: e meqë asgjë në jetë nuk është rastësi e nuk lind nga hiçi, jam i bindur që pas këtij mundimi ka lexime e kërkime pafund.
Shtoji guximin – sepse duhet guxim – për të gërmuar kaq shumë në të kaluarën tënde e për të qenë kaq e sinqertë. Askush, me sa mbaj mend, nuk e ka provuar diçka të tillë në Shqipëri. Më duket pika e riferimit është më shumë “Min Kamp” se sa “Kujtimet e Vegjëlisë 2.0”
- Më pëlqeu shumë në libër përshkrimi i brendshëm i raportit me prindërit. Mu kujtua që në një farë pikë, Franc Kafka i shkruan botuesit të tij në lidhje me kopertinën e Metamorfozës. Shkruan: “Kjo jo ju lutem. Insekti nuk mund të vihet në kopertinë, nuk mund të duket as në largësi.” Mendoj se Kafka donte të evitonte që lexuesi të ishte “Tjetër” në krahasim me “Insektin/Gregor Samsa”, donte që lexuesi ta shikonte librin nga brenda dhe jo nga jashtë. Leximi i raportit prindër/fëmijë në vitet 90 ishte shumë interesant, e rrok një problem të madh brezash: fakti që të lindurit nga fundi i viteve 70 e këtej janë lindur “jetim”. Natyrisht e kam fjalën “jetim” në kuptimin e pikave të riferimit politike (në kuptimin e gjerë të fjalës). Meqë jemi shqiptarë ne nuk i flasim këto gjëra, por kur e mendojmë me sytë e sotshëm duket absurde: prindërit na thanë që duhet të besojmë tek Partia e të japim gjakun e të tjera, pastaj nga sot nesër e thanë “Po talleshim!”, pa dhënë asnjë shpjegim tjetër. Lea e trajton shumë thjesht, e shmang dy grackat e mëdhaja që letërsia anglo-amerikane na servir rregullisht: self pity e self loathing (po, ky paska qenë Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë). (“Gjithçka kishte një trajtë dhe pastaj mori një trajtë tjetër. Në një moment isha dikush dhe pastaj u bëra dikush tjetër” citim Të lirë).
- Shumë i mirë shkruar përshkrimi i viteve 92-96. Është periudha më e përçart në historinë tonë, diçka pa lidhje mbi të cilën nuk gjen asnjë dokument. Çfarë ndodh nga dhjetori 91 deri mars 97 s’ka të bëjë me asgjë tjetër në gjithë universin e njohur, me sa di. Shqiptarët dy duar për një kokë, liri-demokraci, aktivizimi politik total e, mbi të githa, besimi tek e ardhmja. Ishte një besim që sot duket naiv, e mund edhe të tallemi. Liria që gjetëm në rrugë në vitet 90 në fakt ishte ajo që inglezi quan wishfull thinking, që në shqip mund të quajmë fluturim me Presh Airlines. Domethënë, sot e dimë që ishte vetëm një pikënisje, por atëherë mendonim se kishim mbërritur. Në fakt, më duket se në’ nivel kolektiv, as po e marrim mundimin që ta nisim këtë udhëtim. Jo njera jo tjetra jo kemi punë jo po ashtu më bëj një zile. (*Bëj shaka, s’ka asnjë skandal tek ajo faqe)
8.1 Një amerikan i thotë mikut të tij sovietik: “Tek ne ka liri, tek ju jo. Ja, unë mund të shkoj para Shtëpisë së Bardhë e të bërtas Poshtë Kissinger, poshtë Kennedy e s’guxon njeri të më preki”. “Ou, po kjo nuk është gjë fare”, i përgjigjet miku komunist, “Edhe unë mund të shkoj para pallatit të Kremlinit e të bërtas Poshtë Kissinger, poshtë Kennedy e jo vetëm që s’guxon njeri të më prekë, por më thonë edhe Të lumtë vëlla”.
- Mund të biemë dakord: boll me fjalën tranzicion? Nga 1997 deri më sot kemi jetuar si borxh, në pritje të ditëve më të mira. Si pasagjerë që ndalen në një stacion, pa e ditur që është stacioni i fundit. Me shpresën që shpejt do nisen prapë, që toka e premtuar është pak më tej. I njëjti iluzion na bën të mendojmë se këto 25 vite janë tranzicion drejt diçkaje më të mirë. Më duket se jo: ky është sistemi që kemi ndërtuar, e kemi ndërtuar aq mirë saqë pozicionet tashmë janë ngurtësar, ky është stacioni i fundit, këtu duhet të ndalemi e të shikojmë përreth.
- Sot historianët thonë që Thūkydídēs ka marrë pjesë në shumë nga betejat e Luftë e Peloponezit që përshkruan. Atij as nuk i shkon ndër mend që të na e thotë. Historianët e viteve të fundit nisen nga histori personale dhe zhvillojnë ide e koncepte. Një histori si ajo e librit, më duket se ishte medoemos letrar + autobiografik, e në fund të fundit secili zgjidh formën që do! Përtej detajeve, mbi të cilët mund të flasim pafundësisht, unë mendoj se funksionon dhe, mbi të gjitha, mendoj se s-h-t-o-n shumë në historinë shqiptare. Me fjalë akoma të tjera, jam kurioz të lexoj shkrime të tjera nga Lea Ypi.