Moti i keq vazhdon të shkaktojë probleme në vend.
Reshjet e dendura të dëborës në veri kanë bërë që rruga e Thethit, në pjesën e Qafë Thorës të bllokohet, edhe pse borëpastrueset kanë punuar gjatë gjithë natës, sërish nuk është arritur të hapet tërësisht. Ndërkohë probleme me rrëshqitjen e inerteve paraqesin akset Bardhel, Iballe dhe Fushë Arrëz.
Lezhë
Në qarkun Lezhë ka monitorim të situatës në lagjen “Besëlidhja” dhe “11 Janari”, ndërsa në disa zona vijon të ketë prezencë të ujit në oborret e shtëpive. Është bërë evakuimi i një familje në lagjen kodër Mullir, njësia administrative Kolsh. Në Mirditë, lumi Fan ka shtuar prurjet, por është brenda shtratit sipas përditësimit nga emergjencat civile.
Bulqizë
Në qarkun e Dibrës, rënia e dëborës ka mbuluar malet, ndërsa në bashkinë Burrel ka pasur probleme me ndërprerjet e energjisë elektrike në zonat rurale. Në rrugën e Arbrit borëpastrueset po punojnë për të bërë mundur qarkullimin. Pjesa më problematike është qafa e Murrizit, ndërsa policia nuk lejon makinat pa zinxhir dhe goma dimri.
Llogara
Në Llogara, ndërkohë aksi është i kalueshëm por vetëm me goma dimri dhe zinxhirë. Policia është në ndihmë për të mos lejuar makinat pa masat e sigurisë që të kalojnë.
Elbasan
Në Qarkun e Elbasanit ka prani dëbore në rrugën Prrenjas Qafë-Thanë, aksin Elbasan-Gjinar dhe disa fshatra të njësisë administrative Labinot, por janë të qarkullueshme.
Korçë
Në Qarkun e Korçës probleme janë shfaqur në zonën e Kolonjës ku u dëmtuan çatitë e tre shkollave. Gjatë natës problematik ka qenë qarkullimi në segmentin Korçë- Dardhë, por që mbetet e kalueshme për mjetet.
Gjirokastër
Në qarkun e Gjirokastër rrëshqitjet e inerteve në aksin Kardhiq-Delvinë kanë krijuar problematika, por rruga mbetet e kalueshme.
Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se janë dislokuar rreth 50 trupa ushtarakë në terren për të ndihmuar dhe katër mjete të kalueshmërisë së lartë, ndërsa rreth 1200 efektivë mbeten në gatishmëri.
OSHEE bën me dije se ka rregulluar linjat 35kv në Vaun e Dejës – Koman, Pukë – Koman, Fushë Kuqe – Rrilë, Rrëshen – Kaçinar, Bistricë-Livadhja dhe nënstacionin e Komanit. Vazhdon të jetë i ndërprerë mësimi në 56 shkolla.
Top Channel