Home KRYESORE Televizion apo kamerë survejimi qendrash tregtare?

Televizion apo kamerë survejimi qendrash tregtare?

Nga Artan Fuga

Është më e lehtë sot të krijosh platforma dhe kanale transmetimi televiziv sesa të prodhosh përmbajtje cilësore televizive. Madje edhe video mund të prodhojë jo vetëm një redaksi në një kanal televiziv, çdo studio që mund të transmetojë produktin e saj në Web, por edhe çdo individ i veçantë duke vendosur në përdorim thjesht telefonin e tij celular. Janë shtuar ndofta me dhjetëra herë më tepër sesa një dekadë më parë rrjetet sociale, Web sitet-t televizive, aplikacionet telefonike, kanalet televizive, operatorët televizivë lokalë që transmetojnë në TNT ose kabllorë, kanalet informative të lajmit të pandërprerë, llogaritë në YouTube të gazetarëve televizivë të pavarur ose të moderatorëve të emisioneve të programuara nga televizionet me programacion linear.

E gjitha kjo industri televizive që sigurisht ka “gëlltitur” investime financiare për t’u mbështetur, kërkon të prodhojë përmbajtje. Përndryshe e gjithë kjo infrastrukturë teknologjike rrezikon të mbetet një kanal bosh transmetimesh. Ajo i ngjan një “kafshe” stërmadhe që kërkon “ushqim”. Këtu nis një problem i mprehtë. Operatorët ndodh jo rrallë herë të kërkojnë ta zgjidhin këtë kontradiktë duke transmetuar përmbajtje televizive mediokre, jo domethënëse për publikun, ripërsërisin të njëjtat lajme nga njëri kanal te tjetri, e ripërsërisin informacionin masiv disa herë në ditë pa ndryshuar lajmet dhe kronikat e bëra njëherë, përmbajtjes televizive i mungojnë imazhet cilësore pa të cilat, vetëm duke u mbështetur te fjala, televizioni kthehet në një “radio me ekran”, të cilën mund ta dëgjosh me veshë, pa e parë me sy, e megjithatë të mos humbasësh asgjë nga informacioni i transmetuar.

Ndodh për pasojë që televizioni të prodhojë përmbajtje televizive po ashtu sikundër një kamerë survejimi në një qendër tregtare, apo në një udhëkryq, prodhon informacion, por ky i fundit nuk është kurrsesi një informacion masiv. Aq më pak është gazetari. Paradoksi vjen dhe bëhet më i mprehtë. Teknologjia dixhitale jep mundësi të gjëra, të panjohura më parë për televizionin, por ndërkohë, në kushtet e një çekuilibrimi të mprehtë midis mundësive teknologjike dhe atyre për të prodhuar gazetari televizive cilësore, apo përmbajtje televizive cilësore, televizioni ka një prirje të trajtohet jo rrallë si kamerë survejimi. Kamera është por nuk ka gazetari, imazhe ka, por nuk ka informacion masiv, fluksi i jashtëzakonshëm i përmbajtjeve televizive është i pakrahasueshëm me më parë, por televizioni ka rrezik të thahet duke u përmbledhur në një instrument të thjeshtë telekomunikimi, duke zbehur rolin e tij si media masive.

Kamera pa gazetarë e kthen televizionin në një banalitet, në një dukuri që mund të kënaqë dëshira vuajeriste të publikut, në instrument propagande, në një “pasqyrë” të sipërfaqshme të asaj që kalon përpara saj, në një regjistrues të thjeshtë imazhesh, por kurrsesi në një media masive. Duhen investime shumë të kushtueshme në gazetarë të nivelit të lartë, prodhues profesionistë informacioni masiv, në artistë, regjisorë, skenografë, skenaristë, etj., që kamera dixhitale sot ta kthejë ekranin televiziv, apo ato që quhen ekrane të vegjël në media masive.

Share: