Nga cikli ‘Katakombet e kombit’ I Çapajev Gjokutaj
Dalldia që na zë herë pas here e na shtyn të shajmë shqiptarin duket alogjike, se është si të rrëmbesh dajakun e të rrahësh veten.
Gjithsesi rrenjët i ka në dukuri reale. Jetojmë në kushtet e një krize të stërzgjatur, që po e përjetojmë thellë edhe në rrafsh individual, edhe në rrafsh komunitar.
Në periudha të tilla, dhimbjet e zhgënjimeve janë therëse, njeriu i gjorë vështirë se i përballon, ndaj duhet t’i shkarkojë diku.
Një pjesë të fajeve ia vesh vetes, një pjesë rrethanave, një pjesë tjetër, madje të kosiderueshme, ia vesh fatit, prejardhjes, fisit, etnisë, dmth etnonimit “shqiptar”.
Parë kështu sporti masiv për të sharë e stigmatizuar shqiptarin është edhe një nga autoterapitë e shumta që përdor individi për të shkarkuar trysnitë e kësaj krize dhe gjendjeje depresive të stërzgjatur.
Kur e shajmë tjetrin me shprehje të tipit: ‘ej, shqiptar, merr vesh!’; ‘qenke shqiptar safi’; ‘dava shqiptari’ etj. duket sikur e përfytyrojmë veten jashtë bashkësisë.
Në fakt nuk e kemi fort të qartë: Dëshirojmë të distancohemi nga bashkësia apo mbitheksojmë, indirekt dhe pavetëdijshëm, kushtëzimin prej saj? Shajmë bashkatdhetarët apo justifikojmë dështimet personale? Bëjmë kritikë apo autoterapi?
Sido që të jetë, shumicën e herëve, procedime të këtij lloji realizohen tërthorazi e pa vetëdije. Dhe, në një masë a tjetrën, na ngushëllojnë. Ngushëllim ziu!
( Nga cikli ‘Katakombet e kombit’ )