Home Gjeo-Ekonomia Pse sajohen punë me u gjend Kola në punë?

Pse sajohen punë me u gjend Kola në punë?

Rubrika : të shpjegojmë thjesht ekonominë !

Nga Irena Beqiraj

Teksa lexoja për zhvillimet në tregun e punës gjeta të dhëna të cilat tregojnë shkallën me të cilën janë ulur orët e punës në ekonomitë kryesore të zhvilluara. Midis viteve1870 dhe 2000, ato jane reduktuar me afërsisht 26 orë. Pjesa më e madhe e këtij reduktimi ka ardhur si rezultat i zhvillimit teknologjik që kursen përdorimin e fuqisë punëtore .

Por pavarësisht se ka më shumë mundësi për kohën e lirë, kursimi i kohës në punë nuk transferohet në kohë e lirë. Psh. krahasuar me vitin 1950, sot njerëzimit i duhet të punojë vetëm 11 orë në javë për të prodhuar të njëjtën sasi që prodhohej në 1950 në 40 orë . Pra për të pasur të njëjtin standard jetese ( nëse gjitha të tjerat janë të pandryshuara), sot duhet të punojmë vetëm 11 orë ne javë . Por sërisht një javë pesëditore 40-orëshe oune është standard.

Kur për herë të parë Keynes tha se nipërit e tij do të punonin 15 orë në javë ai presupozonte që përmirësimet e efikasitetit do të transferoheshin plotësisht në kohën e lirë.

Pikerisht kjo nuk ka ndodhur. Kontratat e punës në thelb nuk janë të orientuara nga rezultati. Ato shkëmbejnë kohën me para – gjë që e bën të vështirë shkëmbimin e përfitimeve të rritjes së produktivitetit me kohën e lirë.

Barriera themelore për shkëmbimin e përfitimeve te efikasitetit me kohë te lirë është se ekonomia nuk e vlerëson kohën e lirë, ajo vlerëson vetëm kohën e shpenzuar në punë. Ndërkohë bizneset nuk janë krijuar për të vlerësuar kohën e lirë – ato janë krijuar për të realizuar më shumë fitime.

Teorikisht një orë e kaluar me familjen ka më pak vlerë ekonomike sesa një orë e kaluar në punë, sepse vetëm koha e kaluar në punë kontribuon në rritjen e fitimeve dhe PBB. Për sa kohë që ekonomia dhe bizneset funksionojnë në këtë mënyrë, ne do të vazhdojmë t’i japim përparësi punës ndaj kohës së lirë.

Njerëzit gjejnë mënyra për të shpenzuar kohën e ‘kursyer’ por jo gjithmonë arrijnë të marrin përfitimet e plota që lejon kursimi i kohës për shkak të konceptit të pasaktë te asaj që konsiderohet ‘produktive’.

Edhe pse teknologjitë e reja që po zhvillohen si robotika dhe inteligjenca artificiale do të krijojnë më shumë mundësi për kohë e lirë , ndikimi i saktë i tyre në oret e punës mbetet për t’u parë . Me qasjen e sotme do të përfundojmë si tek filmi vizatimor familja Jetson i cila gëzonte shumë nga lukset e te ardhmes, makinë fluturuese, një punëtore robot që gatuan dhe pastron, por cuditërisht babai George punon 40 orë në Spacely’s Sprockets edhe puna e tij është thjesht pa vlerë, të shtypë butonat.🙄

Ose sic thotë populli ynë sajo punë për me u gjend Kola ne punë !

Share: