Partia Demokratike ka vendosur që më 3 mars të zhvillojë një tjetër protestë kombëtare, si ajo e të shtunës së kaluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Protesta zhvillohet në të njëjtën ditë që Gjykata e Apelit do të shqyrtojë çështjen për të drejtën e vulës dhe logos së Partisë Demokratike. Seanca në Apel do të shqyrtojë çështjen më të “nxehtë” në kampin opozitar, atë se cilit grupim brenda selisë blu i përket logo dhe vula e Partisë Demokratike.
Ndërkohë që, sipas asaj që kanë konfirmuar më parë drejtuesit e PD, protestat para Parlamentit do të vijojnë sa herë që të ketë seancë plenare. Një ditë më parë, mes protestuesve dhe forcave të policisë pati përplasje të vogla, ku nuk munguan tymueset dhe shashkat.
Të shtunën, disa mijëra vetë u mblodhën në bulevardin para kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndër të tjera edhe për lidhjet e tij me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal.