Home Gjeo-Ekonomia Republika e Kosovës ka treguar se është serioze dhe e përkushtuar për...

Republika e Kosovës ka treguar se është serioze dhe e përkushtuar për t’i zgjidhur problemet me Republikën e Serbisë, si dy shtete sovrane dhe të barabarta dhe për të ecur përpara drejt integrimeve Euro-Atlantike.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mirëpret zhvillimet e fundit të dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndështetërore në mes tyre.

Siç e kemi theksuar në vazhdimësi dhe me bindje të plotë, burimi i problemeve dhe tensioneve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është refuzimi i Beogradit për të njohur të drejtën e Kosovës për të ekzistuar dhe përpjekjet e vazhdueshme dhe me të gjitha mjetet për të minuar shtetin e Kosovës.

Beogradi zyrtar ende nuk ka hequr dorë nga politikat hegjemoniste të së shkuarës, duke mbetur kështu gjenerator i tensioneve në rajon.

KASH shpreh mbështetje për angazhimin e shtuar europian dhe amerikan për lëvizjen drejt përmbylljes së procesit të dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Ky proces i mundimshëm por i domosdoshëm do të arrijë destinacionin e tij të natyrshëm vetëm kur Serbia pranon Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur dhe orientohet sinqerisht në orbitën Euro-Atlantike. Kjo do të ishte në të mirë të gjithë rajonit dhe në radhë të parë të vet Republikës së Serbisë.

KASH konsideron se i ashtuquajturi Plani Franko-Gjerman është një kornizë e përgjithshme që trason rrugën për rregullimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Pavarësisht se ky plan nuk përmban në mënyrë shprehimore detyrimin e Republikës së Serbisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ky plan kornizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi bazën e parimeve të barazisë sovrane dhe parimeve të tjera të Kartës së OKB-së, mbi të cilat zhvillohen marrëdhëniet paqësore dhe bashkëpunimi në mes të shteteve të pavarura.

Duke shprehur gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të pranuar këtë propozim europian të mbështetur edhe nga SHBA, Kryeministri i Republikës së Kosovës ka dëshmuar se Republika e Kosovës është serioze dhe e përkushtuar për të zgjidhur problemet me Republikën e Serbisë, si dy shtete sovrane dhe të barabarta dhe për të ecur drejt integrimeve Euro-Atlantike.
KASH thekson se Republika e Kosovës ka dëshmuar vullnet për të garantuar të drejta dhe pozicion shumë të avancuar për pakicën serbe të Kosovë dhe trashëgiminë kulturore dhe fetare serbe.

Çdo angazhim i mëtutjeshëm i Republikës së Kosovës për të drejta dhe privilegje shtesë për qytetarët serb të Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në procesin e dialogut, duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

KASH shpreh bindjen e fuqishme se për të pasur një përmbyllje të suksesshme të procesit të dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, BE dhe SHBA duhet të rrisin angazhimin dhe zotimet e tyre për të çuar përpara procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

Antarësimi i Kosovës në organizatat kryesore ndërkombëtare dhe europiane, sikundër edhe njohja nga pesë vendet e BE që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, është qenësor për të rritur besimin e qytetarëve në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE dhe të mështetur nga SHBA.

KASH i bënë thirrje Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros që të njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës, ligjshmëria e të cilës është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Duke mos njohur Kosovën, këto vende me apo pa dashje shndërrohen në pengesë të madhe, jo vetëm në procesin e pandalshëm të integrimit të plotë të Republikës së Kosovës në sistemin ndërkombëtar, por edhe për forcimin e paqes, sigurisë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në fund, KASH i bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera qëndrore të shtetit shqiptar që në këtë periudhë vendimitare, të ndjekin një politikë aktive dhe të guximshme në mbështetje të Republikës së Kosovës.

Share: