Home Gjeo-Ekonomia Davos/ Siguria Kibernetike, Rama: Bota mund të mbijetojë nëpërmjet bashkëpunimit

Davos/ Siguria Kibernetike, Rama: Bota mund të mbijetojë nëpërmjet bashkëpunimit

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit 2023, ku u diskutua lidhur me bashkëpunimin mes vendeve në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe shkëmbimi i eksperiencave në përballjen me kërcënimet kibernetike gjithnjë e më të sofistikuara.

Gjithashtu në këtë konferencë u diskutua  dhembi raportin e Perspektivës së Sigurisë Kibernetike 2023, që është bazuar në kërkimin dhe bashkëpunim e mëparshëm.

Raporti përfshin rezultatet e hulumtimit të ri se si liderët po reagojnë ndaj kërcënimeve kibernetike tani dhe ofron rekomandime se çfarë mund të bëjnë liderët për të siguruar vendet e tyre në vitin që vjen.

Kryeministri Rama ndau me të pranishmit përvojën e Shqipërisë  në përballjen me sulmin kibernetik, si dhe rëndësinë që ka bashkëpunimi mes vendeve për të shfrytëzuar në mënyrën më të mirë teknologjinë dhe për të formësuar një përgjigje të përbashkët, të shpejtë dhe të suksesshme ndaj kërcënimeve kibernetike.

-Shohim pritshmëritë e ngjarjes katastrofike kibernetike nga 95% e liderëve botërorë. Shqipëria ka qenë në zemër të një sulmi kibernetik. Çfarë mund të marrim nga kjo përvojë sidomos për liderët politikë?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë që më keni ftuar! Do të përpiqem që të jem i dobishëm. Së pari, për shkak të ngjarjes që ju përmendët, ne u detyruam që të nisnim të mësonim më shumë për të dhe një prej fakteve që unë mësova ishte se në qoftë se krimi kibernetik do të ishte shtet, do të ishte ekonomia e tretë globale pas SHBA-së dhe Kinës.

Në 2015 potenciali i përllogaritur i përgjithshëm i tij ishte 3 trilionë USD, në 2025 parashikohet të jetë 10.5 trilionë. Në qoftë se do të mendonim në terma të një virusi, Covid 19-ës, që krijoi kaq shumë kaos, dhe pati nevojë për kaq shumë ndërveprim dhe për kaq shumë përpjekje të përbashkëta, le të imagjinojmë një mori eksponenciale virusesh, të cilat çdo ditë pësojnë mutacione në mënyrë eksponenciale – nuk kërcënojnë organizmin tonë, por organizmin ku jetojmë, organizatat tona, vendet tona, sistemet tona – atëherë fundi mund të jetë thjesht një apokalips. Janë viruse që, jo vetëm mund të bllokojnë mënyrën tonë të jetesës, por mund ta kontrollojnë atë dhe mund ta devijojnë, pra mund të përdorin sistemet tona si largqoftë, sistemet e transportit ajror për të na goditur.

Merreni me mend, në qoftë se ka një sulm kibernetik tek sistemet e transportit ajror që i kthen një numër avionësh që fluturojnë, në bomba.

Ajo çfarë kemi mësuar është se kjo është diçka për të cilën është tejet naive të mendosh që çdo vend, qoftë i varfër a i fuqishëm, qoftë i pasur ose jo, të mund ta adresojë i vetëm. Ajo çfarë po shohim në betejën tonë të përditshme, jemi nën sulm qysh prej verës së kaluar nga Irani, (do të ishte e ndërlikuar që t’ia shpjegoja pse-në audiencës, por jemi nën sulm dhe jemi koalicion me një disa vende mike që përballen me të njëjtin kërcënim që vjen nga i njëjti burim e që janë më të zhvilluar se ne sa i takon mbrojtjes kibernetike) është që këto armë, po e përdor këtë fjalë sepse janë armë të vërteta, janë loge dhe kode që përdoren për të na sulmuar, përbëjnë risi edhe për aleatët tanë. Që do të thotë, se bashkëpunimi është edhe një mënyrë për të mësuar se ç’armë të reja përdoren çdo ditë dhe për t’u përgatitur kundër tyre.

Nuk mund ta imagjinoj sesi bota, bota institucionale, bota e organizuar, qoftë në sektorin publik apo privat mund t’i mbijetojë kësaj pa një koalicion të madh, shumë të madh.

Ajo çka mësojmë nga krimi tradicional në Europë është se krimi tradicional ka krijuar një BE shumë më funksionale sesa shtetet vetë, sepse është shumë më i  ndërlidhur, nuk ka samite që nuk mbarojnë kurrë, mbledhje, nuk ka veto për t’i ndalur eksponentët e tij për të bërë ndonjë gjë, ndërkohë që vetë BE duhet të mundohet të krijojë konvergjenca dhe kohezione për të bërë një veprim të përbashkët.

E pamë gjatë pandemisë. Ka dhe një gjë tjetër në fund. Për sektorin publik, kjo është vërtete sfiduese nga njëra anë se ka të bëjë me burimet. Imagjinojeni Shqipërinë me GDP e saj, me zhvillimin e saj, që ka hedhur një hap eksponencial për t’u shndërruar nga një vend që mbështetej kryesisht te letrat, te burokracitë, te ryshfetet, në një vend, i cili sot ka 95% të shërbimeve të veta online, që është bekimi i teknologjisë për vendet në zhvillim, për të hedhur hapa që tjetërsoj do të duheshin dekada për t’i hedhur, por nga ana tjetër është mallkim i teknologjisë sepse ekspozohesh tërësisht dhe tashmë jemi të ekspozuar, kundrejt një fuqie si Irani që nuk është dikush me të cilin mund të jemi njësoj në raport të financave, të sjelljes antidemokratike e kështu me radhë, e na duhet tashmë të investojmë shumë më tepër. Që qeveria të investojë në atë çka do të ndodhë është diçka, por të investojë në diçka që nuk duhet të ndodhë është tjetër gjë sepse në fund të fundit na duhet të zgjidhemi.

Çështja është: Sa do të bëhen bashkë, sa do të bëhet bashkë bota, sa do të bëhen bashkë vendet. Sa vendet e vogla, të mëdha, të pasura dhe jo të pasura, do të kuptojnë që duhet të jenë me njeri-tjetrin sepse në mos për asgjë tjetër, Shqipëria tashmë është shembull shumë i rëndësishëm për të kuptuar çfarë vjen më pas.

-Pyetja ime është për zotin Edi Rama. A mund të ndani me ne që nuk e kanë ndjekur shumë afër sulmin, disa nga ndikimet dhe pasojat konkrete që vendi juaj përjetoi prej këtij sulmi dhe cila ka qenë përgjigja më e shpejtë që mundët të jepnit?

Kryeministri Edi Rama: E shmanga këtë në hyrje sepse do të ishte e ndërlikuar për kohën që kemi në dispozicion. Në Davos mund të nisesh vonë, por nuk mund të përfundosh vonë sepse janë të tjerë që duhet të vijnë të zënë sallën.

Do të përpiqem që të flas në mënyrë sa më të sintetizuar të jetë e mundur. Ajo çfarë kemi bërë është që e konsideruam teknologjinë si barkën e shpëtimit për të shkuar nga një nivel administrimi, që ishte mjaft i ndotur nga korrupsioni endemik, sa i përket ryshfeteve, në një nivel ku kontakti i drejtpërdrejtë midis qytetarëve dhe nëpunësve publikë dhe zyrave u eliminua përmes ndërveprimit online. Ia dolëm kështu të shndërroheshim nga një vend i cili ishte vërtetë në fund në këtë drejtim tek një vend i cili është i teti i renditur në Europë dhe i 16-17 në botë sipas Kombeve të Bashkuara për vendet që përdorin shërbimet digjitale.

Por pikërisht aty donin të na dëmtonin autorët e hacker-imit, praktikisht duke synuar që të asgjësonin tërësisht infrastrukturën tonë digjitale dhe të fshinin tërësisht të dhënat tona të lidhura me shërbimet publike.

Ishte shumë shqetësuese sepse për javë të tëra ishte një luftë e jashtëzakonshme që po ndodhte në internet, 24 orë në 7 ditë të javës, shumë njerëz të përkushtuar në llogore për t’i sprapsur dhe ia dolëm t’i mbijetonin këtij sulmi duke mos i lënë që të bënin atë çfarë donin të bënin.

Përmes një analize shumë tërësore që ne e bëmë përmes ekipit kundër kërcënimeve të Microsoft dhe ekipit të FBI arritën në përfundimin se ishte absolutisht e qartë se pas këtij sulmi ishte një shtet dhe konkretisht Irani. Ky është një sulm që i atribuuam Iranit bazuar në fakte.

Ana tjetër e pranisë të frikshme të krimit kibernetik në jetët tona është se nuk është njësoj si dikush që të hyn në shtëpi, të shpërthen derën apo të thyen dritaren dhe hyn. Kiberkriminelët mund të jenë në shtëpinë tënde dhe ti nuk e di që i ke aty.

Pra, janë depërtime dhe është njësoj si të marrësh e të vendosësh mina me sahat dhe të përcaktosh ditën, kohën kur të shpërthesh minën dhe deri atëherë, ti nuk e di që je duke fjetur mbi një minë.

Ajo çfarë po bëjmë sot, siç e thashë, së bashku me dy vende të tjera mike, është saktësisht kjo; ne po zbulojmë, falë edhe ekspertizës së tyre më të madhe, saktësisht se cilat janë lëvizjet në errësirë, që në të kundërt askush nuk do t’i dinte.

Ne jemi mjaft të angazhuar për të rritur ndërgjegjësimin e sektorit privat për këto rreziqe dhe që të bëjmë që edhe sektori privat të hyjë në bashkëpunim dhe në ndërveprim me qeverinë edhe kur vjen fjala për të kontribuar.

Pra, nuk është aspak një proces i lehtë por është bota e re, ndaj shpresoj që fjalia profetike e Michel Rocard nuk do të vërtetohet me kohën; para se të vdiste ai tha që “Ndjehem shumë i bekuar që jetova në kohën kur lindi interneti dhe ndihem shumë i bekuar që po e lë këtë botë përpara se interneti ta shkatërrojë”.

Share: