Home Gjeo-Ekonomia Nga anëtarësimi i Ballkanit në BE te lufta në Ukrainë/ Publikohet deklarata...

Nga anëtarësimi i Ballkanit në BE te lufta në Ukrainë/ Publikohet deklarata e përbashkët e Samitit të BE në Tiranë

Në përfundim të samitit BE – Ballkani Perëndimor në Tiranë, të gjithë liderët pjesëmarrës kanë firmosur një deklaratë të përbashkët ku dakordësohen për të bashkëpunuar në disa çështje.

Deklarata e plotë:
Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të Shteteve të tij Anëtare, në konsultim me
udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe në prani të palëve të interesuara rajonale dhe
ndërkombëtare, sot mbajtëm këtë Samit për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe
dolëm në përfundimet e mëposhtme:

  1. Përshkallëzimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe
    sigurinë evropiane dhe globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së
    dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
  2. BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të
    Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e
    procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme të Partnerëve, te
    kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin
    tonë të përbashkët. BE-ja përshëndet progresin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në
    rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo, në tetor
  3. Në veçanti, BE-ja përshëndet mbajtjen e Konferencave të para Ndërqeveritare me
    Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
  4. BE-ja përshëndet vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur
    vlerat dhe parimet thelbësore evropiane, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. BE-ja
    përshëndet gjithashtu angazhimin e përsëritur të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për t’u
    dhënë përparësi demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit, duke
    përfshirë ndarjen e pushteteve. Bashkimi Evropian nënvizon nevojën për përpjekje të
    qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes
    për qeverisjen e mirë, për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që
    u përkasin pakicave. Besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga zbatimi kuptimplotë i
    reformave të nevojshme dhe nga ndërtimi i një historiku të qëndrueshëm i mbështetur në
    komunikimin publik të qartë dhe konsekuent në interes të popullit të tyre. Një shoqëri civile e
    fuqizuar dhe mediet e pavarura dhe pluraliste, në respekt të plotë të lirisë së shprehjes, janë
    përbërësit vendimtarë të çdo sistemi demokratik dhe ne përshëndetim dhe mbështetim rolin që
    ato luajnë në Ballkanin Perëndimor.
  5. Qëndrimi së bashku me BE-në është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve,
    tani më shumë se kurrë, teksa Rusia përshkallëzon luftën e saj të agresionit kundër
    Ukrainës. Një vizion i përbashkët për të ardhmen përfshin përgjegjësi reciproke dhe vlera të
    përbashkëta. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me Partnerët, ne i nxitim ata të bëjnë
    progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të
    Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (PPJS) dhe të veprojnë në përputhje me të, duke
    përfshirë edhe me masat kufizuese të BE-së. Ne përgëzojmë ata Partnerë të Ballkanit
    Perëndimor që po e tregojnë tashmë angazhimin e tyre strategjik në këtë aspekt duke u
    përafruar plotësisht me PPJS-në e BE-së dhe inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë ende të
    ndjekin shembullin e tyre.
  6. BE-ja mbetet partneri më i afërt, investitori kryesor si dhe partneri tregtar dhe donatori
    parësor i rajonit. Shkalla dhe diapazoni i jashtëzakonshëm i kësaj mbështetjeje duhet të
    bëhen më të dukshme dhe të pasqyrohen në mënyrë dinamike nga Partnerët në debatin dhe
    komunikimin e tyre publik, në mënyrë që qytetarët të munden të vlerësojnë përfitimet
    konkrete të partneritetit me BE-në.
  7. Duke u mbështetur në metodologjinë e rishikuar, Këshilli Evropian ka ftuar Komisionin,
    Përfaqësuesin e Lartë dhe Këshillin të çojnë përpara integrimin gradual të rajonit tashmë
    gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar te meritat.
  8. BE-ja rikujton rëndësinë e vazhdimit të reformave, si për të mirën e qytetarëve ashtu edhe
    si bazë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit,
    dhe në veçanti të atyre reformave që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe
    luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
  9. BE-ja vazhdon të mbështetë plotësisht angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për
    bashkëpunimin rajonal përfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë
    edhe me Shtetet Anëtare të BE-së. Vazhdon të jetë i rëndësishëm zbatimi në mirëbesim dhe
    me rezultate të prekshme i marrëveshjeve dypalëshe, ku përfshihen Marrëveshja e Prespës me
    Greqinë dhe Traktati për Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë. Kërkohen ende
    përpjekje të mëtejshme vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal si dhe për të
    gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, përfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet
    dypalëshe dhe rajonale midis partnerëve dhe për çështjet që i kanë rrënjët në trashëgiminë e
    së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, përfshirë
    këtu edhe Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë dhe rastet e mbetura të personave të
    zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës. BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të
    garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave.
  10. Ne vazhdojmë të mbështetim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe të
    Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për
    çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim progres konkret nga të dy Palët
    drejt një marrëveshjeje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve
    ndërmjet tyre. Kjo është kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të
    siguruar se Palët munden të vazhdojnë rrugëtimet evropiane përkatëse. Ne përsëritim
    pritmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë. Ne i nxitim të dy Palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të
    zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe dhe mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose
    provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt
    Dialogut. Ne u kujtojmë të dy Palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar paqen
    dhe stabilitetin.
  11. Ne përshëndetim takimin e parë të suksesshëm të Komunitetit Politik Evropian, i cili u
    mbajt më 6 tetor 2022 në Pragë. Takimi ofroi një platformë për koordinim politik dhe një
    mundësi për shkëmbime të thelluara për çështje urgjente që kanë të bëjnë me të gjithë
    kontinentin. Presim me padurim takimin tjetër që do të mbahet në Republikën e Moldavisë në
    gjysmën e parë të vitit 2023.
    Trajtimi i përbashkët i ndikimit negativ të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe
    ndërtimi i një themeli të fortë ekonomik për të ardhmen
  12. Rusia është përgjegjësja e vetme për krizën aktuale energjetike dhe ekonomike. BE-ja do
    të vazhdojë mbështetjen e saj për partnerët e Ballkanit Perëndimor në trajtimin e pasojave
    negative në ekonomitë dhe shoqëritë e tyre.
  13. Paketa e re e BE-së e Mbështetjes për Energjinë, me një vlerë prej 1 miliardë euro në
    grante të cilat mund të sjellin 2,5 miliardë euro në investime, do të ndihmojë Ballkanin
    Perëndimor të zbutë ndikimin e krizës energjetike dhe të përshpejtojë tranzicionin energjetik
    në rajon. Paketa financohet nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA)
    dhe përmban masa të menjëhershme, afatshkurtra dhe afatmesme për t’u dhënë ndihmë
    qytetarëve dhe bizneseve në Ballkanin Perëndimor. 500 milionë euro në formë grantesh do të
    shkojnë për mbështetjen e menjëhershme të familjeve të cenueshme dhe ndërmarrjeve të
    mesme dhe të vogla (SME). 500 milionë euro të tjera në grante do t’i kushtohen investimeve
    në mbështetje të tranzicionit energjetik dhe pavarësisë energjetike, për të financuar
    përmirësimet në infrastrukturën e gazit dhe elektricitetit dhe në interkonektorët ku përfshihet
    GNL-ja, si dhe projektet e reja për energjinë e përtëritshme, masat për eficiencën energjetike,
    përmirësimet në sistemet e transmetimit të energjisë, ngrohjen qendrore urbane dhe skemat
    për të përmirësuar eficiencën energjetike të apartamenteve në ndërtesat e vjetra.
  14. Ne kujtojmë vendimin tonë për të hapur blerjet e përbashkëta të gazit, GNL-së dhe
    hidrogjenit për Ballkanin Perëndimor, bëjmë thirrje për vënien e shpejtë në funksion të kësaj
    platforme dhe inkurajojmë partnerët që ta përdorin këtë mundësi. Plani REPower i BE-së do
    të ndihmojë për të ulur varësinë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nga gazi rus. Nëpërmjet
    Komunitetit të Energjisë, BE-ja po hap tregun e saj të energjisë elektrike për Ballkanin
    Perëndimor, edhe në sektorin e energjive së rinovueshme, duke iu nënshtruar reformave
    rregullatore.
  15. Zbatimi i vazhdueshëm i Planit Ekonomik dhe të Investimit (PEI) dhe i Agjendave të
    Gjelbra dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor do të ndihmojë në forcimin e ekonomisë
    dhe qëndrueshmërisë së rajonit, duke përfshirë edhe mbështetjen e mëtejshme për
    lidhshmërinë, tranzicionin e energjisë dhe diversifikimin e furnizimeve me energji. PEI-ja
    parashikon një paketë ambicioze investimi, duke mobilizuar afërsisht 30 miliardë euro për
    rajonin, të përbëra nga 9 miliardë euro financim me grante nga IPA III dhe deri në 20 miliardë
    euro në investime, të mobilizuara nga Instrumenti i ri i Garancisë së Ballkanit Perëndimor. Në
    kuadrin e Planit, në gjysmën e parë të vitit 2022 u miratua zbatimi i një totali prej 1,4 miliardë
    euro në grante investimi nën Kuadrin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) për të
    financuar 28 projekte parësore investimi me një vlerë totale prej 4,5 miliardë euro. Sapo është
    miratuar një paketë e re me 400 milionë euro në grante nga BE-ja me vlerë investimi prej 1,2
    miliardë euro, për të financuar 12 projekte investimesh, ndërkohë që projektet e miratuara po
    hyjnë në fazën e zbatimit. Gjatë vitit të kaluar, puna vazhdoi në të gjitha projektet e
    investimeve të lidhshmërisë të miratuara nën agjendën e lidhshmërisë, me disa projekte që po
    i afrohen përfundimit, në veçanti korridori hekurudhor Orient-Lindje-Mesdhe, Korridori
    rrugor Vc dhe dy urat ndërkufitare, Svilaj dhe Gradiška. Në këtë kontekst, partnerët e
    Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të rritin sundimin e ligjit dhe të ndërmarrin me
    vendosmëri reformat ekonomike dhe shoqërore, duke përfshirë edhe ato që janë të
    parashikuara në Programet e tyre të Reformave Ekonomike dhe në përfundimet e përbashkëta
    për dialogun ekonomik dhe financiar.
  16. Përveç kësaj, BE-ja është e gatshme të mbështetë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në
    përmbushjen e angazhimit të tyre për të zbatuar plotësisht Agjendën e Gjelbër për rajonin,
    ku përfshihen angazhimet e tyre në fushën e klimës në kuadrin e Marrëveshjes së Parisit, si
    një shtytës kryesor për tranzicionin drejt ekonomive moderne, neutrale ndaj klimës dhe
    rezistente ndaj klimës dhe me efikasitet të burimeve, gjë që synon të çlirojë potencialin e
    ekonomisë qarkulluese, të luftojë ndotjen, të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve dhe të
    përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së gjelbër në rajon. BE-ja do të vazhdojë gjithashtu të
    mbështetë rajonin në zhvillimin e politikës së çmimit të karbonit në kontekstin e Mekanizmit
    të BE-së për Rregullimin e Kufirit të Karbonit (CBAM), ku përfshihet asistenca teknike dhe
    financiare. Projekti “EU 4 Green” është instrument i rëndësishëm për të ndihmuar partnerët në
    përpjekjet e tyre zbatuese.
  17. Që nga fillimi, partnerët e Ballkanit Perëndimor janë përfshirë gjithashtu në Mekanizmin
    Evropian të Përgatitjes dhe Reagimit ndaj Krizave të Sigurisë Ushqimore për të
    përmirësuar sigurinë ushqimore. BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për sektorin e
    bujqësisë , përkatësisht në kuadrin e IPA III dhe të Instrumentit të Asistencës së ParaAnëtarësimit për Zhvillimin Rural (IPARD III). Për këtë të fundit, në fillim të këtij viti u
    miratua kontributi i BE-së prej 560 milionë euro për periudhën e ardhshme shtatë vjeçare.
    Intensifikimi i angazhimit politik dhe të politikave
  18. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të vendosur të përshpejtojnë dhe thellojnë angazhimin
    tonë politik dhe të politikave, duke përfshirë ndër të tjera mbajtjen e Samiteve të rregullta
    BE-Ballkani Perëndimor, pjesëmarrjen e Partnerëve të Ballkanit Perëndimor në veprimtaritë
    dhe takimet e nivelit të lartë të BE-së dhe dialogët e rregullt në kuadrin e PPJS-së. Partnerët e
    Ballkanit Perëndimor janë ftuar tashmë të japin mendime në mbledhjet e Këshillit të Punëve
    të Jashtme dhe më pas të marrin një përmbledhje nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm
    Evropian. Ky angazhim i rritur pasqyron përkushtimin e BE-së për rajonin.
  19. BE-ja do të thellojë më tej bashkëpunimin ndërsektorial me Ballkanin Perëndimor në
    fusha me interes të përbashkët si drejtësia dhe punët e brendshme, ekonomia dhe tregu i
    brendshëm i BE-së, energjia, transporti dhe politika digjitale, mbrojtja civile, shëndetësia,
    politikat sociale, arsimi dhe kërkimi dhe inovacioni si dhe politika e jashtme, siguria dhe
    mbrojtja, duke përfshirë trajtimin e kërcënimeve kibernetike dhe kërcënimet e tjera hibride
    dhe kundër-terrorizmin.
  20. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kujtojnë angazhimin e përbashkët në shtimin e përpjekjeve
    për të rritur integrimin e Ballkanit Perëndimor me Tregun e brendshëm të BE-së. Tregu i
    Përbashkët Rajonal (TPR) i Ballkanit Perëndimor duhet të shërbejë si pikëmbështetjeje për
    këtë integrim. BE-ja përgëzon marrëveshjet e fundit të partnerëve për lëvizjen e lirë dhe
    njohjen e letërnjoftimeve për të gjithë qytetarët e rajonit si dhe për njohjen reciproke të
    diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale brenda rajonit. Këto marrëveshje
    janë etapa të rëndësishme në përmbushjen e angazhimit të partnerëve për të krijuar një Treg të
    Përbashkët Rajonal. BE-ja inkurajon partnerët e Ballkanit Perëndimor të ratifikojnë me
    shpejtësi këto marrëveshje në mënyrë që qytetarët të mund të përfitojnë prej tyre sa më shpejt
    të jetë e mundur. Nevojiten përpjekje të mëtejshme vendimtare nga të gjithë udhëheqësit e
    Ballkanit Perëndimor në mënyrë që Tregu i Përbashkët Rajonal të bëhet realitet, sidomos sa i
    takon miratimit të një numri vendimesh për nismat që lidhen me tregtinë, për të cilat tashmë
    është rënë dakord në nivel teknik në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës
    Qendrore (CEFTA). Ky bashkëpunim rajonal përfshirës i bazuar në rregullat dhe standardet e
    BE-së do të stimulonte gjithashtu tregtinë ndër-rajonale dhe do të tërhiqte investimet.
  21. BE-ja përshëndet punën e të gjitha ekonomive të Ballkanit Perëndimor drejt modernizimit të sistemeve të tyre të pagesave për t’i sjellë ata më afër standardeve të BE-së dhe për
    plotësimin e kushteve për integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro.
  22. BE-ja përshëndet gjithashtu angazhimin e Partnerëve për të vazhduar punën e tyre për
    zbatimin e agjendës së Ballkanit Perëndimor për inovacionin, kërkimin, arsimin, kulturën,
    rininë dhe sportet dhe tashmë po i bashkon gradualisht Partnerët me programet e BE-së si
    Erasmus+, Korpusi Evropian i Solidaritetit dhe Nisma e Universiteteve Evropiane me
    synimin për të krijuar mundësi të mëtejshme për të rinjtë. Nisma e Universiteteve Evropiane
    hap mundësinë që institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor të marrin pjesë në
    aleanca ambicioze ndërkombëtare dhe të zhvillojnë bashkëpunim afatgjatë strukturor dhe
    strategjik. Garancia për Rininë e vënë në veprim në Ballkanin Perëndimor do të kontribuojë
    në uljen e rrjedhjes së trurit që po përjeton rajoni.
  23. Në fushën digjitale, duke u mbështetur në zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes së
    Udhërrëfyesit Rajonal “Roam like at Home” që prej korrikut 2021, për eliminimin e kostove
    të roaming-ut brenda rajonit, ne përshëndetim deklaratën e përbashkët të sotme të
    operatorëve të telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor e cila që do të bëjë të
    mundur uljen e parë të kostove të roaming-ut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në
    vitin 2023, me synimin për t’i hequr ato plotësisht më pas. Është gjithashtu për t’u
    përgëzuar që Partnerët kanë nënshkruar Deklaratën për të Ardhmen e Internetit dhe janë
    plotësisht të asociuar me punën e Organit të Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet
    Elektronike.
  24. Ne përshëndesim gjithashtu progresin në zbatimin e Korsive të Gjelbra BE-Ballkani
    Perëndimor dhe bëjmë thirrje për zbatimin e tyre në të gjithë kufijtë përkatës, duke
    respektuar ndërkaq acquis-në dhe procedurat e BE-së. Përveç kësaj ne përshëndetim ngritjen e
    nismës “Korsitë Blu” që do të përmirësojë lidhjet tregtare midis porteve të Adriatikut. Këto
    nisma kontribuojnë në menaxhimin më të mirë të kufijve, uljen e kohës së pritjes për
    pasagjerët dhe mallrat dhe për rrjedhojë mbështetin aktivitetin ekonomik. Ato janë një
    demonstrim tejet publik se çfarë mund të sjellë bashkëpunimi midis Ballkanit Perëndimor dhe
    BE-së dhe Shteteve të tij Anëtare.
    Përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndresës ndaj ndërhyrjeve të huaja
  25. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë të përbashkëta një numër sfidash të sigurisë që
    kërkojnë veprime të bashkërenduara, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e
    luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të
    vendosur të forcojnë më tej bashkëpunimin për çështjet thelbësore të sigurisë dhe
    mbrojtjes, edhe në nivel operacional. Në këtë drejtim, ne mirëpresim faktin që Partnerët
    kanë dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes
    (PPSM), duke kontribuar në misionet dhe operacionet e BE-së për menaxhimin e krizave.
    BE-ja do të vazhdojë të punojë së bashku me rajonin për të zhvilluar më tej aftësitë dhe
    kapacitetet mbrojtëse të tij, edhe nëpërmjet Instrumentit Evropian të Paqes. BE-ja
    përshëndet angazhimin e vazhdueshëm të partnerëve për zhvillimin e instrumenteve efektive
    për bashkëpunimin brenda Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
    BE-ja do të rritë më tej angazhimin e saj edhe në fusha të tilla si hapësira dhe lëvizshmëria
    ushtarake.
  26. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të angazhuar të luftojnë manipulimin dhe ndërhyrjen e
    informacionit të huaj, duke përfshirë dezinformimin si dhe kërcënime të tjera hibride që janë
    të pranishme në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë të minojnë stabilitetin e rajonit,
    proceset demokratike dhe perspektivën e tij evropiane. Në këtë pikëpamje, ne do të forcojmë
    më tej bashkëpunimin tonë për të ngritur qëndresën, duke rritur gjithashtu profesionalizmin
    dhe edukimin e medieve dhe duke rritur ndikimin e komunikimit tonë strategjik rreth
    marrëdhënieve BE – Ballkani Perëndimor dhe procesit të zgjerimit në veçanti.
  27. Duke qenë se kërcënimet kibernetike nuk njohin kufij, ne do të punojmë së bashku për të
    rritur sigurinë tonë kolektive kibernetike. Sulmet e fundit kibernetike në shkallë të gjerë
    tregojnë nevojën për angazhim të zgjeruar, duke u mbështetur në programet ekzistuese dhe në
    bashkëpunimin me Agjencinë e BE-së për Sigurinë Kibernetike (ENISA) dhe me Qendrën
    Evropiane të Kompetencës Kibernetike, të kombinuara me nismat dypalëshe të Shteteve
    Anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë. Në kuadrin e projektit për Reagimin e Shpejtë në
    fushën e Sigurisë Kibernetike, veprimi i BE-së po përqendrohet në rritjen e qëndresës
    kibernetike dhe të gatishmërisë ndaj incidenteve kibernetike të partnerëve që kanë qenë
    objektiv i sulmeve të fundit, duke dhënë mbështetje kibernetike më afatgjatë të BE-së në
    mbarë rajonin duke filluar nga viti 2023. BE-ja është e gatshme të rritë mbështetjen e saj për
    qëndresën ndaj sulmeve kibernetike në Ballkanin Perëndimor dhe të intensifikojë
    bashkëpunimin në nivel rajonal dhe me partnerët ndërkombëtarë.
    Migracioni i parregullt, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar
  28. Rrugët e migracionit në Ballkanin Perëndimor kanë parë rritje të ndjeshme që nga fillimi i
    vitit 2022. Menaxhimi i migracionit mbetet sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët, të cilën
    BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do ta trajtojnë së bashku, në partneritet të ngushtë. Për këtë
    qëllim, BE-ja ka rritur ndjeshëm mbështetjen e saj financiare për rajonin me më shumë se 170
    milionë euro asistencë dypalëshe dhe rajonale të ofruar tashmë në kuadrin e IPA III.
  29. Teksa përgëzojmë partnerët tanë për përpjekjet e tyre dhe bashkëpunimin konstruktiv deri
    më sot, kërkohen përpjekje të qëndrueshme dhe të zgjeruara për të trajtuar migracionin e
    parregullt në rrugën e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë luftën kundër kontrabandimit dhe
    trafikimit të qenieve njerëzore. BE-ja mbetet e angazhuar të mbështetë rajonin, si politikisht
    ashtu edhe financiarisht. Në këtë drejtim, ajo synon të rrisë ndjeshëm fondet për Ballkanin
    Perëndimor për vitet e ardhshme në kuadrin e IPA III. Në dritën e trysninë së shtuar migratore
    në rajon, mbështetja e fortë financiare e BE-së përmes programeve të posaçme do t’u
    mundësojë partnerëve të forcojnë sistemet e azilit dhe të pritjes, të rritin mbrojtjen e kufirit, të
    luftojnë rrjetet e kontrabandës dhe grupet e krimit të organizuar dhe të shtojnë kthimet nga
    Ballkani Perëndimor drejt vendeve të origjinës. Në këtë perspektivë, BE-ja ka miratuar një
    program të ri për forcimin e menaxhimit të kufirit me vlerë 40 milionë euro dhe po përgatit
    një program të dytë për rritjen e kapaciteteve për luftën kundër kontrabandimit të migrantëve
    dhe trafikimit të qenieve njerëzore, duke i dhënë vëmendje hetimeve dhe përndjekjes penale,
    me vlerë 30 milionë euro.
  30. Përafrimi i shpejtë i partnerëve me politikën e vizave të BE-së është i një rëndësie urgjente
    dhe kritike për mirëfunksionimin dhe qëndrueshmërinë e përgjithshme të regjimeve pa viza
    midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Partnerët duhet të vazhdojnë të rritin sistemet e tyre të
    kthimeve, edhe duke nënshkruar marrëveshje ripranimi me vendet kryesore të origjinës, dhe
    të forcojnë bashkëpunimin me shoqëritë ajrore përkatëse. Bashkëpunimi i ndërsjellë për
    kthimet do të thellohet, duke maksimizuar përdorimin e kornizave ekzistuese dhe të kanaleve
    të disponueshme. Në këtë drejtim, BE-ja qëndron e gatshme ta mbështetë Ballkanin
    Perëndimor për të rritur kthimet vullnetare dhe jovullnetare, duke përfshirë edhe ato
    drejtpërdrejt nga rajoni drejt vendeve të origjinës. Duhet gjithashtu të intensifikohet
    bashkëpunimi me Frontex-in, edhe nëpërmjet nënshkrimit dhe zbatimit të shpejtë të
    Marrëveshjeve Statusore të përditësuara, si dhe me Agjencinë e Bashkimit Evropian për
    Azilin dhe me Europol-in.
  31. Ne bëjmë thirrje që të forcohet më tej bashkëpunimi për kundër-terrorizmin dhe kundër
    ekstremizmit të dhunshëm, ku përfshihet parandalimi i radikalizimit dhe financimit të
    terrorizmit, në pajtim me Planin e Përbashkët të Veprimit për Kundër-Terrorizmin për
    Ballkanin Perëndimor. Ne ritheksojmë rëndësinë e marrjes së veprimeve të vendosura për të
    trajtuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar, në veçanti pastrimin e parasë, korrupsionin
    në nivel të lartë, kultivimin dhe trafikimin e drogës.
  32. BE-ja është plotësisht e angazhuar të vazhdojë punën për parandalimin e tregtisë së
    paligjshme dhe të trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta dhe të municioneve të tyre,
    përgëzon udhërrëfyesin e posaçëm të Ballkanit Perëndimor në këtë aspekt dhe do të mbështetë
    më tej Ballkanin Perëndimor në këtë fushë. Udhërrëfyesi është i njohur në shkallë
    ndërkombëtare si shembull i praktikave të mira në fushën e bashkëpunimit rajonal për të rritur
    kontrollin e armëve të vogla.
  33. BE-ja inkurajon Ballkanin Perëndimor të krijojë dhe mbajë marrëdhënie bashkëpunimi me
    Zyrën Evropiane të Prokurorëve Publikë (EPPO) në fushën e asistencës së ndërsjellë
    ligjore në çështjet penale. Mirëpresim marrëdhëniet e punës të krijuara tashmë ndërmjet
    EPPO-së dhe disa partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe inkurajojmë partnerët e tjerë për një
    bashkëpunim të ngjashëm sa më shpejt të jetë e mundur.

  1. Mirëpresim bashkimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor me pikat e mësipërme.
Share: