Zhen Valzhani! Nga Muçi Xhepa
Sheshi “Skënderbej” ishte shkretuar i tëri. Neoni përkrah xhamisë herë ndizej e herë fikej. Errësira përzier me shiun e akullt të shtonte frikën. Përbindëshi sapo kishte ngrënë numrin dy. Çezari, miku im i ngushtë, nguli këmbë të shkonim te “Xhamllëku”. Brenda, një grua pa uniformë pastronte lokalin.
- Kam vetëm spinaq me vezë, – tha ajo.
Vezët e zhytura në ujin e spinaqtë ta prisnin oreksin. Nuk kishim marrë ende pjatat, kur te dera u shfaqën tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Ishin lagur deri në palcë. Vajza, që dukej rreth dhjetë vjeç, më e rritura ndër ta, iu afrua gruas dhe i kërkoi për të ngrënë. Ajo e urdhëroi të dilte jashtë. Çezari i dha pjatën e tij; ashtu bëra edhe unë dhe u larguam. Çezari banonte te halla dhe më kërkoi ta shoqëroja. Rrugës folëm për vrasjen. Kur iu afruam hotelit të vogël, përballë “Zërit të Popullit”, dëgjuam zërin e sportelistit t’u çirrej tre fëmijëve që kishim lënë te Xhamllëku. - Dilni jashtë! – thërriste, duke i shtyrë me dorë.
U afruam. I pyetëm. Vajza, duke qarë, tha se nuk kishin ku të kalonin natën. Ora po afronte nëntë; Çezarit i duhej të shkonte. Unë e kisha lënë me një mik për të marrë prej tij fjalorin gjermanisht-anglisht dhe, meqë rruga kalonte pranë konviktit të vajzave të mjekësisë, i mora fëmijët me vete. Kur u afruam te dera e konviktit, e këshillova vajzën e madhe t’i lutej dezhurnit të kalonin natën atje. Prita jashtë. Pas pak fëmijët dolën duke qarë. - Na përzuri, – tha me dënesë vajza.
Së largu u duk miku im; ecte ngadalë, duke tërhequr këpucët e shkelura te thembrat. Me njërën dorë shtrëngonte nën sqetull çantën, ku mbante studimin për gjuhën shqipe, kurse me tjetrën përpiqej të drejtonte çadrën, që ia rrëmbente era. Ndriçimi i neonit mbi trotuar ishte i zbehtë. Ndonëse kaloi fare pranë, ai nuk më njohu. - Zhan Valzhan, – i thirra, – Fantinës ia kanë flakur Kozetën në rrugë.
Qeshi me zë të brendshëm, të thellë. - Hajdeni zogj në çerdhen time, – i ftoi, pa pyetur se cilët ishin.
I mblodhi rreth vetes dhe të pestë morëm rrugën për te banesa tij. Toka, vende-vende, ishte me pellgje uji dhe baltë. Shtegu kalonte përmes një rrëpire të pashtruar e përfundonte në një hendek të madh, që e kaluam me vështirësi. Djali më i vogël mbahej fort te këmba e tij. Filluam të ngjisim shkallët, që nxinin pus. Në katin e tretë, atij i rrëshqiti këmba e me zor u ngrit. Kur arritëm në katin e pestë, hoqi një copë tulle nga korniza e derës, nxori një çerek qiriri, e ndezi me vështirësi, hapi derën dhe, duke u kthyer nga hyrja përballë, tha: - Ai atje më ka prerë dritat.
Në atë apartament banonte një punonjës policie. Sapo hymë në kuzhinë, dhoma e tij e punës, nxori nga një dollap i vogël pesë qirinj, nga një për secilin. I vendosi në parvazin e dritares, i ndezi me kujdes dhe me zërin që kumbonte qiellor u tha fëmijëve: - Mirë se erdhët, engjëj të shenjtë!
Vajza e vogël vrapoi drejt tij, iu hodh në qafë e me lot gëzimi i tha: - Xhaxhi, ti je si ne!
Atë ditë fëmijët kishin ardhur nga Shkodra të takonin babanë e tyre te Burgu i Ri. I kishte sjellë njerka, e cila, pasi kishte mësuar se të shoqit ia kishin kthyer dënimin në politik, i kishte braktisur. Të nesërmen në mëngjes, Petro Zheji, antikomunisti trim, pasi i ushqeu dhe u preu biletat fëmijëve “armiq”, me dashuri hyjnore i përcolli për Shkodër.
Muç Xhepa dhe Petro Zheji