MESHA E SHENJTË
E MINISTRIT TË JASHTËM TË VATIKANIT, PAUL RICHARD GALLAGHER,
NË KATEDRALEN E RRËSHENIT…
Doja të isha dhe unë, patjetër, thashë dhe ashtu bëra…
Para Katedrales së Rëshenit, në sheshin me emrin e martires katolike, “Marie Tuci”, grumbulloheshin vazhdimisht njerëz si në festë, si në një ngjarje të madhe, qytetarë plot, mirditorë epikë, gra me veshje tradicionale, studente, fëmijë me lule ndër duar dhe një diell i ngrohtë marsi që përndriste mbi kambanoren e lartë po më dukej si të ishte një kambanë ari…
Dëgjoja bisedat përreth, lavdëronin Ipeshkëvin e tyre, Imzot Gjergj Meta, ka gjallëruar jetën e qytetit, thoshin, nëse jo të gjithë munden të venë në kishë, vjen kisha te ju, u thotë ai.
Ja, mbërritën veturat te sheshi, zbriti Shkëlqesia e tij, Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Shtetit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizmat Ndërkombëtare ose Ministri i Jashtëm i Selisë së Shenjtë, po ngjiste shkallët e Katedrales. Ai do të kremtonte meshën e së dielës.
E si të mos merrja pjesë dhe unë. Pak më tutje ishte burgu i Spaçit, kisha qenë në burg dhe me klerikë dhe sikur ma kërkonin shpirtrat e tyre, të bashkëvuajtësve, që ishin vrarë apo vdekur brenda telave me gjëmba e varret andej-këndej humbnerave përreth s’u diheshin. Po unë dhe e njihja vetë Imzot Gallagher. Kur punoja në ambasadë në Vatikan, ishim takuar, po e adhuroja, po, po, u miqësuam.
Ipeshkëvi, Imzot Gjergj Meta i uroi mirëseardhjen në emër të gjithë bashkësisë dioqezane të Rrëshenit, duke thënë se vizitën e tij “e shihnim edhe si një përkujdesje të Atit tonë të Shenjtë, Papa Françeskut, për Kishën në Shqipëri” dhe falenderoi për praninë bashkëvëllezërit ipeshkvij, Kryetarin e Bashkisë së Rrëshenit, besimtarët aq të shumtë në numër, të ardhur nga fshatrat e ndryshëm të dioqezës, po edhe prej më larg, nga Kosova, nga Italia dhe deri nga SHBA.
Dhe nisi kori kishtar. Gjatë homelisë në Meshën e Shenjtë që po udhëhiqte Imzot Gallagher, tha se “Në një botë ku duket se mbizotërojnë dhuna, konflikti, rivaliteti dhe gënjeshtra, prania e të krishterëve vë përballë një forcë të shenjës së kundërt, e cila bëhet akuzë e këtyre veprave të vdekjes.”
…të mos shkurajohemi kurrë, – porositi, – t’iu përgjigjemi sfidave të kohës sonë me një qëndrim të përvuajtur dhe me një dialog që shoqërohet me gjeste mirësie dhe mirëkuptimi më të madh ndaj të gjithëve. Dhe shtoi:
“
…ne e dimë mirë se të jetosh në këtë mënyrë ndonjëherë kushton, edhe me çmimin më të lartë, atë të jetës, siç e dëshmojnë ndër të tjera, 38 martirët e Shqipërisë, mes të cilëve gjendet vetëm një grua, e Lumja Marie Tuci, rishtare e re stigmatine dhe bijë e kësaj toke të Mirditës. Jeta e saj e shkurtër, por plot fe dhe guxim, është inkurajim dhe shenjë shprese për të gjithë ne e veçanërisht për të rinjtë. Amen.”
M’u nëpërmendën priftërinjtë në burgun e Spaçit, poezia që kisha shkruar fshehurazi, “Ikonat e arrestuara”, konferenca në Vatikan për persekutimin e klerit në Shqipëri, isha pranë Mons. Gallagher, kur po flisja, në një tryezë dhe prapë pas meshës në Rreshen, do të ishim pranë në drekën e shtruar në nderim të tij dhe Imzot Gjergj Meta më ftoi të jemi pranë.
Imzot Gallagher e dinte Spaçin, është mrekulli që ti je këtu tani, më tha, kujtuam takimet në Selinë e Shenjtë, në Washington, ftesat në shtëpi, librin e Edës time për Nënë Terezën, të botuar në Vatikan, më pyeti se si është dhe për romanin tim të ri. Duke shtrënguar duart, thamë se do të takoheshim sërish…
Si një lumë qiellor vazhdonte të rridhte dritë mbi Rrëshen, ndërsa Mati, si një lumë tokësor, i turbullt ikte duke këputur copa dherash si dhimbje, pemët që pasqyroheshin, bëheshin si kryqe… hije telash me gjëmba… gjurmë të burgosurish ribëheshin mbi baltë… mallkimi i tyre, jo, urimi i tyre më shumë, solli këto ditë kështu… ëndrra e popullit… bien martirë dhe ngrihen shenjtër… me rihapjen e tempujve të besimit… kambana dhe kjo meshë që s’do të harrohet… në Katedralen e Rrëshenit… ku duhej të vija patjetër.