Home Gjeo-Ekonomia Çmimi i vërtetë i arit, toka e tyre mban pasuri marramendëse, por...

Çmimi i vërtetë i arit, toka e tyre mban pasuri marramendëse, por banorët jetojnë në varfëri ekstreme

Shpatet me baltë që rrethojnë qytetin lindor kongolez të minierave të arit, Kamituga, zotërojnë një pasuri të jashtëzakonshme. Megjithatë, Republika Demokratike e Kongos ka një nga nivelet më të ulëta të PBB-së për frymë në botë dhe njerëzit punojnë në kushte të rrezikshme për të siguruar mbijetesën e tyre.

Qindra mijëra njerëz, duke përfshirë gra dhe fëmijë, punojnë në sektorin informal të minierave, kryesisht në kërkimin e arit. Ligjet vendase në fakt ndalojnë punësimin e fëmijëve, por ata mund të shihen kudo duke gërmuar nëpër baltën e kuqe të lumenjve të Kamituga-s.  Madje, shumë prej tyre zbresin në disa tunele të thella apo shpella pa asnjë masë sigurie. Minatorët përballen me shumë rreziqe gjatë gërmimit të arit, ndërsa kujdesi shëndetësor dhe arsimimi praktikisht nuk ekziston.

Metalet e rënda si merkuri, i cili përdoret për të ndarë grimcat e arit nga balta, mund të depërtojnë në zinxhirin ushqimor, duke rrezikuar rëndë jetën e punonjësve.

Përafërsisht, një e pesta e furnizimit global të mineraleve prodhohet nga këta minatorë. Instituti Federal i Gjeoshkencave dhe Burimeve Natyrore i Gjermanisë, vlerëson se prodhimi artizanal i arit në Kongo është 14 deri në 20 tonë në vit, me një vlerë prej 543 deri në 812 milionë dollarë.

Tregtarët dhe eksportuesit e regjistruar deklarojnë një përqindje të vogël të eksporteve të tyre të arit, ndërkohë që nxjerrin fitime të mëdha dhe shmangin taksat zyrtare nga tregtia e paligjshme.

Kjo do të thotë se ari i kontrabanduar nga Kongo, i cili del në tregun ligjor ndërkombëtar të arit, është i lidhur me kriminalitetin, pastrimin e parave, grupet e armatosura dhe abuzimet e të drejtave të njeriut.

Përpjekjet për të pasur transparencë më të madhe në sektorin e minierave kanë parë përparim minimal, pasi ato vazhdojnë të pasurojnë individë dhe kompani që punojnë në mënyrë të paligjshme.

360grade.al

Share: