Home KRYESORE Një nuskë kundër minjve, efektin e bën të plotë po të kesh...

Një nuskë kundër minjve, efektin e bën të plotë po të kesh dhe një mace pranë…

Nga Çapajev Gjokutaj

Më vjen keq që ndihesh i vetmuar. Në një kuptim, ske ç’i bën. Sa më i moshuar të jetë njeriu që mërgon në dhe të huaj, aq më të vështirë e ka përshtatjen.

S’thonë kot, sa është fidan pemën mund ta mbjellësh kudo, por kur bëhet lis me degë e me rrënjë, heq picir ta zhvendosësh .

Në rastin më të parë do të të dërgoj romanet që kërkoje. Mirë e ke, leximi i letërsisë artistike ndihmon që të kapërcesh vetminë.

Jo vetëm se përshkruan copa jete, mbushur me ngjarje e personazhe. Por edhe se leximi, ashtu i ngadalshëm siç është, të jep mundësi që këto ngjarje e njerëz t’i rikrijosh në përfytyrimin tënd dhe t’i përjetosh si një jetë plus.

Është kjo arsyeja që letërsia, ashtu si filmi, teatri, etj, po mbase edhe më shumë se ata, të nxit të përjetosh si të tuat gëzimet dhe vuajtjet e personazheve, ta ndjesh veten si të kishe hyrë në lëkurën e tyre. Kështu e harron vetminë se jeton dhe veten dhe tjetrin.

Librat do të të ndihmojnë ta zbehësh vetminë, por ti e di më mirë se unë që përfytyrimi nuk e zëvendëson dot realen. Ndaj përpiqu të afrohesh sadokudo me kolegët, fqinjët, moshatarët që çlodhen në park etj. etj.

Kjo këshilla e fundit mund të të kujtojë atë hoxhën që, pasi i përgatiti Hasanit një nuskë kundër minjve, i tha që efektin e bënte të plotë po të kishte dhe një mace pranë. Gaz paç!

( Nga cikli ‘Kioska e këshillave’ )

Share: