Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se lufta në Ukrainë ka rritur dyfish shqetësimin në Ballkan dhe se ky rajon mbetet një vatër e nxehtë, pasi jo të gjitha vendet janë anëtare të NATO-s. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Ministri Peleshi tha se i ndau këto shqetësime edhe Sekretarin amerikan të Mbrotjes Lloyd Austin, me të cilin u takua dje në Pentagon.
Ai tha se Sekretari Austin dha garanci për mbështetjen e vazhdueshme të Uashingtonit për sigurinë në rajon. Gjatë intervistës për gazetaren Menada Zaimi, zoti Peleshi flet dhe mbi çështjen e sigurisë kibernetike dhe mbështetjen amerikane në këtë drejtim.
Ai tha se vetëm kombinimi i shumë faktorëve do të çonte në imunizimin e plotë të sistemeve qeveritare, ushtarake e private të vendit.
Zëri i Amerikës: Zoti ministër, ju u takuat dje me Sekretarin amerikan të Mbrotjes Lloyd Austin. Ku takim vjen në një moment të vështirë për Evropën, kur po shënohet rreth 1 vit nga fillimi agresioni rus në Ukrainë. Cili mendoni se është rreziku më i beftë për vendin tuaj dhe rajonin përgjithësisht, rrezik që do të kërkonte edhe një përgjigje urgjente?
Niko Peleshi: Takimi i ditës së djeshme ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për mua personalisht, për të gjithë sistemin tonë të sigurisë dhe mbrojtjes, për të ndarë mendime, jo thjesht dhe vetëm për të falenderuar për atë çka ne kemi marrë si mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vlen të theksohet këtu fakti që, viti i kaluar ka qenë vit rekord i projekteve të bashkëkepunimit me Shtetet e Bashkuara. Kemi 31 projekte në zbatim, me një buxhet të konsiderueshëm falë programeve të mbështetjes, por edhe rritjes së buxhetit tonë për mbrojtjen. Pra në këtë kuadër, ne na vlejti takimi për të skicuar se ku do të ecim më pas. Natyrisht që situata e sigurisë në të gjithë botën është përkeqësuar duke filluar nga shkurti i vitit të kaluar, për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Ne, në Shqipëri, e për më tepër vendet e Ballkanit Perëndimor jemi dyfish të shqetësuar, sepse mbas këtij agresioni kuptuam që Ukraina, Rusia, nuk janë aq larg sa mendonim.
Ballkani perëndimor është ende një “unfinished business”, një punë e papërfunduar, duke përfshirë të 6 shtetet antare të këtij rajoni. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, një pjesë të rrugëtimit drejt integrimin euro-atlantik e kanë kryer. Jemi antar të NATO-s, por ende jo antarë të BE-së. Ndërkohë që ka edhe shtete të tjera që kanë problematika në raport me sigurinë, paqen dhe stabilitetin e këtij rajoni.
Ne e vlerësojmë Serbinë si një “proxy” (bashkëpunëtor) të Rusisë. Ne na shqetëson shkalla e lartë e militarizimit të Serbisë që bëhet për një qëllim të caktuar. Sa herë që tensionet në veriun e Kosovës rriten, natyrisht ndjehet edhe ndikimi i Rusisë dhe agresionit në Ukrainë.
Pra, Ballkani Perëndimor, në mos qoftë fronti i parë pas Ukrainës, në versionin më të keq, të padëshiruar dhe që nuk ka për të ndodhur, do të ishte një front i dytë i përhapjes së valës së destruktivitetit dhe prishjes së stabilitetit e të rendit bazuar tek ligjet, si dhe të paqes. Ky është shqetësimi jonë që e kemi ndarë me Sekretarin e Mbrojtjes. Kemi marrë garanci se do të jemi krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu si deri më tani.
Kemi shumë arsye për t’u ndjerë të sigurtë në Shqipëri. Së shpejti, brenda këtij viti shpresojmë, do të marrë jetë baza taktike ajrore e NATO-s në Kuçovë. Por kemi edhe dy qendra të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një qendër është ballkanike, është selia e Task Force-s së Forcave Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë për Ballkanin. Ajo u hap vitin e kaluar në Shqipëri. Këto janë garanci. Natyrisht edhe fakti që jemi një vend antar i NATO-s na jep garancinë që bazuar tek mbrojtja kolektive e NATO-s, ne do të jemi të sigurtë. Po kemi shqetësime të tjera në rajon në raport me Kosovën, siç e thashë edhe pak më lartë. Dhe pikërisht aty, në veri të Kosovës dhe në Bosnje janë pikat e nxehta dhe shqetësuese të rajonit tonë.
Zëri i Amerikës: Fillimi i agresionit rus në Ukrainë zoti ministër duket se ka shënuar edhe një rikthim tek Lufta e Ftohtë. A keni plane për investime të reja në bashkëpunim edhe me Shtetet e Bashkuara, në mbështetje të infrastrukturës së sigurisë?
Niko Peleshi: Ne kemi marrë një mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ekspertizë dhe mbështetje për trajnimin dhe ngritjen e atij kapaciteti që ne e kemi të deklaruar në NATO, që është batalioni i dytë i këmbësorisë së lehtë. Jemi çertifikuar vitin e kaluar me një notë shumë të lartë. Krahas kësaj mbështetjeje kemi projekte edhe për të modernizuar edhe forcën ajrore, krahas forcës tokësore.
Këtë vit shpresojmë që do të fillojmë ndërtimin e flotës ajrore te helikopterëve “Black Hawk”. Dy të parët tashmë të kontraktuar, të paguar dhe pritet vetëm lëvrimi, do të vijnë këtë vit, në vjeshtën e këtij viti. Ndërkohë që kemi nisur kërkesat edhe për 4 të tjerë. Pra shumë shpejt ne do të kemi një flotë prej 6 helikopterësh “Black Hawk”. Ndërkohë vazhdojmë bashkëpunimin me kompani të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “Lockheed Martin”.
Kujtoj këtu radarin e Midës, një invetim shumë i rëndësishëm që është kontribut jo vetëm për vendin tonë, madje më tepër për hapsirën e NATO-s, sepse ju e dini që policimi ajror i Shqipërisë bëhet nga dy vende të NATO-s, dy vende fqinje dhe aleate në NATO, Italia dhe Greqia, me rotacion. Ndërkohë ne i kontribuojmë këtij policimi apo imazheve të NATO-s me një kapacitet dhe një infrastrukturë shumë moderne të siguruar nga “Lockheed Martin”, që është radari i Midës.
Sot kemi diskutuar edhe për portin e ri të Porto Romano-s, i cili krahas portit komercial është projektuar të ketë edhe një port ushtarak. Unë i kam prezantuar në detaje rëndësinë strategjike të këtij porti Sekretarit Austin. E kemi prezantuar edhe në NATO. Kryeministri ia ka prezantuar Sekretarit të Përgjithshëm. Ndërkohë unë kam qenë në takim me Gjeneral (Christopher Gerard) Cavoli-n, para pak javësh. Kemi folur për këtë projekt. Ky projekt, i lidhur me korridorin e 8-të, për të cilin po punohet fort nga të 3 shtetet, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, e bën këtë korridor jo vetëm një korridor, që shërben për t’u lidhur, por edhe një korridor sigurie, sepse vendet e Detit të Zi, i cili është tensionuar tashmë, dhe nuk e dimë për sa kohë do të vazhdojnë tensionet aty, kanë një mundësi përmes korridorit të 8-të të dalin në Adriatik, pikërisht tek pika fundore që do të jetë porti i Porto Romano-s. Ky ishte një projekt i ri, nëse ka kërshëri për t’u ndarë me publikun.
Zëri i Amerikës: Zoti ministër ju përmendët helikopterët “Black Hawk”. A do t’i keni zgjidhur deri atëherë problemet me mirëmbatjen e tyre? Ju nuk keni patur eksperienca fort të mira në këtë drejtim, madje keni pezulluar disa kontrata, duke vendosur që çështjen e prokurorime ta ketë në dorë NATO.
