Home KRYESORE Politikanët e diktaturës dogmatikë, por jo imoralë! Të sotmit imoralë politik!

Politikanët e diktaturës dogmatikë, por jo imoralë! Të sotmit imoralë politik!


A kërkonte falje Enver Hoxha?

Nga Dashnor Kokonozi


(E shoh që pak dijeni ka për zemrën e tij të ndjeshme, por është e vërtetë, ai dinte të kërkonte falje. Të paktën jugosllavëve. Akoma më tej, ai nuk ka qenë aq servil, madje ka guxuar edhe të kritikojë rreptë kultin e individit të Stalinit)

Herën e fundit që isha në Tiranë mora me vete edhe një libër që më intrigoi jo nga titulli (E. Hoxha. Raporti i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë në Kongresin e III të Partisë. 1956), por sepse për më se 40 vjet e kisha fshehur në vendin më sekret të bibliotekës sime.

Po e shfletoj tani dhe nuk u besoj syve të mi.
Në fq. 36, siç e shihni nga foto, pasi ia hedh fajin Xoxes dhe Beries, një stalinisti sovjetik, E. Hoxha para Kongresit të Partisë thotë :

“Ky (akuzat ndaj Jugosllavisë) është një gabim nga ana jonë. Logjika e luftës ndaj njëri-tjetrit na çoi në gabime e të përdorim akuza të pathemelta të kurdisuara nga agjenti Beria kundër Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe shtetit jugosllav, të akuzonim Jugosllavinë si dhe udhëheqësit jugosllavë si antimarksistë etj. Këto akuza ishin të padrejta, ana jonë ka gabuar për këto çështje. (!!!)

  1. Në fq. 177. Ai i përvishet Stalinit.
    « …Kulti i individit dhe praktika e udhëheqjes që u krijua nga J.V. Stalini, shënuan shkeljen e hapët dhe të shëmtuar të parimeve leniniste të udhëheqjes kolegjiale në parti, shënuan shkeljen e normave leniniste të partisë. Mospërfillja nga ana e J.V. Stalinit e normave të jetës së partisë dhe të parimit të udhëheqjes kolegji ale të partisë, zgjidhja e çështjeve në mënyrë individuale nga ana e tij, mospërfillja e mendimit të partisë, bile duke marrë edhe masa të rënda kundër atyre që shprehnin mendime të ndryshme nga të tijat, nuk mund të mos sillnin dhe sollën dëmtime të mëdha, duke shkaktuar shtrembërime të rënda të rregullave leniniste në jetën e partisë dhe shkeljen e ligjshmërisë revolucionare… »
    Një paragraf më poshtë e kritikon Stalinin edhe pêr drejtimin që ai i bëri Luftës dhe madje, edhe ekonomisë së vendit:
    « Ai nuk tregoi vigjilencën e nevojshme në pragun e luftës patriotike kundër nazizmit gjerman, nuk i vuri kujdesin e duhur zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë socialiste dhe mirëqenies materiale të kolkozianëve, përkrahu dhe nxiti në vijë të gabuar çështjen jugosllave… »
    Më qartë nuk bëhet dhe unë pyes veten çfarë ka ndodhur?
    Pas gati dhjetë vjetësh lufte me Jugosllavinë ai kërkon falje dhe më tej i vërsulet edhe vetë Stalinit, qëndrimin ndaj tij më vonë do ta shihte si vijë sinori midis “marksistëve të vërtetë” dhe “revizionistëve”.
    Dhe për ironi të fatit në këtë rrugë që kritikon më 1956, ai do të zvarrisë pas vetes një popull të tërë.
    Natyrisht që mund të nxirren shumë përfundime.
    Dua të besoj se vizita e mëtejshme e Hrushovit në Shqipëri (1959) ku ai la të kuptojë se populli shqiptar meriton një udhëheqje më të mirë mund të ketë ndikuar në ndryshimin radikal që mori politika e Shqipërisë pak më vonë.
    Ky raport i mbajtur në Kongresin e III-të lejon të shohësh se parimet politike për të kanë qenë monedhë këmbimi për të qëndruar në pushtet. Do të shkëputet nga Bashkimi Sovjetik në periudhên e destalinizimit të vendit, jo për çështje parimore, por sepse kuptoi se në pushtet mund të qendronte vetëm nepëmjet një politike të përgjakshme staliniste.

Përfundimi im. Ndërsa politikanët e sotëm (shumica e tyre) më duket më fort si imoralë (politikë) ata të djeshmit më dukeshin më fort dogmatikë dhe të ngurtë, po jo imoralë. Ky libër me tregon se edhe ata ishin po aq imoralë sa edhe të sotmit.

Share: