Mjeku Neurokirurg Arsen Seferi, ka rrëfyer eksperiencën me operacionin e rrallë e kryer në vendin tonë, ku një sasi tumorale është hequr nga truri i pacientit, konkretisht në një zonë të thellë të trurit e cila vështirësonte intervenimin.
I ftuar në emisionin “Open”, mjeku ka rrëfyer se qëllimi kryesor i këtij operacioni ka qenë heqja e masës tumorale pa prekur cilësinë e jetës së pacientit, gjë e cila u arrit plotësisht.
“Operacioni u zhvillua në një regjion shumë delikat, në insulën e trurit, praktikisht jo i dukshëm në sipërfaqene trurit.
Funksionet e shumta që ka ky regjion i trurit e bëjnë shumë delikat në trajtimin e patologjive.
Ndërhyrja është maksimalizimi i heqjes së tumorit, duke ruajtur cilësinë e jetës.
Sadisfaksioni i imi dhe kolegëve të mi të pranishëm në operacion ishte që u hoq plotësisht tumori dhe cilësia e jetesës së pacientit nuk u prek.
Sfida jonë ishte të siguronim cilësinë e jetës sepse fataliteti sot është shumë i vogël.
Ky operacion është bërë me ndihmën e mikroskopit operator, gjeneratë e avancuar e mikroskopave, gjithashtu neuronevigatori, pra teknologjia ndihmoi në kryerjen e saj së bashku me përgatitjen profesionale të mjekëve”, ka deklaruar ai./Hapur.al