Home Gjeo-Ekonomia BEOGRADI NUK MUND TA ADMINISTROJË MË KOSOVËN!

BEOGRADI NUK MUND TA ADMINISTROJË MË KOSOVËN!

Sot 20 vjet u vra kryeministri i Serbisë, Zora Gjignjiq.
Në shenjtë të kutimit të kësaj figure filozofike e politike.., po e publikoj intervistën me te disa ditë para vrasjes.

LAVDI E PËRJETSHME FIGURËS DHE VERPËS SË TIJ
……….

Nga Fahri Musliu

Pata fatin që me Kryeministrin e parë demokratik të Serbisë, pas përmbysjes së regjimit të Slobodan Millosheviqit, dr Zoran Gjingjiq të zhvilloj intervistë të gjatë, për “Zërin e Amerikës”, më 7 shkurt (34 ditë para vrasjes së tij në hyrje të godinës së qeverisë – 12.03.2003) kurse intervista u emetua në “Zërin e Amerikës” më 14 shkurt, dhe u botua në shumë gazeta të Kosovës e Shqipërisë.

(Ky është versioni i gjerë të intervistës)
………….

BEOGRADI NUK MUND TA ADMINISTROJË MË KOSOVËN!

Kryeministri i Serbisë Zoran Gjingjiq i tha “Zërit të Amerikës” se ka ardhur koha të vendoset dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës. Në një intervistë të gjatë me korrespondentin tonë në Beograd, Fahri Musliu, kryeministri Gjingjiq tha se Beogradi e Prishtina duhet të bashkëpunojnë, përndryshe do të dëmtonin njëri-tjetrin. Zoti Gjingjiq tha se çështja e statusit të Kosovës duhet zgjidhur në funksion të integrimeve evropiane dhe se nismat e tij të kohëve të fundit kanë për qëllim të sensibilizojnë bashkësinë ndërkombëtare që edhe ajo të mendohet se ç’pamje duhet të ketë rajoni pas dhjetë vjetësh.

PYETJE: Zoti kryeministër, kohët e fundit jeni hedhur në ofensivë me disa kërkesa për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Është miratuar edhe Karta kushtetuese e Bashkësisë Serbi-Mal i Zi, ku Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë, gjë për të cilën nuk janë pyetur shqiptarët. A mund të na thoni se cili është qëllimi i këtyre nismave, si i komentoni reagimet e qarqeve ndërkombëtare e shqiptare, dhe si e shihni ju zgjidhjen e statusit të Kosovës?

Kryeministri Gjingjiq: Mendoj se pas gati katër vjetësh që kur bashkësia ndërkombëtare i mori të gjitha kompetencat në Kosovë, ka ardhur koha të shtrohet çështja e ndonjë zgjidhjeje të qëndrueshme. Mund të gjendet ndonjë zgjidhej e tillë, por kurrsesi nuk është reale për t’u shqyrtuar vetëm opsionet dhe të shihen pasojat e tyre. Për mendimin tim zgjidhej afatgjate mund të jetë vetëm ajo që i respekton interesat e të gjitha palëve, me këtë rast të Beogradit dhe të Prishtinës.

Një kohë të gjatë kemi pasur zgjidhje të mangëta, sepse janë respektuar vetëm interesat e atëhershme të Beogradit, dhe të gjithë njerëzit e arsyeshëm kanë thënë se kjo nuk mundet kështu, se kjo ka për të prodhuar pasoja negative, dhe ashtu ndodhi. Anasjelltas, nëse tani i respektojmë vetëm interesat e Prishtinës, frikësohem se kjo gjithashtu mund të prodhojë pasoja që nuk do të jenë të mira as për rajonin tonë, as për situatën në vendet fqinje.

Prandaj, kërkesa ime kryesore është që kjo çështje të shtrohet dhe kujtoj se askush nuk duhet të frikësohet nga kjo. Unë kam fituar refleksin e frikës nga bashkësia ndërkombëtare dhe të gjithë ata me të cilët kam biseduar po thonë se kjo nuk është temë e përshtatshme. Thënë sinqerisht i kam testuar disa muaj bashkëbiseduesit e mi në Londër, Bon, Paris dhe i kam pyetur papritmas dhe më kanë thënë se nuk është mirë të bisedohet për statusin final , nuk është koha ta definojmë atë status final. Sepse situata nuk është e qëndrueshme, pro u kam thënë atëherë më thoni me një fjalë si e mendoni ju se do të duket kjo pas 5-6 vitesh. Si do të duket atëherë kur sot po thoni nuk është koha. Kam përshtypje se njerëzit për këtë nuk po duan të mendojnë dhe po shpresojnë se zhvillimet e ngjarjeve do të sjellin ndonjë zgjidhje të mirë. Por tash po e shohin zhvillimin e ngjarjeve dhe çka po ndodh në të vërtetë.

Kur bashkësia ndërkombëtare i mori kompetencat e veta me të gjitha atributet e sigurisë, gjyqësisë, legjislacionit, me idenë që t’i ushtrojë ato derisa nuk normalizohen marrëdhëniet dhe atëherë të bisedohet për zgjidhjen finale ku, siç është premtuar atëherë, do të zgjidhen të gjitha interesat legjitime. Por ngjarja e tashme është se ato kompetenca gradualisht po barten në strukturat vendore. Do të thotë, ekziston pushteti legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor i cili jo vetëm që po ushtrohet në emër të bashkësisë ndërkombëtare pro gradualisht po kalon në strukturat lokale me idenë se ato do të jenë të afta për t’i ushtruar ato. Me këtë do të rrumbullakohet sovraniteti i Kosovës de fakto, si një shtet i pavarur.

Dhe atëherë do të shtrohet çështja e bashkekzistencës së Kosovës së pavarur dhe e Serbisë së pavarur, e cila ndërkohë ka futur disa reforma dhe e ka përkufizuar pushtetin e vet legjislativ, gjyqësor.

Do të kemi dy sisteme të pavarura dhe dot ë shtrohet kërkesa për harmonizim. Kjo për Serbinë dhe mua, që e kam dhënë betimin se do t’i mbrojë interesat e shtetit, është e papranueshme për dy shkaqe:

që Rezoluta 1244 e KS të OKB praktikisht po anashkalohet me faktin që ndërkohë edhe po prejudikohet statusi përfundimtar;

së dyti – që do vihemi para faktit të kryer i cili Serbinë e bën peng të një Kosove të tillë. Dhe së fundi, unë nuk shoh se si mund t’i harmonizojmë shpejtë ato dy sisteme, që do të jetë kërkesë e BE-së, ashtu sikur që na e ka shtruar kërkesën edhe në raport me Malin e Zi.

Dhe ai proces do të zgjas dhjetë vjet. Gjatë asaj kohe edhe ne edhe Kosova dhe të gjithë përreth nesh janë vënë në një binar të verbër që as për shqiptarët e Kosovës kjo nuk është zgjidhje e mirë. Sepse edhe ata dot ë bëhen pengjet tanë, si edhe ne të tyre. Dhe të gjithë bashkë dot ë sillemi në një situatë kur secili ka shkuar shumë larg rrugës së vet, dhe pastaj para gjithë neve do të shtrohen kërkesa që të harmonizohen.

Pra, nisma ime ka për qëllim që më parë të kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare më shumë aktivitet, që të mendohet më zëshëm se si duhet të duket ky rajon për dhjetë vjet dhe gradualisht të fillojmë bisedimet për këtë temë. Unë kam ide të caktuara por, për fillim po kërkoj të hapën sytë, të mos heshtet problemi, sepse me heshtje askush nuk fiton asgjë.

PYETJE: Ju thatë se Serbia vazhdon të jetë peng i Kosovës, mirëpo edhe serbët e atjeshëm janë pengje të politikës së Beogradit. Pse pushtetarët e tanishëm demokratë serbë nuk shkëputen nga politika dhe praktika e regjimeve të mëparshme serbe për sa i përket statusit të Kosovës, kur rreth 99 për qind të shqiptarëve nuk duan të jetojnë nën sundimin e Beogradit?

Kryeministri Gjingjiq: Mirë. Nëse flasim për ndonjë shtet tjetër atëherë të pyesim, se për çka janë 99% të serbëve apo kroatëve në Bosnjë e Hercegovinë, pastaj pyesim për çka janë 99% të maqedonasve apo shqiptarëve në Maqedoni, apo diku tjetër, dhe nëse mendojmë se kjo bëhet parim, kujtoj se do të kemi tronditje të mëdha. Mendoj se duhet t’i pyesim edhe serbët në Serbi edhe shqiptarët në Kosovë, dhe të themi se edhe njëra palë edhe tjetra janë 99% për ndonjë zgjidhje që bukur shumë është e njëanshme, nga aspekti i tyre legjitim, por nga ana e kompromisit jo mirë, se duhet të shohim se a do të arrihet kompromisi.

Ta marrim bie fjala BeH. Në momentin kur është kërkuar zgjidhej për të, atje ka pasur 18% kroat. Rastësisht para dy vitesh OSBE ka ndërtuar listat e zgjedhësve serb në Kosovë. Por me këtë rast serbët janë konsideruar vetëm si një pakicë kombëtare e cila duhet të marrë pjesë në disa institucione pa kurrfarë të drejte kolektive. Kurse për kroatët në Bosnjë janë definuar të drejtat e caktuara kolektive, jo për t’u shkëputur, sikur që ne nuk po kërkojmë të drejtën e serbëve për shkëputje. Por të respektohen si bashkësi kombëtare, e jo vetëm si një pakicë kombëtare e cila ka të drejtë të marrë pjesë në votime, por që t’u jepet e drejta e rëndësishme dhe e caktuar konstitutive.

Prandaj, kur flasim për kompromisin, ai duhet të gjendet midis Beogradit e Prishtinës. Unë nuk jam për mbylljen e syve para opinionit të Kosovës dhe t’u them se ajo është krahinë në Serbi. Kjo që shkruan ashtu në Kartën kushtetuese është përshkrim i një gjendje legale, dhe thuhet në përputhje me Rezolutën 1244 të KS, e jo që të kthehemi në gjendjen e vjetër.

Nuk jam për zgjidhje të njëanshme as nga Beogradi, sepse kjo është mbyllje e syve para realitetit. Por as për sjellje të njëanshme dhe të themi në rregull, tani një pjesë e popullatës është organizuar në një pjesë të territorit dhe të gjithë të tjerët këtë duhet ta pranojnë. Mendoj se kjo nuk shpie askund. Së pari ky nuk është kompromis , nuk çon në stabilitet. Kjo mund të ndodh me dhunë, mund të bëhet në rrethana të caktuara, por shtrohet një çështje e rëndësishme për tërë rendin që po synojmë ta vendosim në Evropën Juglindore ose në të ashtuquajturin Ballkan.

Ideja ime është që çështjen e sovranitetit dhe të statusit ta zgjidhim përkohësisht në funksion të integrimeve evropiane. Dhe motivi që të gjithë të heqin dorë nga interesat e veta të njëanshme duke u nisur nga qëllimi më i lartë, e ky është që të kualifikohemi për integrimet evropiane ku, sipas definicionit, ne do të jemi rajon, ose ku çështja e sovranitetit shtrohet në mënyrë krejt ndryshe. Dhe nëse ne tani, për shkak të çështjes së sovranitetit të definuar në mënyrë klasike e humbim shansin për të hyrë në integrime evropiane, kjo do të an kushtojë të gjithëve, përfshirë edhe Shqipërinë edhe Maqedoninë e cila me një paket me ne do të lihet për ndonjë fazë tjetër, pas dhjetë apo njëzetë vitesh.

Përfaqësuesit më të mirë të kombeve tona dot ë shkojnë në vendet ku e shohin shansin për zhvillim, dhe çka do t’u mbetet vendeve tona të veçuara nga Evropa: do të ketë familje të plakura, do të ketë territore, do të ketë ndonjë shtet por pa fëmijët tanë për të jetuar aty. Kujtoj se kjo nuk është zgjidhje e mirë prë asnjë komb, pra as për serbët as për shqiptarët.

PYETJE: Sikur sot bashkësia ndërkombëtare tua dorëzonte juve Kosovën, a keni ndonjë ide se si do ta organizonit jetën atje dhe me cilin politikan shqiptar do të dëshironit të bisedonit për statusin e Kosovës?
Kryeministri Gjingjiq: Mendoj se për mua kjo do të ishte një kafshatë e madhe. Jo që këtë ta thotë bashkësia ndërkombëtare, pro sikur të kërkonin nga unë shqiptarët e Kosovës që Beogradi të administrojë Prishtinën, unë do t’u kisha thënë –Faleminderit. JO!. Por unë do të kërkojë që të arrijmë një kompromis i cili në Kosovë duhet të jetë i ngjashëm me zgjidhjet në Bosnjë e Hercegovinë, ku edhe bashkësia shqiptare edhe ajo serbe dot ë kishin statuset e veta proporcionale dhe të përpiqen që bashkërisht ta definojnë rregullin në Kosovë.

Këtë sistem ne në Serbi do ta pranonim si një status asimetrik, që do të ishte më shumë se Krahinë e më pakë se Shtet i pavarur. Dhe dot ë shohim brenda një kohe të caktuar se a mund kjo të funksionojë me mbështetjen e Beogradit e të bashkësisë ndërkombëtare, para se gjithash në kuptimin ekonomik.

Pra, kur unë shtroj çështjen e statusit të Kosovës, po e shtroj çështjen e statusit të Serbisë. Sepse si mund ta definoj statusin e saj kur nuk di se cili është territori i saj, si ta definoj trupin elektoral kur atë nuk e di. Prandaj duhet të gjejmë ndonjë zgjidhje që të mund të merremi me çështjet me rëndësi jetike, para se gjithash me çështje ekonomike si ekonomia.

PYETJE: A ekziston, në kuadrin e strategjisë së re ideja mbi dnarfjen e Kosovës, dhe me cilin politikan shqiptar dot ë kishit dashur të bisedonit mbi statusin e Kosovës?

Kryeministri Gjingjiq: Mirëpo, nëse në fund të fundit politikanët shqiptarë, thonë se neve nuk u intereson kurrfarë bashkekzistence, por u intereson ose pavarësia ose hiq, kuptohet e kundër këtij vullneti nuk mund të shkohet . Ne atëherë do të kërkonim që një konferencë të bënte përkufizimin dhe ndarjen e caktuar të Kosovës, sepse shumica e serbëve, apo 99 për qind e tyre, nuk duan të jetojnë në një shtet të tillë, dhe këtë duhet ta respektojmë. Pra, kjo është zgjidhja e fundit që nuk e do as bota, ndoshta as ne, por nëse nuk ka zgjidhje tjetër, atëherë më mirë edhe kështu se sa një kërcënim i vazhdimisht i hapur që na merr energjinë.

Për këtë duhet biseduar me ata politikanë të cilët janë në gjendje të zbatojnë atë për të cilën merremi vesh. Për momentin ai është zoti Hashim Thaçi, i cili ka një parti të fortë, ka fuqi dhe vullnet. Sepse nuk ia vlen të bisedosh me organizatat joqeveritare, ose me shqiptarët me orientim kozmopolit, sikur që nuk ju konvenon atyre të bisedojnë me ndonjë serb i cili thotë se do të jetojë në Kosovë pavarësisht se çka do të ndodh. Pra duhet të arrijmë marrëveshje në Beograd dhe Prishtinë me ata që mund të qëndrojnë prapa ndonjë vendimi, të cilët janë në gjendje të përballojnë edhe kritikën e opinionit në të mirë të ardhmërisë. Por kam frikë se politikanë të tillë mund të ndikohen nga publiku ose nga media.

Sepse në Serbi është më lehtë të thuhet se “Kosova është zemra e Serbisë”, “Kosovën nuk e japim”, “ajo me çdo çmim do të mbetet jona, dhe është e pushtuar përkohësisht”, dhe në bazë të kësaj të fitohet shumica. Dhe ajo është shumicë e rrejshme. Edhe politikanët shqiptarë në Kosovë do ta kishin më lehtë të fitonin mbështetje nëse thonë “ne jemi të pavarur”, “nuk na intereson Beogradi”, “ne do të bëjmë negociata me Uashingtonin”. Kujtoj se kjo nuk është perspektiva.

Neve në Kosovë na duhen politikanë që mendojnë në mënyrë strategjike, që e kuptojnë se marrëveshja me Beogradin është ai element që i legalizon edhe ata. Ajo që bashkësia ndërkombëtare po e lë çështjen të hapur nuk është zgjidhje. Sepse nëse diç është faktike e nuk është e pranueshme edhe juridikisht, atëherë bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta legalizojë një gjendje të tillë të njëanshme. Dhe mendoj se nuk mund ta gjej dikë në Beograd dhe ta detyrojë që ai ta legalizojë ndonjë gjendje e cila është plotësisht pavolitshme për Beogradin dhe ashtu të mbetet një situatë e pasqaruar.

Pra më mirë të bëhen kompromise, për legalizimin e gjendjes se sa të kërkohet maksimumi dhe gjendja të mbetet e pandryshuar. Nëse brenda dhjetë viteve të ardhshme nuk ia dalim të integrohemi në Bashkimin Evropian, kjo do të jetë humbja më e madhe për të gjithë politikanët në këtë rajon.

PYETJE: Zoti kryeministër a jeni Ju i gatshëm, si politikan pragmatik, që t’u kërkoni falje shqiptarëve për të këqijat që u kanë bërë regjimet e mëparshme serbe, gjatë gati një shekulli të kaluar. Dhe sa janë mundësitë për arritjen e një pajtimi historik midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, ashtu siç kanë bërë gjermanët dhe francezët?

Kryeministri Gjingjiq: Kujtoj se gatishmëria ekziston. Dhe natyrisht se unë jam i gatshëm të shpreh keqardhje të madhe për viktimat e shumta që kanë përjetuar shumë njerëz, dhe për mua kjo nuk është e vështirë Sepse edhe unë me familjen time bëjmë pjesë midis atyre që kanë pësuar, dhe e di se çka do të thotë të jesh qytetar i rendit të dytë në vendin tënd.

Mirëpo, e kaluar është e tillë çfarë është dhe tani, ne si gjeneratë që nuk jemi të ngarkuar me atë fajësi, duhet ta tërheqim linjën dhe të bëhemi faktor kompromisi i cili do të kënaqte të gjitha palët. Këtu nënkuptoj qëllimet më të larta siç janë modernizimi i shoqërive tona, avancimi i ekonomive, i jetës së njerëzve të zakonshëm, dhe jam i bindur se ky është ai motivi që mund të na bashkojë.

Për sa i përket pyetjes se a mundet që serbët dhe shqiptarët të arrijnë një pajtim historik, mendoj se kjo nuk ka gjasa. Por ka mundësi që të arrijmë marrëveshje për të mbërritur së bashku objektivin e caktuar, meqë edhe njëri edhe tjetri janë popuj praktikë. Tek e fundit serish u dëshmua se në këto hapësira njerëzit e dhe pas luftërave të përgjakshme po jetojnë bashkë. Prandaj edhe Beogradi edhe Prishtina duhet të bashkëpunojnë, në të kundërtën do të kenë dëm nga njëri tjetri.

Tek e fundit rruga Prishtinë – Bruksel gjeografikisht kalon nëpër Beograd. Dhe nëse kjo rrugë mbyllet, rrugët përreth janë më të vështira dhe më të shtrenjta. Pra, jam i bindur se kompromisi është i mundur, se ekstremizmi sjell përkohësisht leverdi, por në kuptimin afatgjatë i çon në disfatë të gjitha palët. Ne jemi një brez që mund të bëjmë kompromis, përndryshe do të mbajmë përgjegjësi për shansin e humbur.

Share: