Home Gjeo-Ekonomia Situata në veri të Kosovës, Rama: Dënoj sulmin ndaj EULEX dhe policisë

Situata në veri të Kosovës, Rama: Dënoj sulmin ndaj EULEX dhe policisë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën në veri të Kosovës, dhe vendosjen e barrikadave nga pala serbe.

Rama në një postim në Twitter dënon sulmet ndaj EULEX-it dhe policisë së Kosovës. Ai shkruan se lidhur me situatën e tensionuar BE duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.

Postimi i plotë:

Sulmet mbi @EULEXKosovo janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës,bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!

Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!

Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.

Kujtojmë se pak orë më parë EULEX njoftoi se ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudare është hedhur një bombë çorientuese (shok-bombë), nga e cila nuk ka lëndime në njerëz e as dëme materiale.

EULEX në komunikatën dërguar mediave thekson se ky sulm dhe sulmet e tjera ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme.

“Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e tyre

360grade.al

Share: