Home KRYESORE NJË MARS I FTOHTË PËR MËSUESIN

NJË MARS I FTOHTË PËR MËSUESIN

Nga Adelina Xhaferi


Ky vend ka nevojë që mësuesit t’ia lejojë buzëqeshjen dhe për të nesërmen e tij t’ia mbajë edhe nxënësit këtu. Marsi është i ftohtë pa to. 

Sa herë që ndodhemi në festat e marsit vetët tona na çojnë që ta kujtojmë jo vetëm të kaluarën dhe çdo element që sot përbën histori, por ta shohim edhe të sotmen me çdo anë që e përfaqëson atë. Nëse në të kaluarën për festat e marsit, nxënësit (subjekte të punës arsimore) me zell të madh arrinin të thurnin vargje të bukura dhe t’i vinin në vijë trashëgimore ose t’ia thoshin tjetrit vetëm që në klasa dhe shkolla të ndihej nxitja dhe atmosfera garuese për më të mirën, sot në po këto data, mësuesit (subjekte të një pune pa rezultate të pritura) shohin nxënës të thyer dhe me sy që presin për hyrje në dyert e botës së jashtme. 
E ç’mund të themi sot për rolin e mësuesit? Me ç’gjëra mund ta vlerësojmë sot atë dhe sa tek ai mbështeten ëndrrat e reja? 

Mënyra se si në ditët e sotme arsimimi dhe çdo proces tjetër edukativ shfaqet para botës, lë shumë për të dëshiruar, ngase në asnjë mëngjes ky vend dhe këta njerëz nuk premtojnë për një të nesërme më të ndritur, e më keq se kjo as nuk e bëjnë dhe hapin më të vogël që temat e lira brenda orëve mësimore të mos e kenë për kryefjalë të vetme “vendin e jashtëm” dhe mundësinë më të mirë që ndoshta mund ta ofrojë ai.

Pse thuhet gjithë kjo dhe përse e një përmase kaq të madhe? 

Shoqëria njerëzore gjithmonë ka rendur drejt gjërave të përsosura dhe hapave të sigurtë se e nesërmja do t’u vinte në mënyrën më të bukur. Si e tillë ajo nuk la prapa vetes vetëm atë se si do duhej të bëhej edukimi i drejtë i brezave të rinj dhe se si ata do të ishin të përgatitur për t’i përballuar vetë sfidat e jetës, por edhe atë se sa shumë gjëra duhej t’ua siguronte vendi dhe udhëheqësit e ndryshëm. 

Për dallim nga gjithë kjo, shoqëria e sotme njerëzore e udhëhequr dhe nga mësues që edukimin dhe arsiminin e të rinjve mundohen ta bëjnë në mënyrën më të bukur, ngadalë po merr pamje të trishtë e në këtë mënyrë po ajo e ka shumë më të lehtë ta lëshojë këmbën ngado, ngase hapësirat i ka të mëdha e boshe. Në atë mënyrë ajo e ka shumë më të lehtë të bëjë krahasime dhe me bindje se gjërat vërtet janë të ndryshuara t’i vë në vijë si binarë opozitarë. 

Sot mësuesi nuk e ka më problem atë se sa te nxënësit do të kuptohet më lehtë kryefjala e shprehur me çdo pjesë ligjërate dhe kallëzuesi i thjeshtë ose i përbërë, se në ç’mënyrë ata do e dallojnë vetën e rrëfimit brenda një romani dhe karaktersitikën e personazhit që del ndryshe nga rrethi hapësinor, ose shumë më ndryshe nga kjo, se si ata do ta realizojnë në mënyrë të duhur e me rregulla të drejta shkrimore një ese me temë të caktuar, por atë se si te ata ta ngulisë me bindje të madhe mendimin se “KY VEND, QË PËRDITË E MË SHUMË PO BOSHATISET, ËSHTË I MIRË DHE KA TË ARDHME”, me ç’rast edhe për to dhe për çdo familje që jeton në prag të derës do të bëhen hapa të nevojshëm ndryshimi. 

Sot mësuesi që jeton me bindjen se të tjerë do ta trashëgojnë punën e tij dhe do ta shohin model, nuk hynë më në klasë me ditar në dorë dhe me vullnetin që edhe për çastin më të vogël ta idealizojë vendin dhe të mirat që ka ai, sepse po tek ai kapen duar që kërkojnë leje për të ikur drejt dyerve të botës, duar që tashmë ABC-në e mësojnë për ta shkruar vetëm pse u nevojitet për ta nisur një shkollim të ri në një gjuhë tjetër ndryshe nga amtarja. Sot ai më nuk gëzohet se për festa dhe manifestime të ndryshme do të dëgjojë falënderimet më të mira e më të veçanta për të dhe kolegët e tij të punës, por pret ashtu siç pritet e mira me shekuj të tërë, t’ia japë lamtumirën e padëshiruar dhe nxënësit më të zellshëm të klasës. 

Ky vend ka nevojë për ndryshime rrënjësore, jo vetëm për faktin se e nesërmja dhe brezat e rinj do të jenë ashtu siç nuk duhet të jenë, por dhe për atë se njerëzimi ka nevojë për ditë të bukura, mësuesit kanë nevojë për qenie të brishta dhe duar që do e ngjyrosin vetë të ardhmen me ngjyrat më të çelura. Ky vend ka nevojë që ta rrisë besimin dhe se festat duhet të vijnë te njerëzit më gazmore e më të harshme seç kanë ardhur dikur. Ky vend ka nevojë që mësuesit t’ia lejojë buzëqeshjen e për të nesërmen e tij t’ia mbajë dhe nxënësit këtu. Marsi është i ftohtë pa to.

Share: