Home KRYESORE Pakoja e Madhe/ Rama zbulon shumën që do përfitojnë personat me aftësi...

Pakoja e Madhe/ Rama zbulon shumën që do përfitojnë personat me aftësi të kufizuara

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se  qeveria do të japë një bonus prej 8000 Lekësh të reja për çdo person me aftësi të kufizuara.

Sipas kreut të qeverisë, në këtë mënyrë do të lehtësohet maksimalisht impakti i inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit.

“8000 Lekë (të reja) për çdo person me aftësi të kufizuar, do të lehtësojnë maksimalisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit, ku falë edhe subvencionimit masiv të çmimit të energjisë që do të vazhdojë përgjatë vitit 2023, mburoja financiare e qeverisë për familjet shqiptare e bën shumë më të përballueshëm këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën”-shkruan Rama.

Të gjithë pensionistët do të marrin nga 8.000 lekë, pagat në shtet nën 60 mijë lekë do të marrin 20.000 lekë dhe pagat mbi 60 mijë lekë marrin 10.000 lekë.

Kjo mbështetje për 1 milionë individëve ofrohet për të lehtësuar ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar dhe zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë.

Rama bëri të ditur dje se bonusi do të shpërndahet në ditët e para të Janarit.

Share: