Nga Albert Vataj
Sapo ka startuar implementimi i superskulpturës, përmasat e së cilës janë një sfidë artistike dhe inxhinierike. “Çelësi i së sotmes”, i cili do të vendoset më 30 mars 2023 në Piazza Mercato, në Napoli, është vepër monumentale, pjesë e projektit, “Çelësat e unitetit”, në bashkëpunim me JeanWolfe nga Los Angeles.
Sot ishte një ditë intensive. Kudo punohej, në hangarin e Metal VATA Kostruksion, por edhe në zyrën e Saimir Perkeqi, inxhinierit të fabrikës, aty ku ishte më e ashpër beteja e shifrave dhe rakordimeve, e kalkulimeve dhe rikonceptimeve të detajeve, debateve dhe shoshitjes së pamjaftueshmërisë së saktësimeve të kësaj superstrukture arti, të krijuar nga artisti me famë ndërkombëtare, Alfred Mirashi – Miloti.
Orë tensinoi dhe angazhimi, ku një rol vendimtarë do të kishin Michele Stanzione, Drejtori artistik i projektit, “Çelësi i së sotmes” dhe inxhinieri, Michele Palumbo, prezent nga Italia.
Copë pas cope, element pas emelementi, profil pas profili, si në një ngjizje në placentën e ëmës së krijimit, ka nisur të pipëtijë në jetë e dimensionit galaktikë kjo vepër.
Mëndje të mprehta që ravijëzojnë këtë gjigant në konfigurime, të cilat më pas kalojnë te duart e mëdha dhe të fuqishme të atyre që flasin me hekurin dhe i japin shpirt metalit, duke i mëkuar përkushtimin dhe fuqinë transformuese që ngulmon të marrë frymë në një jetësim artistik, i cili edhe pse nuk ka ende se me çfarë gjuhë të komunikojë me ne, me atë heshtjen e copëzuar në fragmente e profile, arrin të përçojë ndjesinë e ngrohtë të një përjetimi, që struket i frikësuar mes trajtash dhe formash ende të rrëmujshme.
Sot është dita e pare, dhe… e dyta, e treta e kështu me radhë do të nis të marrë formë kjo vepër e kurajshme arti. Do të nis të dëgjohet e heshtur por ritmike pulsi i jetës së një krijese që kërkon të gjallojë magjinë e krijimit në metal.
Pas gjithë këtyre britmave prej hekuri e zhaurime mendimesh e debatesh, tendosjes së duarve të fuqishme dhe nënshtrimit të hekurit, qëndron si një Ante në këtë epikë, ai, Alfred Mirashi – Miloti, i cili është mëndja, syri dhe veshti i kudogjendur, heshtja, meditativja dhe buzëqeshura e tij e njerëzishme, e butë, që ndeshet çmendurisht më metalin, për të sjellë në jetë që ka ngjizur me shpirt dhe përjetim.
Sot ishte sot, nesër do të jetë nesër, dhe “Çelësi i së sotmes” do të dalë shumë shpejt nga hangarët e Metal VATA Kostruksion për të synuar Piazza Mercato, në Napoli, atje ku do të shpërfaqet madhështore mëndja krijuese e Milotit, mundi dhe djersa, sfida dhe përjetimi i të gjithë atyre që u kacafytën ditë të tëra mes prerësve të metalit dhe zjarrit të saldimit, për t’i dhënë jetë një jete që del nga shpirti për t’u shndërruar në një krenari shqiptare dhe sfidë e triumfit të pasionit dhe përkushtimit.
“Çelësi i së sotmes” e çeli sot siparin, për të vënë në skenë një vepër zemrash që i japin shpirt hekurit.