Reagim nga Silvana Begaj
Pas letrës së drejtuar Institucioneve përkatëse në Shqipëri dhe Suedi me qëllim lehtësimin e proçedurave të lejeqëndrimit për shqiptarët në Suedi, kam detyrimin t´ju informoj se:
Institucionet suedeze presin të kontaktohen nga Institucionet shqiptare nëpërmjet ambasadës suedeze në Shqipëri.
Institucionet shqiptare e prekën në një nga mbledhjet e Nënkomisionit të Diasporës, por deri tani nuk ka pasur asnjë përpjekje reale.
Unë e kuptoj se zgjedhjet lokale janë më te rëndësishme për Ju se kërkesat tona, prandaj me lini t´ju rikujtoj dicka:
Emigrantët shqiptarë me remitancat e tyre, edhe pse me kosto të lartë të transfertave (për faj të neglizhencës tuaj), përsëri dërgojnë para në Shqipëri për të përkrahur familjarët e tyre të cilët për fajin tuaj janë nën nivelin jetik të jetesës.
Emigrantët shqiptarë, edhe pse të ngopur me arrogancën dhe injorimin tuaj, përsëri zgjedhin të vinë në Shqiperi për pushime duke rritur kështu të ardhurat nga turizmi që një Zot e di ku venë.
Emigrantët shqiptare po dëbohen si kriminel kur kërkojnë mbrojtjen që Ju nuk ia jepni dhe nuk dinë se ku të drejtohen as aty as këtu.
Emigrantët shqiptarë po dëbohen nga Suedia për mashtrime të punëdhënësve dhe kthehen aty për të filluar nga asgjëja dhe nuk dinë në cilën derë të kerkojnë të drejtën.
Emigrantët shqiptarë vërtet nuk ju duhen sepse nuk konvertohen në vota dhe si pasojë ju nuk humbni kohë për gjëra pa përfitim.
Emigrantët shqiptarë nuk janë militantët që vrihen për luftën Basha – Berisha, Berisha – Rama, Berisha – Alibeaj, Berisha – Nano e mbi të gjitha luftërat dhe flirtimet e Metës me të gjithë të sipërpërmëndurit.
Përkundrazi, janë ata që injorojnë luftëra të shëmtuara interesash dhe të sajuara për përfitime vetjake. Prandaj, ju nuk i doni! Ju doni injorantë që ti drejtoni me luftëra gënjeshtër dhe të vidhni deri në shkatërrim sic keni bërë deri tani.
Emigrantët shqiptarë përpiqen të lartësojnë Shqipërinë kudo me arritjet e tyre profesionale, me mikpritjen dhe me zakonet e lartësuara të shqiptarëve. Arritje të cilat Ju, politikanë të dashur i ndani me miq duke e bërë Nepotizmin si kërcënim real të rinisë dhe profesionistëve. Nuk lini shtigje të hapura për njerëz të ndershëm.
Emigrantët shqiptarë ju i keni lënë si popull pa Atdhe dhe ata përsëri ëndërrojnë që e ardhmja e tyre është Shqipëria. Shqipëri e pastër dhe e lirë nga duart tuaja të pista.
Emigrantët shqiptarë ia kanë dalë dhe do ia dalin edhe pa ndihmën Tuaj, por të paktën sa për sy dhe faqe lejoni Institucionet përkatëse të nisin bisedimet sepse kjo kërkesë ka shkuar edhe në Parlamentin Europian dhe në instanca të tjera të cilat normalisht do të reagojnë ndaj padrejtësive.
Prandaj pasi ti ushqeni shqiparët aty me drama të liderave historik dhe të liderave të Big Brother, kthejeni dhe kokën nga kërkesat tona!
Përshëndetje të përzemërta,
Silvana Begaj