Niko Peleshi: Është e vërtetë që mirëmbajtja në përgjithësi është një çështje e vështirë besoj për të gjitha sistemet, e aq më tepër për sisteme të komplikuara siç janë sistemet e mbrojtjes, mjetet ajrore. Ne nuk kemi kapacitete të brendshme. Pra, nuk kemi kompani, operatorë që bëjnë mirëmbajtjen e këtyre sistemeve dhe natyrisht detyrohemi t’i delegojmë ato jashtë, pra t’i kontraktojmë jashtë. Nuk janë proçese të thjeshta për administratën tonë, për të mos thënë më shumë se kaq. Ndaj kemi vendosur, dhe jo vetëm vendosur, por kemi filluar t’i transferojmë, t’i delegojmë prokurimet e këtyre sistemeve, kryesisht për mirëmbajtjen, tek agjencia e specializuar e NATO-s që quhet NSPA, me qendër në Luksemburg, ku kam shkuar dhe bërë takime me drejtuesit e NSPA.
Kemi filluar bashkëpunimin. Disa helikopterë janë aktualisht aty, në proçe kontraktimi. Ka rezultuar i suksesshem deri më sot dhe do të vazhdojmë të investohemi atje. Çështja e mirëmbajtjes së helikopterëve “Black Hawk”, sepse janë sisteme të reja, është një çështje për të cilën ne kemi folur edhe me shtete të tjera në Ballkan, me Maqedoninë e Veriut, me Kosovën, të cilat kanë në planet e tyre të pasurohen me këto sisteme, që të shkojmë për atë që quhet “Smart Defense”. Pra, jo secili shtet më vete, të bëjë qendrën e vet të mirëmbajtjes apo prokurimet e veta, por të bashkojmë forcat, të krijojmë një ekonomi shkalle dhe të ndërtojmë qendra mirëmbajtjeje të përbashkëta.
Kemi një partneritet të shkëlqyer me garden e Nju Xhersit, që bashkëpunojnë mire në kuadër të asaj që quhet “State Partnership Program” (Program i Partneritetit Shtetëror). Po ngremë kapacitetet. Duhet thënë që blerjet nga ana jonë e Black Hawk-ve, nuk janë thjesht një transaksion shitje-blerje, por quhen paketë e plotë. Do të thotë, ne kemi edhe mirëmbajtjen për disa vite, edhe ngritjen e kapaciteteve. Kështu që është një investim inteligjent do të thoja unë dhe një kontratë inteligjente në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëri i Amerikës: Shqipëria po punon që brenda këtij viti të verë në funksionim Njësinë Ushtarake të Mbrotjes Kibernetike.Vendi juaj u godit vitin e kaluar nga sulme kibernetike të cilat goditën infrastrukturën e informacionit, u morën të dhëna të qytetarëve. Kjo qendër do të shërbejë vetëm për ruajtjen e infrastrukturës ushtarake, apo edhe asaj civile?
Niko Peleshi: Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme dhe ka marrë fokusin kryesor do të thoja të takimit të ditës së djeshme me Sekretarin Austin. Unë kam ndarë me të, nuk ishte hera e parë në fakt sepse unë kam pasur një takim të shkurtër edhe para pak kohësh në Bruksel pikërisht për të ndarë shqetësimin e sulmit të orkestruar nga shteti i Iranit ndaj sistemeve tona informatike. Pra, kemi folur sot gjerë e gjatë për nevojat që Shqipëria ka për të përforcuar mbrojtjen kibernetike dhe për të ngritur mure më të forta, më të shëndosha.
Dua të them se në ministrinë e Mbrojtjes, në sistemet e sigurisë dhe mbrotjes ne jemi disi më me fat, për shkak se patëm filluar përpara dy-tre vitesh një bashkëpunim për të ngritur atë që thatë ju, Qendrën Operacionale të Mbrojtjes Kibernetike, brenda Njësisë Ushtarake të Mbrojtjes Kibernetike. Është nje projekt goxha i madh, i mbështetur nga partnerët tanë strategjike amerikanë, prej 24 milionë eurosh. Ky investim do t’i bëjë sistemet tona ushtarake të mbrojtura dhe imune ndaj ndërhyrjeve. Por pyetja juaj është shumë e drejtë sepse mbrojtja kibernetike ka një një specifikë. Është një luftë që nuk mund të fitohet brenda një sistemi. Duhet patjetër që të ngrihen kapacitetet në të gjitha nivelet. Madje më parë flitej për infrastruktura kritike, sot flitet për ngritjen e aftësive mbrojtëse në të gjitha nivelet pa përjashtim, si në sistemet shtetërore, ashtu edhe në ato private.
Unë i kam parashtruar dje sekretarit Austin kërkesën dhe nevojën për mbështetje për ta zgjeruar dhe dalë përtej këtij projekti edhe për të mbështetur mundësisht edhe sistemet e tjera. Ne kemi tani një Autoritet të Mbrojtjes Kibernetike, të quajtur “AKCESK”, i riformatuar, shumë profesional. Kemi bërë rekrutime të reja dhe shumë profesionale aty. Kemi adoptuar një sistem fleksibël të pagesave sepse ekspertët e sigurisë kibernetike në treg janë shumë të kërkuar, shumë të paguar. Me sistemin tonë të pagave të administratës publike është e pamundur të rekrutosh ekspertët e nevojshëm. Ndaj kemi adoptuar një sistem fleksibël siç e thashë edhe më lart. Tani jemi në ngritje e sipër të kapaciteteve tona njerëzore. Por ato duhen shoqëruar edhe me investime në infrastrukturë. Tani po flas në emër të kabinetit. Kemi një plan afatshkurtër, emergjent, afatmesëm dhe afatgjatë, i cili patjetër që është shumë i kushtueshëm. Ne po investojmë gjithçka që mundemi atje, por kemi nevojë edhe për mbështetje. Sekretari Austin më ka garantuar që do të vazhdojnë të na mbështesin. Së paku në sistemet tona ushtarake ne do të ecim fuqimisht duke u mbështetur tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të kemi mbështetje me trajnime, do të kemi mbështetje me mentorim. Shumë te nevojshme këto për mbrojtjen kibernetike të vendit. Duhet thënë që kjo është edhe një marrëdhënie “win-win” (që secila palë fiton në mënyrë të barabartë), nëse e shohim si të tillë. Sepse atë që përjetoi Shqipëria sot, mund ta përjetojë një vend tjetër nesër. Edhe vende më të zhvilluara se ne nuk janë imune në këtë domain të ri të sigurisë. Ndaj mund ta shfrytëzojnë vendet e tjera rastin e Shqipërisë si një “case study”. Mund ta shfrytëzojnë si një mundësi për të nxjerrë leksione nga të cilat duhet të mbrohen. Ne në Shqipëri kemi një shprehje. Çdo e keqe e ka një të mirë. Po mundohemi të shohim anën e mirë të kësaj të keqeje, e cila në fakt nuk shkoi dot deri në fund.
Duhet thënë, dhe e kam falenderuar sot sekretarin Austin, që ka qenë e vyer mbështetja e FBI-së dhe Microsoft Dart, të cilët menjëherë na kanë ndihmuar për të mos lejuar fshirjen e të dhënave. Ky ishte qëllimi i shtetit të Iranit, të fshihte të dhënat tona. Kanë mundur të marrin pjesë të të dhënave, por jo t’i fshijnë. Origjina u zbulua me mbështetjen e FBI-së. Kjo çoi pastaj në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Besoj një veprim i guximshëm, por edhe i duhuri, sepse aktiviteti i inteligjencës së shtetit të Iranit në vendin tonë është rritur së tepërmi, kryesisht për shkak të prezencës në vendin tonë të opozitës së Iranit, MEK.
Zëri i Amerikës: A mendoni se kjo qendër është e mjaftueshme për të garantuar mbrotjen nga pikëpamja kibernetike të vendit, qoftë infrastrukturën ushtarake, qoftë atë civile?
Niko Peleshi: Projekti ynë garanton mbrojtjen e infrastrukturës ushtarake. Projektet e tjera të Autoritetit të Sigurisë Kibernetike të cilat janë në zhvillim e sipër, garantojnë mbrojtjen, e kam thënë edhe njëherë më parë dhe jam keqinterpretuar nga disa media në Shqipëri, nuk ka siguri 100%. Nuk flasim për të garantuar 100%, por ama përmes investimeve në infrastrukturë, investimeve në ndërgjegjësim dhe në dije, të investimeve në edukim. Dua të theksoj që ne kemi dy vite që prodhojmë ekspertë të sigurisë kibernetike brenda Akademisë së Forcave të Armatosura, në masterin e sigurisë kibernetike. Pra, është një kombinim i shumë faktorëve derisa të shkojmë në imunizimin e sistemeve tona qeveritare, ushtarake por edhe ato private. /VOA