Home KRYESORE Mbi 4 mijë viktima në Turqi e Siri nga tërmeti tragjik! Vazhdojnë...

Mbi 4 mijë viktima në Turqi e Siri nga tërmeti tragjik! Vazhdojnë përpjekjet për shpëtimin e njerëzve nën rrënoja

Ka shkuar në 4365 numri i viktimave nga tërmeti tragjik në Turqi e Siri ndërsa operacioni i kërkim shpëtimit ka vazhduar gjatë gjithë natës.

Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.ADVERTISING

Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

Shtetet në mbarë botën kanë thënë se do të dërgojnë ekipe për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, por deri më tani vetëm pak ekipe kanë arritur në vendngjarje.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ftohta dhe nga afër 200 dridhje pasuese të tokës, që kanë bërë të rrezikshme kërkimet në strukturat e paqëndrueshme.

Në provincën Hajat, zyrtarët thanë se 1.500 ndërtesa janë shkatërruar dhe shumë persona raportohet se kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja, pa ndihmë dhe pa ekipe të kërkim-shpëtimit.

Në këtë provincë, mijëra persona janë strehuar në qendra të sportit apo në dyqane të mëdha ushqimore, ndërsa të tjerët janë detyruar që ta kalojnë natën jashtë.

Tërmeti, që kishte epiqendrën në provincën turke Kahramanmarash, ka detyruar që banorët e Damaskut dhe Bejrutit të kalojnë natën nëpër rrugë, përderisa dridhjet e tokës janë ndierë deri në Kajro. Të paktën 2.921 persona janë vrarë në dhjetë provincat turke, ndërkaq 16.000 të tjerë janë plagosur, kanë thënë autoritetet turke.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare.

Në Siri, numri i viktimave në territoret e kontrolluara nga Qeveria ka arritur në 656 persona, ndërkaq 1.400 të tjerë janë plagosur, tha Ministria e Shëndetësisë.

Në pjesën veriperëndimore të shtetit, që kontrollohet nga rebelët, është raportuar se janë vrarë 450 persona dhe qindra të plagosur.

Qeveritë nga e mbarë bota kanë ofruar ndihmë për Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve të fuqishme. I fundit ishte presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i cili tha se ishte i gatshëm të dërgonte një ekip të kërkim-shpëtimit prej 60 personat si dhe furnizime mjekësore.

Qeveria pakistaneze ka dërguar një avion me pajisje të ndihmës dhe me një ekip të shpëtimit prej 50 anëtarësh. Ky shtet tha se do të organizojë fluturime ditore për në Siri dhe Turqi duke nisur nga 8 shkurti.

India tha se do të dërgojë dy ekipe të kërkimit dhe shpëtimit, përfshirë edhe qen të trajnuar dhe personel mjekësor.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, bisedoi me Erdoganin dhe i ofroi ndihmë. Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni do të dërgojë një ekip të kërkim-shpëtimit për t’i ndihmuar Turqisë në përpjekjet e saj.

Top Channel

Share: