Nga “Cikli Kafe për Llafe” i Çapajev Gjokutaj
Lilua ia dha njē të qeshure, ndërkohë që po lexonte diçka në celular. ‘Ia arrite dhe kësaj dite, të qeshësh më vete’ – e ngacmoi Naqja.
Po kjo është të qeshësh e të qashë njëherësh, ia ktheu Lilua. Historianët ngarkohen me faj se nuk u kanë dhënë përgjigje ca pyetjeve, pyetje për kokën e pyetjeve, ja dëgjoni: A kishte dashnore Skënderbeu, apo shkonte me shërbëtoret? Bënte ahengje në kështjellë apo jo, hante me duar apo me lugë, kush e qethte dhe e rruante?
Mos bëj si ata gazetarët e ligj, që zgjedhin vetëm gjëra të çuditshme e absurde, ndërhyri Qaniu që mesa dukej e kishte lexuar më parë. Para se të vish te dashnoret e shërbëtoret, te të ngrënët me lugë a me gishta, lexo edhe pyetje të tjera. Lexo psh ato që lidhen me fshatarët, taksat që paguanin, pritjen e diplomatëve të huaj, kolonizimin e mundshëm osman pas rënies së Krujës e të tjera pyetje të këtij rangu.
Jo po merru me halenë dhe uturakët e heroit, nguli këmbë në të vetën Lilua.
Qebiri ishte i mendimit sesa më shumë hollësi të dihen për një epokë historike, aq më mirë kuptohet ajo, aq më shumë rriten mundësitë për qasje reale e jo mitizuese ndaj heronjve.
Po të nisesh për të shkruar histori politike s’para të hyjnë hyjnë në punë hollësi të tilla. Po të synosh histori të jetës së përditshme, të zakoneve dhe sjelljeve i ke të domosdoshme.
Ç’mollois, ia ktheu Beqiri. Puna nuk është se hollësi të tilla flenë arkivave e historianët i injorojnë. Ka të ngjarë që nuk janë shënuar ndonjëherë ndaj shekujt i kanë bërë fir pa nam e pa nishan. Të gjithë e dimë si bëhet halla xhajë, po hajde bëje se…
Qyqja, të bëhem xhajë paskësha mangut, hallë e i bëra lekët brisqe për leshtë e këmbëve, qeshi kamarjerja.
( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )