Home KRYESORE Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”

Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”

Në kuadër të 555-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar çeli ekspozitën me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”, e cila përmban faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese arbërore.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha: Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte nga mbretërit dhe princat europianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria e tyre ushtarake, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Figura e Skënderbeut mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i luftës me fitore legjendare dhe u bë simbol krenarie. Po ashtu, ai ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit, të cilët kanë nxjerrë mësime nga përvoja e tij luftarake, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj.

Në vijim e mori fjalën Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, i cili theksoi se bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij shënuan fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shekullit XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.

Përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet në këtë ekspozitë nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, si dhe fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, çka përbënte bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.

Në vijim të pranishmit vizituan ekspozitën dhe u ndalën veçanërisht te stendat që pasqyronin veprimtarinë dhe betejat e Gjergj Kastriotit.

Share: