Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shprehet se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po paraqitet si viktimë me mesazhet politike kur thotë se kufiri i Serbisë dhe Kosovës është bërë kufi i NATO-s dhe Rusisë.
Vuçiç tha me ironi se nuk e dinte se Kosova ishte anëtarësuar në NATO duke komentuar, deklaratën e Kurtit.
“Serbia i ka kufijtë e saj, as kufijtë e Rusisë dhe as të NATO-s, por të sajin, të vendosur me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244. Pra – thuaj çfarë të duash dhe si të duash, përpiqu të na vendosësh diku që nuk jemi dhe vendose veten aty ku nuk je. Ne kemi vendin tonë, për të cilin jemi krenarë, Serbinë. Dhe, kufijtë nuk i përcaktoni ju, por e drejta publike ndërkombëtare”, tha Vuçiç.
Më tej, Vuçiç vijoj ironinë me kryeministrin e Kosovës, duke thënë se përveçse po paraqitet si viktimë, po bëhet si Zelensky i ri dhe lideri i Serbisë si një Putin i vogël.
“Nuk jam i merakosur, kam gati një vit që dëgjoj budallallëqe sa të duash. Është detyra ime ta udhëheq Serbinë, si një vend i pavarur, sovran, i lirë dhe liridashës dhe jam krenar që po e bëjmë këtë”, tha Vuçiç.
I pyetur nëse pas bisedës me këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Schole, ai është më optimist apo më pak pesimist për presionin ndaj Serbisë, Vuçiç tha se ai është një njeri realist./Opinion.al