Nga Arbi Fortuzi
Kryetarët e partive politike jo parlamentare, duhet të dorëzojnë pasaportat diplomatike, të cilat do t’i mbajnë vetëm kryetarët e atyre partive që kanë përfaqësi në Kuvendin e Shqipërisë. Qeveria vendosi këtë të mërkurë të publikojë kritere të reja për dhënien e pasaportës diplomatike. Nisur edhe nga numri i lartë i partive politike të regjistruara në Gjykatën e Tiranës, plot 131 të tilla, gjysmës së të cilave nuk u dihet kryetari e as adresa.
Sipas vendimit të fundit të këshillit të Ministrave, pika 15 e shtojcës 2, ndryshohet nga “Kryetarët e Partive Politike”, në “Kryetarët e Partive Parlamentare”. Po ashtu, pjesë e vendimit është dhe përfshirja e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë dhe Apelit, në listën e mbajtësve të këtyre pasaportave, përveç prokurorëve të SPAK. Pjesë e trupës më pasaportë diplomatike do të jetë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Në vendimin e qeverisë sqarohet se, ata që nuk mund të mbajnë më pasaportën diplomatike, kanë të drejtë të përdorin pasaportat aktuale, deri në afatin e vlefshmërisë së tyre, pa të drejtë rinovimi.
Kryetarët e Partive të cilët do të vijojnë të mbajnë pasaportën diplomatike janë 9: Fatmir Mediu, Partia Republikane. Agron Duka, Partia Agrare Ambientaliste: Dashamir Shehi, Partia Lëvizja Për Zhvillim Kombëtar. Shpëthim Idrizi, Partia për Drejtësi Integrim e Unitet. Vangjel Dule, Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut. Tom Doshi, i cili ishte i regjistruar si kryetar i Partisë Socialdemokrate. Lulzim Basha, i cili figuron ende si kryetar i PD dhe Kryeministri Edi Rama, qoftë si kryeministër, por edhe si kryetar i Partisë Socialiste.
Ndërkohë, u hiqet e drejta për të mbajtur pasaportë diplomatike, Adriatik Alimadhit, Partia e Ballit Kombëtar. Myslim Murrizit, Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare. Astrit Patozi, Parti Bindja Demokratike. Aleanca për Bashkimin Popullor, Selami Janisheri dhe Ora e shpresës Konservatore Kujtim Gjuzi. Jozefina Topallit e Partia Lëvizja për ndryshim, Edmond Stojku, i Partisë Alenaca Demokracia e re. Arian Galdini, Partia Lëvizja e re./Shqiptarja.com